“Po hyre ti në ambasadë unë do mbyllem në shpellë’, debatet e Dritëro Agollit me të birin në ’90. Çfarë ndodhi në takimin me Ramiz Alinë…

Kush më mirë se shoqja e tij e zemrës, mund t’ia njihte sekretet Dritëro Agollit. Ndodhte që Sadija ia rrëfente lexuesit të fshehtat e shkrimtarit në botimet e tij, për të cilat ajo vetë kujdesej t’i daktilografonte.

E për rrjedhojë, zonja e mirë, ishte lexuesja e kritikja e tij e parë. Në “Teshtimat e lirisë”, librin e Dritëroit për njeriun, kulturën e politikën, botuar në një vit të trazuar për Shqipërinë, siç që ’97-ta, ish-gazetarja e dashur e “Skenës dhe ekranit” zgjedh të tregojë se ç’ndodhte brenda familjes së tyre në fillimet e viteve ’90.

Si ishte kthyer për Dritëroin, të shkruarit, në një element të domosdoshëm jetese, ritualet e tij, shënimet nëpër xhepa e mbi të gjitha nxitja e fëmijëve, Elonës dhe Artanit, që shkrimtari të ngrihej kundër udhëheqësve të PPSH-së. Verës së ’90-ës, i shtohet për çiftin një tjetër shqetësim, kur djali i tyre i vetëm, kërkon që bashkë me shokët të hyj në Ambasada. Fjalët e të atit do ta pengojnë përkohësisht Artanin, edhe pse kjo s’do ndikonte për mirë te djaloshi.

Nga ana tjetër, Dritëroi ishte në qendër të vëmendjes, gjithmonë i survejuar, e në momente të caktuara, siç bashkëshortja rrëfen, s’kanë munguar as kërcënimet. Ajo sjell në vëmendje takimin e shkrimtarit me Ramiz Alinë, para Kongresit të dhjetë të PPSH-së. Guximin e Agollit për të folur haptazi, frika e familjarëve për arrestimin e mundshëm të tij, e atë lloj çlirimi që e bënte shkrimtarin të shfaqej gati “i budallallepsur” në sytë e Sadijes së tij.

SADIJE AGOLLI

(6 shtator 1997, nga Përmbledhja Publicistike “Teshtimat e Lirisë” e Dritëro Agollit)

Gjatë këtyre shtatë vjetëve, rrallë e kam parë Dritëroin pa një letër të bardhë mbi tryezë. Si mjeshtri që zgjedh veglat e punës, ai zgjedh mes stilolapsave dhe stilografëve atë që shkruan më mirë. Dhe stilolapsa e stilografë ka shumë. Ka një kuti të madhe të mbyllur në sirtarin me kyç në studio, ku mban gjërat e tij personale më intime. Dhe këta stilolapsa e stilografë janë bërë pjesë e qenies, e trupit dhe e shpirtit të tij.

Në çdo librari a kinkaleri që hyn, qoftë në Shqipëri, qoftë jashtë shtetit, nuk del pa blerë stilolapsa dhe stilografë dhe tani është mbushur kjo kuti e “çmueshme” e tij me lloj-lloj markash të vendeve të ndryshme. Ai e vë mbi tryezë dhe zgjedh mes tyre atë që mendon se do të shkruajë më lehtë, më qartë e më pastër, pasi i janë lodhur damarët e dorës së djathtë, i është lodhur krahu i djathtë dhe supi i djathtë i është përkulur më shumë. Dora i dridhet më shumë dhe ai bëhet njësh me tryezën, mbështetet fort duke shkruar herë me shkrim të imtë, si kurnac letre, e herë me shkronja të mëdha.

