Pirro Çako: Ruaju, se vajzat i vret bukuria vet (teksti dhe kënga)

Një ditë do ti marrësh stinët ti në gji
dhe do të kërkosh më kot gjethet e rëna,
s’do të kesh më as flokë ere, dhe as më shikim ylberi,
shtigjeve harruar veten do të kërkosh

Një ditë do të shpalosësh vitet që të shkuan,
dhe do të numërosh agimet e penduar,
por s’do të kesh më zjarr në buzë,
dhe as lotë që qeshin ngrohtë,
të mahnisesh djemtë, ti si dikur.

Një ditë do ti hash ti buzët e tua
gjurmët një nga një do ti pështysh të gjitha vetë
e do ta braktisësh ti dhe hijen tënde
ruaju, se vajzat i vret bukuria vet.

Dhe secilën ditë ti do ta pagëzosh,
me nga një pendim që dhemb deri në kockë,
po atëherë s’do kesh sy deti,
e s’do të jesh më si sorkadhe,
edhe gonxhet ty do të perqeshin.