Nënë Tereza shikon portretin e Enverit dhe pyet: “Po ky burrë kush është?”

Vakti që u shtrua për të në shtëpi nga Nexhmija ishte i pasur dhe i larmishëm, i përgatitur nga kuzhinieri i familjes, Miço Madhi, i cili i gatuante Enverit. Menyja ishte e  zgjedhur me finesë, me specialitete, e kombinuar me gjellë karakteristike shqiptare, e porositur nën kujdesin e veçantë  të drejtpërdrejtë të Nexhmijes. Por bamirësja e shquar thuajse nuk hëngri e nuk preku asgjë me dorë.

Isuf Kahlo rrëfen ndejën e skletshme:

Lutjeve insistuese të së zonjës së shtëpisë për të provuar diçka, ajo iu përgjigj me falënderime, por në fund tha se do të ishte e lumtur nëse gjithë ato ushqime që mbetën të paprekura do t’ia mbështillnin që t’i merrte me vete për t’ua dhënë të varfërve të uritur. Një kërkesë e tillë tingëlloi si provokim, por nuk ishte e tillë. Ajo e kishte bërë edhe në pritje ceremoniale të tjera ku ishte e ftuar.

Por e shqiptuar në atë  tryezë të pasur dhe në atë mjedis relativisht luksoz, që kontrastonin dukshëm me ata të njerëzve të tjerë, që Nënë Tereza pati takuar në Shqipëri, mos ishte vallë ky mesazh elegant qortimi ndaj mirëpritëses së saj për pabarazinë dhe njëkohësisht një farë apeli për të kthyer më shumë sytë, vëmendjen dhe zemrën te të varfrit e të vuajturit në vendin tonë?  Mëshirëmadhja nuk mbante mëri.

Ajo madje nuk ngurroi që, gjatë asaj vizite në Shqipëri, t’i vendoste një tufë me  lule mbi varr edhe Enver Hoxhës, pavarësisht se si ishte sjellë ai me të. Ishte ky mesazhi i saj i faljes, i paqes, i pajtimit të njeriut me njeriun. Por Nexhmija do të mbetej një çast e befasuar, madje e pezmatuar kur Nënë Tereza, kur hyri në dhomën e pritjes dhe pa një portret të madh, vendosur mbi oxhak, pyeti, natyrshëm apo qëllimisht, e shkujdesur: “Kush është ai burrë aty?”.

“Është im shoq, Enveri”, iu përgjigj menjëherë  Nexhmija, e skuqur e thuajse e skandalizuar nga ajo pyetje, e cila po të ishte bërë nga një person tjetër, ose në  rrethana të tjera, do të ishte shndërruar padyshim në një “incident e provokacion të qëllimshëm armiqësor”. Enveri do të ketë lëvizur atë çast nga fotografia i  zëmëruar prej injorimit, por krejt i pafuqishëm për të reaguar. Të dyja këto gra shqiptare të shquara e të moshuara, që po përpiqeshin të nderonin njëra-tjetrën, kishin të  përbashkëta, por dhe gjëra që dallonin. Atë që Nexhmija pati ndier te vetja si të ngjashme me Nënë Terezën, e pati shprehur në një intervistë dhënë televizionit francez “Planet Plus” për dokumentarin “Gratë e diktatorëve”, që ata po xhironin.

“Atë që Nënë Tereza bëri për Indinë, unë e bëra për Shqipërinë”, tha aty me krenari ajo. Por më vonë, në një intervistë të vitit 2010, kur do të kujtonte takimin me Nënë Terezën në Tiranë dhe pati lexuar librin  autobiografik të bamirëses së madhe, Nexhmija do të pra nonte tjetër gjë: “Nuk e kam për turp të them që megjithëse  jam komuniste dhe mendoj se jam e tillë, e vendosur, unë nuk bëj dot atë që bënte Nënë Tereza.

