Poeteshat që iu përkushtuan këngës

Fjalë për Zhuljana Jorganxhi, Irma Kurti dhe Leidi Shqiponja

Nga Vangjush Saro

Lidhjet e poezisë me muzikën, posaçërisht me këngën, janë të hershme. Përtej ndonjë shpjegimi qoftë edhe të pjesshëm të këtyre lidhjeve, për çka shumica e lexuesve kanë një informacion, një përfytyrim, mund të thuhet se edhe në traditën më të re, atë të këngës së lehtë, kombinimi i poezisë me muzikën, prodhoi në vite krijime të bukura. (Në kinemanë e sotme, gjithnjë e më shumë dramaturgjia e filmit kombinohet dhe sofistikohet me këngë, madje me disa të tilla, tekstet e të cilave, në përgjithësi vijnë te publiku në një komunikim bindës.) Në kulturën tonë, gjithashtu, janë disa raste kur poetët, por sidomos poeteshat, vajzat, një pjesë të madhe të vëmendjes artistike e rezervojnë pikërisht për këngën. Tekstet e tyre janë ndër më të pëlqyeshmit. Për vetë natyrën femërore, që shfaqet më poetike, është më pranë ndjesive dhe romantikës, teksti i këngës u bë njëlloj dimensioni, ku emra të nderuar vendosën ndihmesën dhe ngritën karrierën e tyre artistike.

Zhuliana Jorganxhi, pjestare e një familjeje muzikantësh të njohur, krijoi e para figurën e poeteshës që i përkushtohet këngës dhe e gjen veten kryesisht në këtë kombinim të gjinive të artit; tekefundit, njëlloj sakrifice në emër të një lloji letrar (teksti i këngës) ku profesionistët nuk se janë me shumicë. Ajo ka botuar disa libra me poezi, si “Net provimesh”, “Rritje”, “Lule në pemën e lirisë”, etj. Por përkushtimi i saj për këngën është një ‘baladë’ më vete. Këngët më të njohura të saj, pra këngët që janë shkruar mbi tekstet e saj, duke filluar nga ato të fillimit të viteve ‘70 e këtej, janë ende të bukura dhe e gjejnë veten edhe te dëgjuesi dhe lexuesi i sotëm. (Një ndihmesë të madhe për të vlerësuar aritjet më të mira në këtë aspekt, ka dhënë TV Klan përmes spektaklit ‘Këngët e Shekullit’, spektakël që, natyrisht, mund të ishte e mund të jetë më i mirë dhe më i besueshëm, në kuptimin e përzgjedhjes së krijimeve.)

Festivalet e Këngës në RTSH dhe Anketa Muzikore e Radio Tiranës, ku shkëlqyen në vite një sërë poetë, kompozitorë, këngëtarë e instrumentistë, kanë qenë një mbështetje shpirtërore për breza të tërë. E ndër më të përkushtuarit e kësaj jete në art, Zhuljana Jorganxhi, në vite, ka sjellë kontributin e saj të çmuar, si autore, por edhe si redaktore e teksteve. Le të pranojmë me paanësi që nuk munguan asnjëherë, edhe në ato vite të vështira, lirikat e bukura, aq sa mund të shkruhej e këndohej për kohën, pa le se ç’thuhet (me ligësi) nga snobët dhe kukullat mediokre. Po kujtoj vetëm disa pak vargje nga këto lirika: “Mesi i natës mbi ne ja tani sa kaloi./ Qetësi, qetësi…” (Mesnatë) Apo: “Erdhe ti tek unë/ me ato flokë të verdhë/ me një bluzë të hollë/ mbuluar supet e njomë…” (Erdhi pranvera) Ose: “Fqinjë e bukur, lozonjare/ ç’m’i ul sytë si petale…” (Fqinja) Dhe: “Sonte unë ndjehem vetëm në këtë natë/ Dhe gabohem…” (Nuk jam vetëm) Etj., etj. Poetë ndër më të njohurit, si Fatos Arapi, Agim Shehu, etj., herë pas here gjendeshin në krah të këngës, duke ngritur ‘stekën’ e pretendimeve artistike në këto veprimtari.

