Teatrot e kinematë mbesin të mbyllura, thellohet kriza nga pandemia

Ishte paralajmëruar si një premierë e mbyllur. Anëtarët e Këshillit Drejtues dhe nja dy a tre anëtarë të komunitetit artistik llogariteshin të jenë audienca e shfaqjes “Zgjimi i pranverës” me tekst të gjermanit Frank Wedekind nën regji të Zana Hoxhës. Por, të premten e javës së kaluar, kur është dhënë premiera, shifra e shikuesve është shumëfishuar. Megjithëse nuk janë shitur bileta, menaxhmenti i Teatrit Kombëtar të Kosovës llogarit të ketë qenë rreth 140 veta. E sipas Qeverisë, teatrot nuk janë të hapura për publik.

Ministria e Shëndetësisë nuk ka kurrfarë afati se kur do të mund të hapeshin teatrot dhe kinematë. Përderisa në këto dy kategori është thelluar kriza shkaku i pezullimit të aktiviteteve qysh nga 13 marsi, institucioni më i lartë shëndetësor bashkë me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike po i konsideron si hapësira me potencial të lartë të shpërndarjes së infeksionit. Ishte paraparë që teatrot dhe kinematë të hapeshin më 1 qershor, gati dy javë pas hapjes së galerive dhe muzeve. Por gjërat kishin ndryshuar. Institucionet shëndetësore vazhdojnë të mos llogarisin në ndonjë afat për hapjen e teatrove e kinemave.

“Do të veprojmë sipas rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike. Ende nuk ka ndonjë rekomandim për hapjen e teatrove dhe kinemave”, ka thënë ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, të martën mbrëma.

Defrim Puka është menaxher i marketingut dhe komunikimit në “Cineplexx”. Ai ka treguar se fillimi i këtij viti ishte shumë më i mirë sesa vitet e kaluara në raport me numrin e publikut. Llogarisin që sivjet të thyejnë rekorde të shikueshmërisë. Tash, sipas tij, pas dëmeve që u ka shkaktuar pandemia janë në pritje të vendimit për hapjen e kinemave.

“Ne vetëm jemi duke pritur leje prej Ministrisë së Shëndetësisë që ta nisim punën. Në momentin që ata na japin leje, ne për 3 ose 4 dite bëhemi gati edhe e hapim kinemanë”, ka thënë ai, transmeton ‘koha.net’.

Erson Zymberi, që është drejtor i Teatrit të Gjilanit, ishte ndër më të zëshmit në reagime pas lajmit se teatrot nuk do të hapen më 1 qershor. E konsideronte të pakuptimtë hapjen e objekteve fetare e qendrave tregtare dhe jo atë të teatrove.

Ai ka thënë se ende nuk kanë ndonjë informacion dhe as nuk janë kontaktuar nga organet përgjegjëse sa i përket mënyrës, kohës apo datës potenciale për hapjen e teatrove.

“Kjo është edhe e pakuptimtë, sepse komunikimi me gjithë teatrot do të duhej të jetë i rëndësishëm për të gjithë, ngase duke mos pasur informacione të nevojshme përkitazi me çështjen e hapjes apo jo të teatrove neve realisht na vështirësohet mandej edhe përgatitja dhe na krijohen vonesa të paarsyeshme…”, ka thënë ai. Sipas tij, në rast të hapjes do të duhej që rekomandimet e institucioneve shëndetësore të dilnin nga një proces i vendimmarrjes së përbashkët.

“Andaj, konsideroj që kjo ‘heshtje’ karshi teatrove është në fakt shqetësuese dhe e pakuptimtë krahasuar me vendimin e mëhershëm për hapjen e objekteve fetare”, ka thënë Zymberi.

Aktori Adrian Morina, i cili është ushtrues detyre i udhëheqësit artistik të Teatrit Kombëtar të Kosovës, ka thënë se Qeveria i ka obliguar punonjësit që të dalin në punë, por jo edhe hapjen e Teatrit.