Kam nderimin më të madh për të si njeri. Ajo meritonte respekt dhe është shumë  më humaniste se ne dhe nderohet si e tillë”, pranoi ajo me përulësi. Nexhmija e pranoi kështu humbjen me bamirësen e famshme në garën e humanizmit. Kur vallë e pati humbur së  pari atë “garë”?

Kur dështoi ideologjia që ajo kish përqafuar në rininë e hershme? A nuk e pati fillimisht ajo  humanizmin flamur, premtim dhe qëllim të jetës në militantizmin e saj? Apo qenë ashpërsia e pushtetit dhe e  keqpërdorimit të tij ato që e penguan ta mëshironte hu- manizmin ashtu siç ajo e pati ëndërruar? Është pak e besueshme që Nexhmija, komuniste, ta vlerësonte bamirësinë individuale ndaj të varfërve dhe të sëmurëve si një akt  të admirueshëm dhe zgjidhje kundrejt pabarazisë sociale.

Për të kjo ishte ideologjikisht e papranueshme. Aq më pak e besueshme do të ishte që ajo ta respektonte e t’i shprehte admirim të sinqertë Nënë Terezës, e cila pati bërë akte të panumërta bamirësie në Indi dhe në botë, por realisht asnjë të tillë ndaj të varfërve dhe të sëmurëve shqiptarë.

Atëherë, prej nga buronte ajo ngrohtësi dhe ëmbëlsi e pazakontë e bisedës mes këtyre dy grave shqiptare nammëdha? Nga admirimi i natyrshëm reciprok njerëzor? Ishte pritje dhe bisedë diplomatike? Apo ndonjë ndjenjë a shtysë tjetër e mistershme që nuk u mësua kurrë? Që Nexhmija, si grua dhe femër, nuk kishte sensibilitet e as vlerësim admirativ për bamirësinë nga individët, kjo ilustrohej me injorimin  dhe mosmirënjohjen e treguar nga regjimi komunist ndaj bamirësive mbresëlënëse të kryera nga një grua e huaj  dhe të afërmit e saj, në të mirë të Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Fjala është për konteshën angleze, Ledy Elisabeth Carnarvon, gruan e lordit Henry Hoëard Herbet Carnarvon,  e cila edhi në Shqipëri në vitin 1923, fill pasi i vdiq i biri, Aubrey Herbert.

Ky kish qenë mik e mbështes i madh i shqiptarëve. Ai kishte nxitur procesin e shpalljes së pavarësisë sonë, ndihmuar e strehuar Isa Buletinin gjatë vizitës  së tij në Angli, kish qenë nismëtar i shoqatës së parë angleze, e cila do të mbështeste Shqipërinë në vitin 1912, si  dhe ndihmës e organizator aktiv i Kongresit të Lushnjës në vitin 1920. Elisabeth Carnarvon erdhi në Shqipëri për të vazhduar veprën humanitare e bamirëse të djalit të saj të vdekur.

Erdhi vullnetarisht, me dëshirën saj, që t’ua zbuste sadopak varfërinë dhe vuajtjet nga sëmundjet shqiptarëve. Ajo krijoi fondacionin “Herbert”, që solli te ne infermiere  të specializuara në psikiatri, krijoi një qendër shëndetë- sore kundër malaries, mblodhi dhe investoi fonde për emancipimin arsimor kulturor e shëndetësor. Në vitin 1927, falë  lidhjeve në SHBA, pruri në Shqipëri fondacionin “Rokfeler”, i cili solli këtu disa mjekë specialistë.

