Zjarri rëndon gjendjen e Shtëpisë së Hynilerëve në Prishtinë

Shtëpia e Hynilerëve në Prishtinë ka kohë që është vlerësuar si monument që ka nevojë për konservim e restaurim. Por gjendja e këtij objekti është rënduar edhe më pasditen e së enjtes. Oxhaku ka marrë flakë. Kjo ka bërë që zjarrfikësit të intervenojnë në mënyrë që të shpëtohet monumenti 200-vjeçar. Për këtë janë dashur më shumë se dy orë.

Ndezja e shporetit të druve ka bërë që oxhaku të tymojë përgjatë murit të jashtëm. Përderisa Ministria e Kulturës në mbrëmje ka dërguar një ekip për të parë situatën, sot (e premte) do të përgatisë raportin për dëmet e shkaktuara. Ekipi i zjarrfikësve pos ndërhyrjes në pjesën e jashtme, është dashur që edhe nga tavani të fusin ujë brenda në oxhak, shkruan KOHA.

Muri i shtëpisë që kufizohet me rrugën “Afrim Loxha” në lagjen “Dodona” ka kohë që është plasaritur. Gjatë orëve të zjarrit ka tymuar gjithandej. Zjarrfikësit janë detyruar që të thyejnë një derë të katit të dytë në mënyrë që të intervenojnë edhe nga ajo pjesë. E gjithandej shihen edhe kova nëpërmjet të të cilave mblidhet uji që rrjedh nga çatia.

“Ne zjarrin e kemi nën kontroll. Por është një oxhak më i vështirë se të tjerët”, ka thënë Ymri Ukelli, zëvendësshef i ndërresës në pikën e zjarrfikësve në “Kodrën e Trimave”.

Sipas tij, oxhaku do të ngelet i papërdorshëm. E dëmtimet e radhës kanë bërë që Fatmire Hyniler me të bijën të kenë frikë për të jetuar në monumentin që numëron katër pronarë. Ajo ka thënë se ka vite që ndihen të rrezikuara.

“Secili që e sheh këtë shtëpi e ka parasysh se në çfarë gjendjeje jetojmë. Tash si ka mundësi që unë dhe vajza të vazhdojmë të qëndrojmë këtu?”, ka thënë ajo.

Në tetor të vitit të kaluar kishte kërkuar nga Ministria e Kulturës që shtëpia me arkitekturë qytetare të largohej nga Lista e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme. Kërkesa e saj nuk ishte aprovuar. Në vitet 2015 dhe 2016, MKRS-ja kishte paraparë nga 100 mijë euro buxhet për konservimin e restaurimin e Shtëpisë së Hynilerëve. Por Hyniler kishte kërkuar që t’i blihej prona me arsyetimin se katër bashkëpronarë nuk mund të jetojnë aty dhe se shteti duhet t’u bëjë zgjidhje.

“Dy opsione janë: ta marrin shtëpinë ose të më bëjnë zgjidhje për të jetuar në të”, ka thënë ajo të enjten. Vazhdimisht ka përsëritur se nëse shteti vlerëson se bëhet fjalë për një monument me vlera të mëdha, atëherë duhet ta blejë atë. “Nuk mund të jetohet kësisoj e nuk bën të na mbajnë peng”, ka thënë ajo. Në mbrëmjen e së enjtes zyrtarë të Ministrisë së Kulturës e të Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore kanë dalë në vendin e ngjarjes./koha