Përpara se të ulet të shkruajë, vërtitet nëpër shtëpi, ujit me shishe specat djegës që rrit në dy vazo në ballkon, lexon ndonjë enciklopedi, e sjell nëpër duar, murmurit nëpër dhëmbë, u thotë fëmijëve, vajzës, djalit dhe mua: “përse nuk ikni të flini?!” Do që të mbetet vetëm me tryezën, letrat dhe televizorin e ndezur deri në mëngjes. Madje për këtë tryezë, ai ka shkruar një poezi që është botuar në librin “Pelegrini i vonuar”:

Unë dhe tryeza jemi njëlloj me pagjumësinë,
Edhe kur flemë s’e kemi gjumin e rëndë,
Vetëm se unë fle në krah a në shpinë,
Kurse tryeza në këmbë.
Po tryeza në hallet e mia s’merr pjesë,
Veçse qëndron mbi këmbët e drejta e ftohtë, e llakuar
Dhe natyrisht nuk jep as zemër as shpresë,
Kur unë mbi të mërzitur marr kokën në duar.

Kur e dëgjojmë të lutet për ta lënë vetëm, të gjithë shpërn-dahemi në heshtje pa i thënë as “natën e mirë”, pasi Dritëroi nuk do të flerë.

Gjatë këtyre shtatë vjetëve, ai ka botuar 12 libra: romanin “Dështaku”, 1991; vëllimin poetik “Pelegrini i vonuar”, 1993; vëllimin me fabula “Çudira dhe marrëzi”, 1994; vëllimin poetik “Lypësi i kohës”, 1995; vëllimin me tregime të mrekullueshme “Njerëz të krisur”, 1995; romanin “Kalorësi lakuriq”, 1996; vëllimin poetik “Vjen njeriu i çu-ditshëm”, 1996; vëllimin me poezi të zgjedhura popullore “Shpirti i gjyshërve”, 1996; romanin “Arka e djallit” 1997; poemën “Baladë për tim atë dhe për vete”, 1997; librin me publicistikë “Teshtimat e lirisë”, 1997.

Dhe për të arritur në të gjitha këto botime në shtatë vjet, Dritëroi shkruante vazhdimisht dhe kudo ku ndodhej. Nuk dilte me muaj nga shtëpia. Mbaj mend, se kur shkroi librin me poezi “Pelegrini i vonuar”, qëndroi tre muaj pa dalë nga porta. Shkruante poezi, i prishte vargjet, shkruante të tjera, ndërsa në mesnatë i recitonte dhe i incizonte në magnetofon. Kjo kasetë magnetofoni fatkeqë-sisht humbi nga një djalë i pakujdesshëm. Ia dërguam atë Artanit, djalit tonë, kur ishte në Gjermani si refugjat në muajin mars të 1994, me rastin e 25-vjetorit të tij. Por nuk i ra në dorë, pasi ai që ia dhamë, nuk ia dërgoi. Ndofta nga pakujdesia, ndofta i ishte bashkuar me ato të tijat, ndofta ndonjë ditë kjo kasetë me recitimet origjinale të Dritëroit do të dalë…

Copëra letrash me shënime, me vargje, me këngë popullore, me aforizma, me ndonjë datë i gjej në xhepat e këmishës, të pan-tallonave dhe xhaketave dhe më duhet t’ia kontrolloj vazhdimisht përpara se t’i hedh në govatë për t’i larë. Këto copëra letrash i shkruan në Parlament, në kafene, në ndonjë drekë a darkë, ku ulet me shokë e miq për të pirë ndonjë gotë. Madje, disa herë i kam gjetur dhe kuti shkrepësesh të shkarravitura, që vetëm ai di t’i deshifrojë. Këto shënime i hedh në letër të bardhë për t’i shfrytëzuar në shkrimet e tij.

Unë do të përpiqem të kujtoj vetëm disa ngjarje që kanë lidhje me publicistikën, pra do t’i ndaj kujtimet në disa “ngastra”, që të jap disa sekrete nga puna e Dritëroit.