Kontesha Carnarvon ndërtoi shkolla në fshatra dhe pajisi Shkollën Teknike Amerikane me orendi, si dhe pagoi një pjesë të stafit të  shkollës. Ajo ndërtoi me fondet e saj, si dhuratë, një fshat krejt të ri, me 50 shtëpi të reja për emigrantët kosovarë, familjeve të të cilëve u dhuroi secilës nga një lopë të racës Xhersej. Fshati u emërtua Herbert, në nderim e kujtim të të birit, por më vonë, me sa duket, iu ndryshua shqiptimi pak nga pak dhe sot quhet Qerret, pranë Kavajës. Ndonëse e sëmurë, ajo filloi ndërtimin e një biblioteke në Tiranë me 5 000 libra në vendin që njihet si ish-kinema “Ali Demi”, e  cila iu dedikua gjithashtu të birit, Sir Aubrey Herbert. Bib- lioteka, ndër të parat në Shqipëri, u përurua në vitin 1929, nën emrin “Herbert”, pas vdekjes së konteshës Elisabeth Carnarvon, e quajtur “Nëna e Shqiptarëve”.

Ndryshe prej saj, të dyja gratë që po bisedonin dhe drekonin në shtëpinë e Enver Hoxhës ishin shqiptare, të lindura  të dyja në territoret tona përtej kufijve të sotëm të Shqipërisë.  Të dyja që në moshën të re vajzërore, rreth 18 vjeç, të larguara me dëshirë nga shtëpia dhe nga tutela prindërore, për të ndjekur me guxim dhe pasion një ideal, ndonëse jo të njëjtë. Të dyja, kur e nisën me dëshirë dhe vullnet të lirë këtë vetëpërkushtim, nuk patën fillimisht asnjëra synim lavdinë as pasurimin e vetes apo të familjes. Njëra hoqi që në vajzëri mantelin e murgeshës dhe veshi përjetë sarin, pelerinën e bardhë me një shirit blu, si ai i indianeve të varfra, tjetra, së pari, uniformën partizane e më pas, rroba zyrtare të thjeshta, pa teprime dhe pa bizhu.

Por ato ndoqën rrugë, parime dhe metoda të ndryshme nga njëra-tjetra për qëllimet që i vunë vetes në jetë. U bënë të dyja të famshme, por në drejtime të papërputhura. Njëra me autoritet të jashtëzakonshëm shpirtëror, tjetra me merita të luftës dhe me  autoritarizëm partiak, shtetëror e shoqëror. Të dyja besuan në rini se mund të krijonin një botë më të drejtë dhe shoqëri më njerëzore.

Njëra me frymën e Zotit dhe me shembullin dhe devocionin ndaj humanizmit, paqes, altruizmit, mëshirës për të mjerët, të sëmurët e braktisur dhe bujarinë njerëzore, ndarjen e dhurimin vullnetar të pasurisë e të mirëqenies nga më të pasurit te nevojtarët; tjetra me dhunë, me diktaturën e shtetit proletar, përmes rrëmbimit e konfiskimit të pasurisë më të pasurve dhe iluzionit të krijimit  të njeriut të ri, me anë të doktrinimit, propagandës dhe luftës së klasave.

Njëra u martua dhe krijoi vatrën e vet familjare me fëmijë, nipër e mbesa, tjetra nuk u lidh me  asnjë burrë, por krijoi një familje shpirtërore shumëmilionëshe, më të gjerën në botë. Në fund të rrugëtimit të jetës, Nënë Tereza u prit e përcoll me mirënjohje, mori lavde e dekorata të panumërta në mbarë botën, deri në çmimin “Nobel” për paqen. Pati bekimin e idealit që ajo ndoqi e besoi. Ajo u lumturua e së fundmi u shpall nga Papa Françesku shenjtore e re në altarin e përbotshëm të fesë. Tjetra, Nexhmija, u shpërblye edhe ajo, dikur me dekorata e medalje  për kontributet në luftë e punë, madje edhe me titullin “Heroinë e punës socialiste”, por më pas u burgos e përfundoi e mallkuar bashkë me idealet e dikurshme, të dështuara e tashmë të braktisura të Enverit e të asaj vetë. Nënë Tereza mundi të kurojë 960 mijë të sëmurë, nga të cilët 47 mijë lebrozë në 213 dispanseri të reja që ngriti me donacione dhe paratë e çmimit “Nobel”.

