Piktori Mentor Berisha hap ekspozitë personale në Berlin (Foto)

Ekspozita”Nëna dhe fëmija”, para publikut berlinez

Piktori kosovar, Mentor Berisha, vazhdon që artin e tij ta ekspozoj nëpër qendra evropiane. Brenda një harku kohor jo të gjatë, ai pas Madridit dhe Vjenës, këto ditë, prej 24 shtatorit deri më 29 shtator, ka hapur ekspozitën e tij personale në Berlin. Në galerinë e këtij qyteti, Erstererster, Berisha ka hapur ekspozitën e titulluar “Nëna dhe fëmija” me 15 punime ku shpërfaqet motivi aq emotiv, që sjell raporti primar social në mes nënës dhe fëmijës

“Janë punime të viteve të fundit. Më ka preokupuar ky motiv i përjetshëm dhe i patjetërsueshëm, pikërisht në kohën ku po përballemi me një krizë morale të familjes”, sqaroi Berisha.

Pikturat e Berishës, dallohen përmes një qasjeje ekspresioniste, ai përdor teknikën spachtel dhe stilin alla prima, për të krijuar tekstura të trasha që ngjajnë me skulptura të ngritura mbi sipërfaqen e kanavacës – një proces që u jep veprave thellësi emocionale dhe plastike.

Sipas Berishës ekspozita është mirëpritur nga publiku berlinez.”Më ka habitur gatishmëria e vizitorëve të cilët me aq spontanitet pyesin për ngjyrat e përdorura, për motivin dhe për Kosovën” , tregon Berisha, i cili po qëndron këto ditë në Berlin.

ObserverKult


Lexo edhe:

NË GJILAN U HAP EKSPOZITA “SOLIDARITETI SI REZISTENCË“ E PIKTORIT, MENTOR BERISHA