…Ishte fundi i muajit qershor dhe fillimi i muajit korrik 1990, koha kur të rinjtë, më së shumti, sulmuan dhe u futën në am-basada. Vija re se te djali ynë vinin shumë shokë. Shkonin në dhomë e bisedonin. Dilnin në heshtje e pa zhurmë si ilegalë. Pas 2-3 ditëve mora vesh se dy shokë të tij hynë në Ambasadën Turke nga muret e lartë. Djali nuk fliste, por qëndronte në dhomën e vet. Një si gjendje amoku na kishte përfshirë të gjithëve. Sa shkonim nëpër punët tona të përditshme, sa paraqiteshim atje dhe vraponim në shkollat ku i kishim fëmijët, në shtëpi. Qën-dronim me frikë, secili nga ne, se mos fëmijët tanë futeshin nëpër ambasada. Mbaj mend se shoku im, Ndoc Gjetja, kryeredaktor i revistës “Skena dhe ekrani”, me të cilin punonim së bashku, shkonte para Ambasadës Gjermane dhe kontrollonte për të birin. Të gjithë ecnim, vraponim nëpër rrugë si të hutuar.

Në një nga këto ditë kur u ktheva nga puna, mbi tryezë gjeta librezën ushtarake të Artanit. Pas pak u duk edhe ai në kuzhinë. Në fytyrë ishte tmerrësisht i zbehtë: – Mami, gjithë shokët e mi kanë hyrë në ambasada. Edhe unë do të iki me shokët. Të shko-jmë e të punojmë jashtë, se këtu nuk ke çfarë të bësh. – Ti Artan je i rritur dhe tani mund të vendosësh vetë, por duhet të kesh parasysh këto dy gjëra: yt atë i ka kënduar kaq vjet Shqipërisë, do të thonë çfarë djali paska rritur Dritëroi kur nuk e ka edukuar me dashurinë për vendin? Kur të shohin në ambasadë, disa do të thonë: Çfarë do djali i komunistit këtu në mes nesh. Këta kanë qenë të privilegjuar. Ndonjë tjetër do të thotë: e ka futur sigurimi si provokator e do të të rrahin. Atje ka llojelloje, të mirë e të këqij, të ndershëm e të pandershëm.

Pasi erdhi dhe Dritëroi nga zyra i tregova ngjarjen. Ishte hera e parë që po flitej seriozisht, haptazi me fëmijët. Gjithmonë për probleme politike flisnim me të në dhomën e gjumit, por tronditja e shoqërisë shqiptare filloi nga familjet dhe u përhap në rrugë, në sheshe e u përqendrua nëpër ambasada. Kjo u gjet si rrugëzgjidhje e të rinjve tanë.

Dritëroi u ul në karrige, uli dhe të birin dhe i tha shkurt: “Në qoftë se ti do të hysh në ambasadë, atëherë unë do të gjej një shpellë dhe nuk do të dal prej andej, se do të më vijë turp për vete dhe për ty. Ti bëj si të duash. Nuk është kjo demokracia.
Çfarë demokracie do të bëjmë ne, po të arratisemi të gjithë?!”
Djali ynë iku në dhomë dhe vetëm flinte. Kur pyeta doktor Hysen Baboçin, ai më këshilloi:
– Djali është në gjendje depresive, prandaj në qoftë se keni mundësi, largojeni nga Tirana.

Ngjarjet pasuan njëra-tjetrën. Njëra më dramatike se tjetra. Bëheshin mbledhje. Studentët u ngritën në demonstrata, punë-torët u bashkuan me studentët, minatorët hynë në grevë urie. Dritëroi në këtë kohë ishte mbyllur në vetvete, u dilte në krah punëtorëve, minatorëve e studentëve, të cilët sillnin disa herë peticione të firmosura. Bile ai shkoi në grevën e minatorëve dhe u bashkua me kërkesat e tyre.

Në shtëpi fëmijët bënin presion, duke i thënë të atit se duhej të ngrihej në mbledhje kundër udhëheqësve të PPShsë të asaj kohe. Dritëroi nuk u kthente përgjigje. Ai vetë po organizonte mbledhje pas mbledhjeje në Lidhjen e Shkrimtarëve, shkruante, botonte artikuj në përkrahje të së resë që po lindte (Këta artikuj dhe diskutime nuk janë përmbledhur në këtë botim, pasi Dritëroi nuk pat filluar t’i ruante e t’i sistemonte. Ndofta ndonjë ditë do të botohen).