Mori nën kujdes 7500 fëmijë të varfër, për të cilët u bë nënë dhe 160 jetimë të birësuar, si dhe 3400 të moshuar të vetmuar, të cilëve u ofroi strehë e përkujdesje në azilet që krijoi. Mbi të gjitha, ajo krijoi një shembull, një model etik të humanizmit pannjerëzor. Prandaj, Nexhmija, pavarësisht se çfarë frazash e sloganesh qe e detyruar t’i thoshte së ftuarës atë ditë dhe  pavarësisht se ia mohoi e ia fshehu asaj ekzistencën e  varfërisë që përjetohej në Shqipëri, brenda vetes kishte arsye që me përulësi ta kundronte Nënë Terezën si fitimtare. Veç kësaj, ky ishte një shans që ajo të merrte shpresë, mbarësi dhe mbrojtje prej frymës e aureolës së shenjtores ndaj  tersit dhe fatkeqësive personale e familjare që parandiente.

Nexhmija, në fakt, atë ditë, bashkë me besimtaren e devotshme, pati ftuar e takuar me dëshirë në shtëpinë e saj dhe të Enverit vetë Zotin, për t’iu gjunjëzuar heshturazi, me pendesë, shpirtërisht ndaj tij. Jo rastësisht, në atë drekë ajo kishte marrë me vete të pranishme edhe, të bijën, Pranverën. Nexhmija duhet të ketë shpresuar se gjatë bisedës, apo së paku kur të ndaheshin, Nënë Tereza, siç e kishte zakon, do t’i uronte të dyja, nënë e bijë, qoftë edhe heshturazi, pa zë, “Ju bekoftë perëndia!”.  Dhe Shenjtorja nuk ia kurseu bekimet. Me zë apo heshturazi, ajo ua dha me shpirt. Kjo u duk në ndikimin që ajo  vizitë e saj la te mikpritësja. Militantja, që përgjithësisht së jashtmi konsiderohej “e fortë”, çuditërisht atë ditë u zbut, si ta kishin magjepsur.

Pas asaj vizite, Nexhmije Hoxha, ndonëse gjithë jetën e saj qe vetëshpallur ateiste, do të deklaronte: “Kam nderimin më të madh për të si njeri që meriton respekt dhe është shumë më humaniste se ne”. Triumf më të madh nuk kishte arritur ndonjëherë feja në Shqipëri, sesa me këto fjalë të shqiptuara në çaste sinqeriteti nga një ateiste elitare në një vend të vetëshpallur armik i përbetuar i saj. Megjithatë, siç rrodhën ngjarjet më pas, duket që as ai bekim nuk mundi ta mbronte atë nga fatkeqësitë e burgut, mjerimi e keqtrajtimi në vitet e fundit të jetës. Ndoshta sepse Zoti ishte zemëruar keq me të! Apo sepse Zoti nuk ishte i bindur se ajo e kishte pranuar sinqerisht në zemrën e saj. A mundej ajo vallë t’i mbante së bashku aty të dy, Zotin  dhe Enverin?

Ndërkaq, mbetet mister i pazbuluar dhe pyetjet shtrohen përsëri: Përse vallë Nexhmija pranoi të takohej  e, për më tepër, ta ftonte Nënë Terezën në shtëpinë e Enver  Hoxhës, i cili nuk i pati dhënë asaj as leje të hynte në Shqipëri? Për të kërkuar ndjesë dhe korrigjuar gabimin e tij?  Them se jo. Nexhmija nuk ka pranuar kurrë se Enveri kishte gabuar ndonjëherë. Misteri të çon te Ramizi. Te ndikimi i tij. Askujt  më tepër sesa atij nuk i duhej aq shumë në atë kohë lejimi i  vizitës në Shqipëri të një personi VIP të fesë, si Nënë Tereza. Ishte akt garancie dhe pjesë e skenarit ku ai po luante  për të siguruar besimin dhe mbështetjen e zotërve të rinj të  botës, që i kërkonin atij me urgjencë hapjen e vendit, ndryshimin dhe zbatimin e të drejtave universale të njeriut. Ai ua kish premtuar këto atyre, por çudia ishte përse Nexhmija, befas, pranoi pa rezistencë e pa mëdyshje të bënte rolin  e ushtares së bindur të tij?

