
Fisniku i kinemasë
Nga Lutfi Dervishi
Piro Milkani ishte një nga ata njerëz të rrallë, që sa më shumë ta njihje, aq më shumë të rritej respekti. Një njeri për të cilin është vështirë, gati e pamundur, të dëgjosh një fjalë të keqe, jo pse jetojmë në një vend ku njerezit ia përtojnë fjalës, por sepse ai vetë nuk i dha kurrë askujt asnjë arsye për fjalë të tilla.
Ndryshe nga shumë “emra të mëdhenj”, Piroja nuk ngjalli frikë, nuk la pas tensione apo hije egoje. Ai u shua ashtu siç jetoi: me thjeshtësi, me urtësi, me hijeshi. Në vend të zhurmës, la kujtime të bukura vepra që do t’i rezistojnë kohës.
Ata që e kanë njohur nga afër flasin për një njeri që frymëzonte jo vetëm me artin, por edhe me praninë. “Filmat e tu janë të bukur, por ti Piro i tregon edhe më bukur,” i tha dikur një skenarist i ri, dhe në atë fjali kishte një të vërtetë të madhe: Piro Milkani ishte një tregimtar që nuk lodhej duke dhënë nga vetja.
Me largimin e tij, nis dhe mbyllet një kapitull i një Shqipërie që nuk është më: ato pak njerëz që ishin jo vetem profesionistë në punë, por dhe fisnik në marrëdhënie njerëzore.
Ngushëllime të ndjera familjes, miqve, kolegëve, nxënësve dhe të gjithë atyre që patën fatin të ndanin kohë me një njeri që ishte njëherësh artist i popullit dhe aristokrat i shpirtit. Kujtimi i tij do të jetojë gjatë ashtu si filmat e tij, që nuk i fshin dot koha.
ObserverKult

Lexo edhe:
FLET DJALI I REGJISORIT TË SHQUAR, PIRO MILKANI/ ENO MILKANI: I KËRKOVA DOKTORËVE TË MOS VUANTE…






