Pirateria e librave/ Shtëpitë Botuese ankohen për të drejtat e autorit: “Kanë vjedhur edhe Kadarenë…”

Libri po përjeton një periudhë të vështirë për shkak të piraterisë, teksa me zhvillimin e teknologjisë po bëhet më i lehtë kopjimi i veprave letrave.

Shoqata e Botuesve Shqiptarë ngre shqetësimin për piraterinë e botimeve shqiptare në Shqipëri e sidomos ne trevat shqipfolëse.

“Janë disa Shtëpi Botuesve që shesin librat tanë të piratuar”, tha Petrit Ymeri.

“Po asfiksohet vepra jonë nga akte të tilla duke nisur nga Tirana, Prishtina e Tetova”, tha Bujar Hudhri.

Botuesi Bujar Hudhri denoncoi një rast flagrant nga Tetova, që tre vite më parë shpalli Ismail Kadarenë “Qytetar Nderi” e që sot veprat e tij i kopjon, në shkelje të plotë me të drejtat e autorit e të Shtëpive Botuese.

“Kanë bërë libra piratë në marrëveshje me komunat. Dhe i çojnë direkt në biblioteka. Tani kanë avancuar aq shumë sa vetë shteti, vetë kryetari i komunës blen një mall të vjedhur. Janë librat e të gjithë Botuesve Shqiptarë. Këto libra të shtypur në mënyrë skandaloze, madje të përgjysmuara, janë të destinuara për të gjithë brezat e nxënësve”, tha Bujar Hudhri.

Kryetari i botuesve shqiptarë kërkon ndërhyerjn e qeverisë, me qëllim garantimin e të drejtave të shkrimtarëve, përkthyesve e botuesve.

“Në Shqipëri është shumë e dëmshme pirateria që bëhet nëpërmjet librit digjital. Libra që skanohen, futen në portale dhe shiten. Skadojnë librat tanë pa të drejta dhe i shesin”, tha Petrit Ymeri.

Kur libri përdoret për biznes me qëllime përfitimi përmes manipulimit, dëmtohet mbi të gjitha lexuesi, kur në dorën e tij arrijnë vepra të falsifikuara e të dëmtuara, theksojnë botuesit.

ObserverKult


Lexo edhe:

“ONUFRI” PADIT KRYETARIN E KOMUNËS SË TETOVËS PËR VJEDHJEN E VEPRAVE TË KADARESË/ PARA DY VITESH KOMUNA E SHPALLI “QYTETAR NDERI” SHKRIMTARIN E MADH SHQIPTAR