Zhuliana Jorganxhi, ashtu si gjithë poetët e mirë e të dashuruar me artin, i bëri bashkë ‘të dyja kohët’, duke shkruar edhe më tej tekste të bukura, lirika që këngës serioze i japin nder, si “Jon”, “Se kënduam Let it be”, “Jeto dhe jetën time”, “Bashkëmoshatarët”, “Në duart e nënës”, etj. Në vitin 1996, poetes së njohur iu dha Disku i Artë i Festivalit, kurse për 40 vjetorin e Festivalit të këngës në RTSH në vitin 2001 iu dha Çmimi i Karrierës. Poezitë e saj janë botuar në Greqi, Rumani, Hollandë, Kosovë, Slloveni dhe Japoni. Është një emër kaq i dashur për publikun, edhe falë pasionit për këngën, ku ajo la vargjet më të bukura.

Megjithatë, kujdesi e mirënjohja ndaj krijuesve të tillë lënë për të dëshiruar; ata duhet të ndjehen më të motivuar për të besuar se koha dhe institucionet përkatëse bëjnë zgjedhjet e duhura. Kështu, nuk ndjehesh mirë, teksa lexon në rrjet një nga ankimet e poetes, prapëseprapë pa bërtitje e në një të drejtë që duhet formuluar: “…nuk kujtohet njeri, kur titujt i morën ata që erdhën pas nesh, natyrisht me meritë. Unë jam pjesëmarrëse në Festivalin e Dhjetorit, që në vitin 1968 dhe fituese e 7 çmimeve të para. Faleminderit artdashësve tanë që më quajnë “Mbretëreshë e teksteve” kur për pushtetarët mbeta pa fron e kurorë.”

Nuk e besoj se mund të shtojmë gjë përtej këtyre fjalëve, thënë me zemër dhe mendje të ftohtë. Por është korente të kërkojmë më shumë vëmendje e përkushtim nga institucionet shqiptare dhe mendimi letrar në roje të këtyre vlerave.  

Irma Kurti është, gjithashtu, një nga poeteshat më të njohura me lidhje të ngushta me këngën. Ajo ka dhënë një ndihmesë të madhe në këtë gjini, prej shumë kohësh; përmendim bashkëpunimet e saj me disa kompozitorë me emër, si Ferdinand Deda, Luan Zhegu, Osman Mula, Ilir Dangëllia, Agron Xhunga, etj.

Kjo autore është sot një ikonë e kulturës shqiptare: nëntëmbëdhjetë libra në gjuhën shqipe, ndër të cilët: “Mesazhe nga lart”, “Kohë për t’u dashur” dhe “Dallgët thërresin emrin tënd”. Një numër të konsiderueshëm botimesh (dymbëdhjetë) në gjuhën italiane; veçojmë “In assenza di parole”, “Il sole ha emigrato”, “In una stanza con i ricordi”. Nuk mungojnë në ‘bibliotekën’ e saj edhe titujt në anglisht.

Poetesha e njohur ka marrë çmime e vlerësime nga më seriozet; kritika letrare në Itali e ka përshëndetur mëse një herë. Po kujtojmë vetëm disa prej tyre: Çmimi i parë në Konkursin Ndërkombëtar të poezisë dhe prozës 2011 “Napoli Cultural Classic”; çmim i parë në seksionin e prozës në Konkursin Ndërkombëtar “Lago Gerundo-Europa e Cultura” në Paullo, Milano; çmim i parë në Konkursin Ndërkombëtar Letrar “Europa 2015” në Lugano, Zvicër; çmim i parë në Konkursin Letrar “Posedonia Paestum 2017” në seksionin e autorëve të huaj; çmimi i parë për librin me poezi “Il sole ha emigrato” (Dielli ka emigruar) në Konkursin “Leandro Polverini” në Romë; çmimi i dytë në Konkursin “Pranvera poetike e Diasporës 2016” në Zyrih në Zvicër; çmimi i dytë në Edicionin e 16-të të Konkursit Kombëtar të Poezisë “Enrico Brianza, 2019” në Treviglio, Bergamo.

Ja se ç’shkruan gazetarja italiane Grazia Pia Licheri për krijimtarinë e saj: “Me një gjuhë të thjeshtë e të drejtpërdrejtë, poetja Irma Kurti na ofron edhe një herë një shumëllojshmëri ndjesish, një lloj ditari në vargje që hapin dyert e reflektimit ndaj temave intime dhe ekzistenciale. Irma Kurti arrin drejt e në zemrën e lexuesit, duke hedhur poshtë si gjithmonë idenë se poezia është një mjet i zgjedhur për disa, sepse format narrative të mbushura me zbukurime dhe artifice letrare nuk i përkasin aspak stilit të saj.”

