Piramidat e Egjiptit, ose portat e lashta drejt yjeve

Nga: Huan Antonio Beviles

Egjiptianët ishin vëzhgues të mëdhenj të qiejve. Sistemi i tyre i matjes së kohës, ka shërbyer si origjinë për kalendarin diellor, që është në themel të kalendarit tonë, dhe duke qenë se kupa qiellore ishte ngushtësisht e lidhur me fenë, ata skicuan një hartë të tërë qiellore. Tempujt i reshtonin në kërkim të Maat, hyjnia që përfaqëson rendin kozmik, dhe në funksion të këtij qëllimi, përsosën skemat e tyre të orientimit.

Marrëdhënia e ngushtë mes qiellit dhe tokës manifestohet edhe në orientimin e piramidave. Në fakt, tashmë dihet se këto ndërtime, sidomos ato të ngritura në Giza rreth viteve 2550 para Krishtit, janë të orientuara në bazë të katër pikave kryesore. Se si e kanë arritur këtë rezultat egjiptianët, kjo është një prej çështjeve më të debatuara në historinë e egjiptologjisë.

Tërheqja e Meskhetiusë

Egjiptianët e quanin Meskhetiu, shtatë yjet më të shndritshëm të konstelacionit të Arushës së Madhe. Përfaqësohej nga një putër demi, apo një lloj sëpate që përdorej në ceremoninë e hapjes së gojës, ritual me të cilin i riktheheshin shqisat mumjes së të vdekurit. Rëndësia e Meskhetiusë theksohet që në kohë shumë të lashta, siç e tregon prania në tekstet e Piramidave, bashkë me shkrimet fetarë më të vjetër të njerëzimit, që janë quajtur kështu sepse janë gjetur në dhomat funerale të shumë piramidave nga viti 2300 para Krishtit. Aty shkruhet: “Unë jam ai që… dy Eneadat janë pastruar për mua në Meskhetiu… pavdekësi…”. Janë fjalë që pasqyrojnë dëshirën e mbretit të vdekur që të udhëtojë në kupën qiellore dhe të bëhet një prej “yjeve të pashuar” ose të pavdekshëm: yjet përreth poleve, të cilët ndryshe nga të tjerët, janë gjithmonë të dukshëm në qiellin e natës. Kjo ide e ka fillesën të paktën që në fillimet e Mbretërisë së Lashtë, si për shembull në rastin e piramidës së Djoserit dhe Saqqaras, e ndërtuar rreth vitit 2650 para Krishtit. Por ndoshta e njëjta ide mund të reflektojë tradita shumë më të lashta, si ato të periudhës paradinastike, të vitit 3100 para Krishtit.

Lidhja e ngushtë e Meskhetiusë me privilegjet mbretërorë dhe botën qiellore ka edhe një tjetër valencë. Në një mbishkrim të gjetur në tempullin e Edfusë, të shekullit III para Krishtit, thuhet: “Duke parë Meskhetiunë, kam vendosur katër këndet e tempullit të Madhërisë së Tij”; kjo do të thotë se tempulli ishte i orientuar në drejtimin në të cilin Meskhetiu dukej në horizont. Orientimi kryhej përmes ceremonisë së “shtrirjes së litarit”, në të cilën mbreti, i shoqëruar nga perëndeshja e llogaritjeve dhe e kohës, Seshat, fiksonte boshtin dhe perimetrin e një tempulli, duke kryer vëzhgime të caktuara, sigurisht të karakterit astronomik.
Në të vërtetë, vëzhgimi i yjeve dhe trupave të tjerë qiellorë me qëllim orientimin e ndërtesave të shenjta, ka nisur që në agimet e qytetërimit egjiptian, ashtu sikurse dhe vetë ceremonia e shtrirjes së litarit, që përmendet edhe në analet e një sovrani të dinastisë së parë. në mënyrë të veçantë, Meskhetiu do të mund të ishte gjithmonë pikë referimi e egjiptianëve, për të përcaktuar orientimet e meridianëve, bazuar mbi yjet që janë të dukshëm në një meridian (vija imagjinare që kalon nga veriu në jug dhe e ndan qiellin në dy gjysma, atë lindore dhe atë perëndimore).

Piramidat dhe kupa qiellore

Jo të gjithë piramidat yjore janë të orientuara në mënyrë korrekte; në të vërtetë, vetëm disa prej më shumë se gjashtëdhjetë prej tyre që ne njohim paraqesin një orientim të saktë. Piramidat e faraonëve të dinastisë së IV, që ndodhen në Dahshur dhe Giza janë më mirë të orientuarat, me gabime që në terma astronomike, vërtiten tek një e katërta e një grade, ose 15 minuta hark; tek të tjerat, si ajo e Keopsit dhe Shefrenit, gabimië shtë edhe më i vogël. Nëse mendojmë që Dielli apo Hëna e plotë, ashtu si i shohim me sy të lirë kanë një diametër prej 36 minutash hark, duket qartë se rezultate të tillë, me gabime kaq të vegjël, arrihen vetëm nga një vëzhgues i kualifikuar, dikush që kishte shumë përvojë dhe që zotëronte instrumentat më të saktë të kohës.

Eshtë për t’u habitur që piramidat më të lashta janë njëkohësisht ato të orientuara më mirë. Për të shpjeguar këtë fakt janë hedhur teori të ndryshme, duke u bazuar në përdorimin e vëzhgimit astronomik, sipas linjës veri-jug. Në shekullin XIX, astronomi anglez Charles Piazzi Smyth sugjeroi që për të reshtuar Piramidën e Madhe ndoshta është përdorur Tubani, që në atë kohë ishte ylli polar (ai më pranë polit e që shihet me sy të lirë). Hipoteza u mbështet nga Heinrich Karl Brugsch, një prej egjiptologëve më me reputacion të kohës. Tubani arriti pozicionin e tij më pranë polit në vitin 2787 para Krishtit, kur u gjend dy minuta hark larg prej tij. Megjithatë në kohën e Piazzi Smyth dhe Brugsch besohej se Piramida e Madhe ishte ndërtuar të paktën dy shekuj më herët, se sa data e vërtetë; kështu që duhet të injorohet hipoteza e Piazzi Smithit.