E rëndësishme është të thuhet se gjithë këto ngjarje për-gatitën diskutimin e tij në Kongresin e dhjetë të PPSH, ku ai doli haptazi me mendime për sistemin e socializmit real, për Enver Hoxhën dhe totalitarizmin. Përpara mbajtjes së këtij kongresi, Dritëroin e kishte thirrur Ramiz Alia për të diskutuar rreth prob-lemeve që do të ngriheshin në këtë Kongres, siç kishte thirrur veçmas dhe disa intelektualë të tjerë.

Dritëroi kishte folur haptazi me të afërsisht për ato probleme që do të ngrinte më vonë më të plota e më analitike. Kur më tregoi për bisedën me Ramiz Alinë, e pyeta: – Ku u ulët? Te cila tryezë, te tryeza e punës apo ajo e rrethuar me kolltukë? – Kisha dëgjuar se te tryeza e punës kishte të instaluar magnetofon dhe mund të incizohej. – Te tryeza e punës, – më tha Dritëroi. – Të kanë regjistruar bisedën, – i thashë unë me një ndjenjë frike. – Tani të bëjnë çfarë të duan. Duhet ta themi të plotë të vërtetën. Po të jenë të mençur, do të më kuptojnë, po të jenë budallenj le të vazhdojnë, që nesër t’i heqin me forcë nga kolltukët e tyre.

Ai shkoi në ditën e parë të Kongresit të dhjetë, ndërsa pas-dreke nuk vajti. Kur u kthye, më tha: – Mos më thirr për asnjë që mund të vijë ose që më kërkon në telefon. Do të shkruaj. – Dhe u mbyll në studio. Atë natë nuk fjetëm asnjë orë. Ai shkruante, ndërsa unë daktilografoja. Dhe kështu vazhduam për shtatë vjet. Ai shkruaj, unë daktilografo, pasi Dritëroi gjithnjë i linte shkrimet apo diskutimet për natën e fundit, atëherë “kur të vjen veza për të dalë”. Drita e mëngjesit më gjeti duke daktilografuar, ndërsa Dritëroi u rrua, u la, u vesh me kostumin terital të mbledhjeve dhe shkoi në Kongres pa fjetur asnjë orë gjumë. Në shtëpi, ne prisnim çdo të ndodhte. Na vinin fjalë të ndryshme. Ndërsa ai erdhi i lodhur, qeshte ndonjëherë si budalla dhe pastaj ra në gjumë. “E stakoi trurin”, thashë me vete. Dhe Dritëroi ka pasur gjënë më të çmueshme: pas një lodhjeje të madhe, ai flinte gjithë pasdreken deri në mesnatë dhe kështu kompensonte me gjumë gjithë stresin. Duket ky gjumë ka bërë që truri i tij të mos atrofizohej, të mos mplakej.

Në mesnatë, kur u ngrit nga gjumi, më pyeti:

– Hë, si e dhanë në televizor? E patë si më sulmuan nga të gjitha anët?

– Dhe qeshte.

– Si budallenj. Më kujtuan dhe martesën. Sa të marrë ka kjo botë. Po Ramizi, si e kishte ulur kokën?

Në mëngjes nën derë kishin hedhur një letër me kërcënime dhe me sharje. Në cep të pallatit vërtitej një polic. Unë e shikoja nga ballkoni dhe mendoja se tim shoq do ta arrestonin. Por asgjë nuk ndodhi. Zëvendësministri në Ministrinë e Brendshme i asaj kohe e lajmëroi Dritëroin se i kishin vënë një roje, pasi enveristët kishin dërguar letra me kërcënime dhe atje. Dhe roje i kishin vënë edhe Azem Hajdarit dhe Sali Berishës. Këtu, mendoj, se qëndronte serioziteti dhe ruajtja e jetës së njeriut të asaj periudhe tranzicioni, e cila ishte shumë më e vështirë, më e rrezikshme, se sa e viteve të mëvonshme./panorama.com.al