Në kujtim të Jane Birkin që u nda dje nga jeta, dëgjojeni “T’du…As unë” (Je T’Aime…Moi Non Plus) nga Gainsbourg & Birkin (teksti në shqip dhe video)

Je T’Aime…Moi Non PlusT’du …as unë

Serge Gainsbourg & Jane Birkin

‘Je t’aime…moi non plus’. Kjo poezi intriguese ishte shkruar më 1967, dy vjet para publikimit të këngës. Asokohe, Serge Gainsbourg i frymëzuar nga dashuria ndaj dashnores së tij Brigitte Bardot, seks simbol i viteve ’60,
dëshironte t’ia dhuronte asaj “këngën më të bukur të dashurisë që mund ta imagjinonte”.
Ky version i parë i përgatitur në Londër do të transmetohej një herë të vetme në Radio Europe 1. Por, transmetimi i këngës ishte ndërprerë nga bashkëshorti i Brigitte Bardot që kërcënonte me veprime ligjore.

Kënga do të “rilindte” së bashku me dashurinë e re, atë ndaj Jane Birkin, më 1969. “Kënga më e madhe erotike ndonjëherë”, siç do të cilësohej në atë kohë, ishte në shënjestër të Vatikanit i cili ftonte për bojkot të këngës duke e ndaluar në Itali.
Kështu, kënga u ndalua në stacionet radiofonike nëpër Evropë, madje edhe nga BBC e famshme.
Por efekti ishte i kundërt. Disku i këngës shitej masivisht në mënyrë klandestine dhe pastaj u radhit edhe si këngë e parë në toplista.

T’du…As unë

T’du, t’du,
Oh, po, t’du-
As unë.
Oh, dashnia ime
Si një valë e pavendosun,
Shkoj, shkoj dhe vij
Brenda teje,
Shkoj dhe vij
Brenda teje
Dhe përmbahem.

T’du, t’du,
Oh, po, t’du-
As unë.
Oh, dashnia ime
Ti je vala, unë ishull i zhveshur,
Shkon, shkon dhe vjen
Brenda meje.
Shkon dhe vjen
Brenda meje
Dhe t’bashkohem.

T’du, t’du
Oh, po, t’du-
As unë.
Oh, dashnia ime
Si një valë e pavendosun,
Shkoj, shkoj dhe dhe vij
Brenda teje,
Shkoj dhe vij
Brenda teje
Dhe përmbahem.

Shkon, shkon dhe vjen
Brenda meje.
Shkon dhe vjen
Brenda meje
Dhe t’bashkohem.

T’du, t’du
Oh, po, t’du!
As unë.
Oh, dashnia ime
Dashnia fizike është pa rrugëdalje,
Shkoj, shkoj dhe vij
Brenda teje.
Shkoj dhe vij
Dhe përmbahem
Jo ! Tash eja !

Shkathtësia e lojës me fjalët ‘je t’aime moi non plus’ vjen pikërisht nga gramatika. Nëse i thua dikujt ‘nuk të dua’, ai do të përgjigjej ‘as unë’. Sepse rregulli është që një mohimi i përgjigjemi me një mohim tjetër.
Por nëse i themi ‘të dua’, ai do të duhej të përgjigjej ‘edhe unë’  dhe jo “as unë” (ose ‘jo unë’ nëse nuk është reciproke, por nuk është tema këtu). Kështu që shprehja “Je t’aime moi non plus’ bëhet kundërthënëse në vetvete.
Dhe i tërë subtiliteti buron nga kjo, duke krijuar paradoksin e ndjenjës. Por nëse mendojmë si Gainsbourg, me krejt modesti, mund të jemi të sigurtë që ka luajtur me paradoksin sepse i pëlqente kjo shprehje mohimi.
Në mënyrë më pragmatike, për ta zgjidhur këtë problem, nëse e marrim “as” në kuptimin e sasisë, atëherë kjo do të thotë “të dua edhe më shumë sesa të dua-n tënde“.

Nëse kjo është thënia e parë, personi që përgjigjet “as unë” mund ta bëjë këtë për dy arsye. Ose që “të dua” nuk duhet kuptuar në kuptimin e një deklarate të vërtetë. Ose nuk dëshiron ta vërtetojë deklaratën me një “Edhe unë të dua“.

Në kontekstin e një çifti bashkë prej disa kohësh, për të cilin ndjesitë janë rrëfyer tashmë në të shkuarën, mund të mendohet një interpretim tjetër. Në këtë rast, shprehja ngjall batica-zbatica në çift: ne e duam njëri-tjetrin, por grindemi, ndonjëherë edhe lëndojmë njëri-tjetrin.

Është shpesh një shprehje e përdorur nga çiftet që e përjetojnë një dashuri emocionalisht problematike. Kjo në mënyrë efektive përcakton, nga jashtë, çiftet që kalojnë kohën e tyre duke u ndarë dhe duke u ribashkuar me njëri-tjetrin.

Janë si dy magnete që tërheqin në mënyrë alternative dhe më pas sprapsin njëri-tjetrin. Janë dy njerëz që e duan njëri-tjetrin, por që nuk ia tregojnë dot njëri-tjetrit, veç vuajtjes që i bëjnë njëri-tjetrit. Kërkojnë me dëshpërim njëri-tjetrin, por nuk arrijnë ta jetojnë dashurinë e tyre të qetë.

Luajnë si macja me miun, si peng të rrethit vicioz : ‘Më ndjek, të ndjek, ik prej meje, të ndjek’.

Kjo lloj marrëdhënie është më shumë pasion dashuror se dashuri e vërtetë. Po, vërtetë ka dashuri, por pasioni mbizotëron dhe shkatërron gjithçka tjetër. Është si një ankesë e gjatë e brendshme, një vuajtje e përmbajtur.

Objekti i këtij pasioni, personi që dashurohet bëhet edhe objekt vuajtje. “Të urrej sepse të dua”. Kjo dashuri absolute të krijon përshtypjen se nuk mundesh pa tjetrin. Se e ke të pamundur të dalësh nga kjo spirale. Duke jetuar kështu, një dashuri shkatërruese, ushqehesh prej saj. Bëhet më shumë se dëshirë, më shumë se ndjenjë dashurie. Është nevojë, varësi.

Dashuria në një marrëdhënie të bazuar në “je t’aime, moi non plus” është një burim ankthi i përhershëm. Dashuria është shumë shkatërruese, shumë e brishtë dhe shumë e pabalancuar për ta qetësuar zemrën dhe për ta qetësuar mendjen. Është më shumë një lojë sesa dashuri.

Kjo e shpjegon arsyen pse e vazhdon. E dini që është e pamundur të jetosh një lidhje serioze dhe të qëndrueshme por qëndroni, sepse diku nuk rrezikoni asgjë, nga pikëpamja emocionale dhe sentimentale.

Dhe e ndaloni veten të përfshiheni më shumë që të mos vuani. Por ja që e mashtroni veten sepse nuk do të pranonit të qëndronit në një marrëdhënie kaq të komplikuar nëse nuk do të përjetonit asgjë.

Të luash “Je t’aime, moi non plus” është një mënyrë për të kuptuar nëse tjetri ende ju do apo jo. Po luani me zemrën e tij. Dhe nëse tjetri po bën të njëjtën gjë me ju, ndoshta të dytë vuani nga mungesa e besimit në vetëveten.

Përktheu: Çlirim Lazaj

ObserverKult

Kliko edhe:

JACQUES BREL: KUR KEMI VETËM DASHURINË (QUAND ON A QUE L’AMOUR) TEKSTI DHE KËNGA