Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi tenorin e famshëm botëror, Plácido Domingo Embil me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”. “Në nderim dhe mirënjohje ndaj tenorit të jashtëzakonshëm me famë ndërkombëtare. I cili ka shkëlqyer me interpretimet e tij virtuoze në skenat operistike të mbarë botës.
Me përulje të thellë për shembullin frymëzues, fisnik dhe artistik, duke na nderuar me praninë dhe interpretimin e tij të paharrueshëm në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës së Baletit dhe Ansamblit Popullor shqiptar.”
Në fjalën e tij përshëndetëse drejtuar maestro Domingos, artistëve dhe personaliteteve të artit dhe muzikës të pranishëm në ceremoninë e dekorimit, Presidenti Meta u shpreh:
“Ceremonia e sotme është një event i veçantë, pasi i kushtohet një prej personaliteteve më të shquara ndërkombëtarisht. Një prej ikonave të gjalla të artit dhe muzikës botërore, tenorit të njohur Plácido Domingo.
Platoni ka thënë: “Muzika i jep shpirt universit, i jep krahë mendjes, i jep fluturim imagjinatës dhe i jep jetë gjithçkaje.”
Maestro Domingo e ka përcjellë këtë atribut dhe mision të muzikës. Jo vetëm në skenat më prestigjioze të botës, por edhe për miliona e miliona artdashës anë e mbanë globit.
Publiku është pjesë e jetës sime reale
‘Publiku është pjesë e jetës sime reale. Atmosfera e teatrit është oksigjeni im.’ – ka thënë maestro Domingo. Dhe ky njehsim kaq i fortë midis jetës dhe muzikës është shijuar edhe nga artdashësit shqiptarë. Duke admiruar performancat e tij sublime dhe duke u mahnitur me zërin e tij të jashtëzakonshëm.
Ky artist i përmasave të tilla ka shërbyer edhe si frymëzim për sopranot dhe tenorët shqiptarë. Të cilët kanë nderuar dhe e nderojnë vendin tonë me suksesin e tyre botëror. Si Inva Mula, Ermonela Jaho, Saimir Pirgu, e shumë të tjerë. Me të cilët maestro Plácido Domingo ka bashkëpunuar ngushtësisht.
Gjashtëdhjetë vite karrierë si tenor
I mahnitshmi Plácido Domingo edhe pas gjashtëdhjetë viteve karriere si tenor. Me një repertor prej më shumë se 150 rolesh e mbi 4 mijë shfaqjesh, si një artist i shumanshëm me ndikim të madh në historinë e operës. Një dirigjent i mbi 500 veprave dhe administrator operistik i shkëlqyer, vazhdon edhe sot të përçojë mrekullinë e zërit të tij tek artdashësit në mbarë botën.
Ishte një privilegj i veçantë ta kishim këtë ikonë të muzikën edhe në skenën shqiptare e të ndiqej nga afër prej artdashësve tanë.
Është privilegj i veçantë edhe për mua si Presidenti i Republikës që të vlerësoj sot një figurë kaq madhore dhe të rëndësishme të muzikës dhe operës botërore. Duke i akorduar atij Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”.
“Nuk mund të gjenim një Titull më të mirë vlerësimi, që mban emrin e Heroit tonë Kombëtar. I cili vazhdon edhe pas kaq shekujsh të jetë frymëzim për rrugën evropiane të Shqipërisë”, përfundoi Meta./ATSH
LEXO EDHE: Placido Domingo dhe Ermonela Jaho shkëlqejnë në skenën e re të Teatrit të Operas dhe Baletit