A mund të ketë qenë shtysë e supersticionit të fshehtë të saj, për të marrë nga misionarja kumte mbarësie për familjen dhe falje për të shoqin për veten, dhe për çdo të keqe të kryer gjatë atij regjimi, i cili po shkonte çdo ditë e më shumë pandalshmërisht drejt rrënimit? Bekimi i Nënë Terezës mbase e ndihmoi më vonë Nexhmijen. Kur ajo u lirua, e rraskapitur dhe e pastrehë nga burgu, “një engjëll” iu ndodh pranë dhe e mori me të gjitha  përkujdesjet në gji. Ajo ishte Teuta, nusja e djalit të madh të saj, Ilirit. Mbesa e Ramizit. Kjo, si për të kompensuar dhembjet që, i detyruar nga rrethanat, i pati shkaktuar asaj i ungji, i fali fisnikërisht të moshuarës dashuri e përkujdesje në gjirin e familjes së saj.

Teuta, e ndodhur në pozitë të vështirë mes vjehrrës dhe xhaxhait, dikur miq të ngushtë, tashmë në mëri mes tyre, të dy njerëz shumë të dashur e të çmuar të saj, mbajti me takt e pjekuri një ekuilibër të admirueshëm ndaj të dyve, duke mirëkuptuar  dhe respektuar arsyet e secilit dhe pa ndërhyrë në zgjidhjet e asnjërit. Ajo luajti me mjaft sukses rolin e “tamponit”,  duke zbutur dhe shmangur komunikimet dhe fërkimet e  dhembshme të mëtejshme mes tyre. Ajo dëshmoi integritet të admirueshëm, duke konfirmuar në çdo rrethanë se  mbetej Teuta Hoxha dhe i përkiste besnikërisht, përgjith- monë, familjes Hoxha, në mirësi e në fatkeqësi, pa u rishndërruar në Teuta Alia, as atëherë kur raportet ndry- shuan dhe familja Alia u fuqizua dhe ungji i saj u bë

“Njëshi i Shqipërisë”. Nexhmija e ruajti respektin ndaj të resë, qoftë edhe si mbesë e Ramizit, por, sidomos, për  integritetin moral dhe fisnikërinë e humanizmin e dësh- muar ndaj saj.  Në një letër lamtumire që Nexhmija shkroi dhe botoi në formë amaneti, drejtuar djalit të saj të madh, Ilirit, dhe të shoqes së tij, Teutës, shkruante: “Në qoftë se unë kur dola nga burgu, gjeta një krevat për të fjetur, bibliotekën me veprat e Enverit dhe dy kolltukë ku të pres miqtë, këto i kam në sajë të kujdesit të Teutës”. “Edhe pse Ilirin e kishte në burg, vazhdon në letër ajo, Teuta e përballoi e vetme plotësimin e nevojave për fëmijët e saj, për Ilirin, për mua në burg, si dhe për Sanon, motrën e moshuar beqare të Enverit”. “Koha tregoi, konkludon aty ajo, se Iliri kishte bërë një zgjedhje të mirë për shoqen e jetës”. Çka, sipas saj për fat të keq, nuk ndodhi me djalin tjetër./panorama.com,al

ObserverKult


Lexo edhe:

NËNA FATKEQE QË HUMBI DY FËMIJËT BRENDA PAK MINUTASH, PAS TYRE EDHE MOTRA BËRI…