Krahas poezisë, Irma Kurti po lëvron me sukses edhe prozën, në gjininë e tregimit dhe romanit. Ajo që e karakterizon rrugëtimin e saj, siç e thamë më lart, është lidhja me muzikën. Kompozimin e parë e ka patur me kompozitorin Aleksandër Vezuli në vitin 1983 dhe pas kësaj erdhën bashkëpunime të tjera në Festivalet e Studentit në vitet 1984-1985, për të arritur te disa nga këngët më të suksesshme: “Mbrëmja që mban dashurinë time”(1986), “Pranë të kaltrit det”, “Një çast në kujtesën tënde”(1987), “Letër malli”(1988), “Nën qiellin e kaltër të rivierës”, “Shikomë në sy”, “Trokite te dera” (1989), “Nuk iu zemërova pranverës” (1990) të kënduara në Festivalet e Këngës në RTSH apo në Koncertet e Pranverës. Thjeshtësia e të shkruarit, gjetjet interesante, kërkimi i përmbajtur në detyrimet stilistike dhe përshtatja perfekte e fjalës me notën, ka bërë që tekstet e saj të pëlqehen dhe t’i rezistojnë kohës.

Një ‘contrapunkt’ në këtë shënim që ka të bëjë me lirikën e vërtetë dhe muzikën e vërtetë. Rasti i artit të Irma Kurtit, na shtyn ta shqyrtojmë problemin në dy pamje. Pamja e parë: Dëgjojmë të mburren me tepri autorë tekstesh që s’kanë lënë titull e nder pa marrë, anipse me një krijimtari mediokre dhe të larushitur me lajle-lule të kohës kur, gjithsesi, arti ishte nën presion e nën ndikimin e ideologjisë. Një shumicë tekstesh të tyre na flet për dashurinë “gjithnjë mes shokëve e shoqeve” dhe që “m’e bukur puna del” e të tjera motive asfare lirike. Mund të çmojmë lirikat e natyrshme dhe të vërteta, siç edhe përmenda më lart, por jo çdolloj vargëzimi për hir të muzikës dhe ‘zogëluar’ për shkak të limiteve të kohës; (ndonjëherë, vetë autorët i ngushtonin ato, ‘për të qenë brenda’). Pamja e dytë: Kur lexon poetesha të vërteta, mes të cilave bie në sy menjëherë Irma Kurti, kupton më mirë se sa mediokre janë një pjesë e krijimeve të sotme, ndërkohë që për tekstet boshe e të zhytura në banalitet, është folur gjerë e gjatë.

Në vitet e fundit, Irma Kurti ka shkruar mbi 50 tekste këngësh. Vlen të përmenden bashkëpunimet me kompozitorin Nonda Kajno dhe këngëtaren Olsa Pema: “Loti i akullt”, “Dera gjysmë e hapur”, “Cigarja në buzët e tua”, “Bëj sikur fle”, “Shalli”, “Në pragun e magjisë”, “Vallëzim në shi” etj. Për këtë binom të rëndësishëm poezi-muzikë, poetja shprehet kështu: “Lidhja ime me muzikën është e hershme, që kur isha fëmijë dhe ngjitesha në skenën e festivalit për fatosa dhe pionierë në qytetin e Elbasanit, për të kënduar si stoliste. Me kalimin e viteve, kur nuk kisha më kurajon për të dalë përpara publikut, e ruajta lidhjen me muzikën përmes poezisë… Sfida ime më e madhe sot është të shkruaj tekste në gjuhën e vendit ku jetoj, pra në italisht; deri tani janë botuar pak këngë prej tyre, por të tjera janë në pritje për t’iu prezantuar publikut. ”

Nuk po zgjatemi në të tjera arritje të poeteshës që është tashmë në zenit të krijimtarisë së saj letrare, ngase qëllimi i këtyre radhëve ishte lirika si e tillë në raport me muzikën. Sigurisht, përsëris, mirë është që këto arritje të jenë edhe më shumë në vëmendjen e medias dhe të institucioneve shqiptare. Megjithë kakofoninë që kemi në këtë fushë, emrat e rëndësishëm të kulturës janë të pakët, shumë të pakët; dhe duhen vlerësuar me seriozitet.

Leidi Shqiponja është një tjetër poeteshë, që krahas botimeve në gjininë e shenjtë të poezisë, i përkushtohet edhe këngës; dhe me plot sukses. Po ndalem një dekikë edhe te kjo autore, për shkak se ia njoh krijimtarinë disi më mirë. Leidi ka botuar librat me poezi: “Qiejt kundrejt”, “Ku janë engjëjt?” “Kërcimi i zambakëve” (haik) dhe “Bisedë me diellin” (vjersha për fëmijë).

