Pjerin Ndreka: Shkruej mos me harrue…

pjerin ndreka

Në rubrikën Personale, mysafir yni është shkrimtari Pjerin Ndreka:

Si ndodhi takimi i parë me letërsinë?

-Në 8 vjeçare kam pasë dy mësues të jashtëzakonshëm letërsie, zotnijtë Enver Draçini dhe Rudolf Kakarriqi. Në klasën e pestë filluen t’u pëlqejnë hartimet e mia dhe më jepnin gjithmonë notën 10. Mësues Enveri i propozoi mësues Rudolfit të më aktivizonte në grupin artistik të shkollës si recitues dhe konferencier.
Mësues Rudi më dha nji libër Lexim Letrar të klasave ma të nalta e më tha të mësoja përmendësh poezinë e Pashko Vasës “O moj Shqypni”. Nuk ia mbaj në mend titullin taman, por më pëlqeu aq shumë sa fillova të lexoj edhe poezitë tjera që ishin në at libër. Qysh at’herë u bana frekuentues i apasionuem i bibliotekës së shkollës por edhe i bibliotekës së Shtëpisë së Kulturës, ku për fat punuen njeni mbas tjetrit shkrimtarët Sandër Gera dhe ma vonë Frederik Rreshpja.


Kur ratë në grackën e saj?

-Ndoshta pikrisht at’herë kur u njofta me dy shkrimtarët e masipërm.

Kur nisët të ndiheshit shkrimtar?

-Ndoshta në vetvedi kur botova poezinë e parë në gazetën Besa të Shoqatës atdhetare Kosova në Shkodër në vjetin 1992. Kjo gazetë drejtohej prej mikut tem, gazetarit e shkrimtarit Nikolla Spathari.


A ia keni shtruar ende vehtes at’ pvetjen “Pse shkruej?”

-Po. Dhe a e dini si m’u përgjigj?
-Shkruej mos me harrue.

Çka ju ban të veçantë si shkrimtar?

-Sinqerisht, nuk e di. Por ndoshta tu kenë nji aktor i munguem, mundohem me i dhanë ritëm e muzikalitet vargut në mnyrë që të recitohet e të lexohet ma mirë. Në kjoftë se ia kam mbrrijtë, mund të jetë kjo përgjigja e saktë. Fillimisht deshta me thanë gegnishtja, por gegnisht shkruejnë edhe shumë të tjerë.

Çka keni thanë në shkrimet tueja?

-Çka m’ka shty muza me thanë.

Por çka ju ka mbetë ende pa thanë?

-Shumë. S’kam fillue ende me shkrue për jetën teme.


I besoni muzës apo përvuejtnisë së punës së parreshtun?

-Deri tesh i kam besue muzës,për vetë faktin që jeta në emigracion nuk më ka dhanë kohë me lexue e me studiue ashtu si do të kisha dashtë.Shpresoj që me daljen në pension t’i kem kto mundsi e kohën me studiue e me punue(lexue e shkrue) ma shumë në mnyrë që të shprehem ma bukur e ma thjeshtë e t’ia çoj lexuesit ato që kam në mend.

Sa jeni sistematik në të shkruar?

-Hiç e kjo asht njena ndër të metat e mia, por ndoshta mund të justifikohem me mungesën e kohës.


Sikur të fillonit nga e para, a do të baheshit sërish shkrimtar?

-Sikur të filloja nga e para, fillimisht do të provoja aktrimin dhe muzikën, që i kam pasë andërr, por …po do të bahesha shkrimtar.

ObserverKult

Lexo edhe:


PJERIN NDREKA: KUNORË PUTHJESH