Janë propozuar edhe metoda orientimi që bazohen mbi vëzhgimin e Diellit apo hijeve. Në vitin 1931, Ernst Zinner propozoi të vëzhgohej hija më e vogël e projektuar nga një gnomon (një shkop i vendosur vertikalisht në tokë, hija e të cilit lejon matjen e pozicionit të Diellit), sepse në hemisferën tonë, hija e prodhuar nga Dielli në mesditë është më e shkurtëra e të gjithë ditës dhe projektohet nga veriu. Megjithatë, vështirësia e përvijimit të hijeve ka penguar arritjen e saktësisë së kërkuar. Në fund të shekullit XX, amerikani Martin Isler demonstroi se hijet mund të skicoheshin në mënyrë korrekte, duke përdorur disa teknika që mund të kenë qenë të disponueshme që në kohën faraonike.

Kohët e fundit, bazuar pikërisht në këtë teori, arkeologu Glen Dash, pjesëtar i Projektit të Hartëzimit të Fushës së Gizës ka kryer eksperimente që synojnë të demonstrojnë se, e ashtuquajtura “metoda e rrethit indian” do të mund të ofronte saktësinë e kërkuar: ajo bazohet në vëzhgimin e zhvendosjes së hijes diellore përgjatë të gjithë një dite; megjithatë, nuk ka prova që egjiptianët të kenë patur dijeni për një metodë të tillë.

Një zbulim themelor

Në vitet ’80 të shekullit që kaloi, astronomi Steven C. Haack zbuloi se gabimet në orientimin e piramidave të dinastisë së IV dhe të disa të tjerave, paraardhëse dhe pasardhëse, dukeshin se ndiqnin një korrelacion kohor. Piramidat më të lashta ishin të orientuara në mënyrë më të keqe se sa ato pasardhëse, por gabimi reduktohej deri sa bëhej minimal gjatë mbretërimit të Keopsit, për t’u rikthyer sërish në monumentet e mëvonshëm.
Sipas Haackut, shkaku që mund të shpjegojë këtë fakt të habitshëm duhet të jenë luhatjet e boshtit të rrotullimit të Tokës. Një rezultat i rëndësishëm, ky, që megjithatë nuk ka patur peshë sepse Haack ka përfunduar se piramidat kanë qenë orientuar sipas ngjitjes së disa yjeve, një metodë që megjithatë nuk është demonstruar mjaftueshëm e saktë.

Për këtë arsye, metoda që ka fituar më shumë besueshmëri në literaturën egjiptologjike është ajo e propozuar në vitin 1947 nga I.E.S. Eduards. Mbi të gjitha duhet të fiksosh një horizont artificial (për shembull një mur guri) për të shmangur problemet e shkaktuar nga zhdukja atmosferike (humbja e dritës së një ylli kur kalon atmosferën e Tokës) dhe përthyerja pranë horizontit (ndryshimi i drejtimit të dritës). Pas kësaj është e nevojshme të përzgjidhet një yll përreth polit, të vëzhgohet në lëvizjen e tij gjatë natës dhe të shenjohen në horizontin artificial pozicionet e lindjes dhe perëndimit të tij, pika që do të tregonin ekzaktësisht vijën veri-jug. Saktësia e kësaj metode, e cila nuk është testuar ende në mënyrë eksperimentale, i kanë dhënë studiuesit mbështetjen e komunitetit shkencor, ndonëse nuk ka prova të zbatimit të saj.

Kjo ishte situata në vitin 2000, kur historiania e arkitekturës, Kate Spence, mori idetë e Haackut dhe parashtroi një teori e cila përfshinte më të mirat e paraardhëseve: këqyrja e kalimit të njëkohëshëm të dy yjeve në meridian – në momentin kur janë reshtuar vertikalisht – dhe në fund përcaktimi i vijës veri-jug. Spence vërejti disa yje në anën e kundërt të polit: Mizari (në konstelacionin e Meskhetiusë) dhe Koshabi (një yll i Arushës së Vogël). Metoda e saj propozon një kronologji të re për Mbretërinë e Lashtë, që ka rezultuar e gabuar dhe që, bashkë me disa probleme teknike të pazgjidhshëm, ka sjellë vënien në dyshim të vetë teorisë.

Yjet Phecda dhe Megrez

Megjithatë, puna e Spence ka patur meritën që të shtyjë specialistët ta rishohin gjithë problemin. Kështu ka bërë autori i këtyre reshtave, duke pohuar se egjiptianët e kohës së piramidave kanë parë reshtimin vertikal të dy yjeve të Meskhetiusë, Phecda dhe Megrez, për të përcaktuar pozicionin e polit yjor dhe si pasojë, të veriut gjeografik dhe të vijës meridiane rreth vitit 2550 para Krishtit. Kjo hipotezë konfidmon, edhe një herë, se arkitektët e piramidave punonin me projekte të sofistikuar, që në çështje praktike ndërthureshin me simbolizmin fetar; në këtë rast, marrëdhënia e ngushtë mes yjeve përreth polit dhe përjetësisë së faraonit në jetën e përtejshme. Sa për problemin e orientimit të piramidave ai nuk është zgjidhur ende përfundimisht. Ndonëse mund të jemi më pranë se kurrë gjetjes së zgjidhjes. / Storica – Bota.al