Leidi vjen nga një trevë që e vlerëson arsimin dhe kulturën: Gramshi. Në traditën e atij vendi, të kënduarit, poezia, janë të natyrshme. Është kjo një nga arsyet që poezia e saj është aq pranë këngës. Vjershat më të bukura të Leidit, janë të njelmëta, të mbushura me meditim dhe mendim e, njëherësh, të këndueshme; prandaj edhe bëhen shpejt të afërta për lexuesit e publikun. Nga libri në libër, ajo erdhi duke e forcuar ‘zërin’ poetik, ndërkohë që shpirti i saj bëhet përherë e më i ndjeshëm.

Po qëndroj në disa nga nënvizimet e poetit të njohur Musa Vyshka për librin e saj “Ku janё engjёjt”: “Te ky libёr, shqetёsimi njerёzor i poetes ёshtё bёrё mё i madh, fjala mё e rёndё, figura mё e qartё dhe ajo e ndjen pjesёrisht veten misionare tё halleve tё mёdha tё kёtij populli, me zemrёn mbushur plot me oshёtimat e rёnkimet e viseve malore, ku poetesha, lindi, rron e kёndon.” Duke u ndalur në veçori të stilit të autores, Vyshka shton: “Me librin e saj, Leidi dёshmon edhe njёherё tjetёr se nuk rend pas figurёs qё ta kapë e ta fusë me dhunё nё vargjet e veta, por e has atё papritur e tё buzёqeshur nё rrugёn e saj poetike, si njё mikeshё tё natyrshme. Kёtu qёndron dhe njё nga anёt kryesore tё vlerave tё kёtij libri. Duke vrapuar pёrmes kёsaj bote tё mbushur me befasira tronditёse, pёr tё gjetur se ku janё engjёjt, ku fle e mira, e bukura e kёsaj jete tё trazuar, ajo lë pas gjurmёt e njё poezie tё kёndshme, tё thjeshtё, pa fjalё tё tepёrta, refleks i njё zemre tё madhe, tё mbushur me dashuri pёr jetёn”.

Autorja është e ndjeshme në tematikat që i ‘rëndojnë’ jetës. Ajo ndalon me dhimbje në ngjarje që kanë qenë të vështira për vendin, por edhe për qytetin e saj. Me të drejtë, historiani dhe shkrimtari Meçan Hoxha vlerëson: “Poemthi “Arma tё vret shpresёn” ka peshёn e njё libri mё vete. Ndodhitё e mbrapshta, tё egra, çnjerëzore, sikur mbinё nga toka dhe i vunё zjarrin çdo gjёje tё bukur mbi tokё…” Megjithatë, te i njëjti autor, lexojmë me thjeshtësi e ndjeshmëri prej krijuesi e miku: “Nё poezitё e Leidit ka entusiazёm, shumё besim e shumё shpresё.”

Një nga ndihmesat më të mëdha të Leidi Shqiponjës në art, është pikërisht teksti i këngës. Ajo është disa herë pjesëmarrëse në Festivalin Kombëtar të këngës në RTSH; ka shkruar mbi 100 tekste këngësh për fëmijë dhe për të rritur. Një nga vlerësimet e fundit për Leidin, është ai i vitit 2018, kur në Shkodër, në Festivalin Mbarëkombëtar të Këngës për Fëmijë iu dha çmimi i parë për këngën “Çdo gjë do dashuri”, me muzikë të Edmond Rrapit. (Kënga u interpretua nga Iris Sula dhe Samanta Qoshku.) Ndërkaq, veprimtari të vazhdueshme artistike, me rëndësi për qytetin e rrethin dhe më gjerë, janë gjithnjë në tavolinën e saj të punës, presin talentin dhe përkushtimin e saj të pazakontë.

Duke i mbyllur këto radhë, besoj që kemi të drejtën profesionale dhe ndjesinë morale të kujtojmë se arti i të shkruarit, në veçanti ai i tekstit të këngës, ka pasur gjithnjë mbështetjen e emrave të njohur, ndër më të nderuarit, poetë seriozë e poetesha të përkushtuara. Kjo është një përvojë që nuk duhet denatyruar. Krijuesit do të jenë gjithnjë në kërkim të veçanësive për t’u shprehur sa më mirë dhe për ta bërë për vete publikun; por e rëndësishme është mospranimi i vulgaritetit dhe brutalitetit artistik.

Qasja ime modeste në krijimtarinë e këtyre yjeve të poezisë dhe tekstit të këngës, përveçse përpjekje për t’i vlerësuar ato, është edhe një kujtesë në këtë temë të rëndësishme.