Prekëse: Melodia e fundit e djalit që luante në violinë në shi/ Homazh për Eliasin dhe tingullin që mbijetoi…

Në histori ka data që bien si gurë varri mbi ndërgjegjen njerëzore, por ka edhe nota që nuk shuajnë kurrë. Një nga ato nota u lëshua më 17 tetor 1941, në Lvivin e pushtuar nazist, ku një djalë hebre, Elias, luajti violinën e tij të fundit në një shi të hidhur, pak çaste para se të zhdukej përgjithmonë. Nuk kemi fotografi të tij, as fjalë të shkruara nga dora e tij. Kemi vetëm një rrëfim që ka mbijetuar si një legjendë e heshtur, e thënë nga gojët e të mbijetuarve, të cilët kujtuan jo zhurmat e tmerrit, por melodinë e tij të qetë që i bëri njerëzit të ndalnin frymën për një çast.

Ky djalë nuk kishte asnjë armë përveç ndjeshmërisë. Nuk protestoi me britma, por me violinë. Ai ishte një përkujtues i heshtur i asaj që filozofi Emmanuel Levinas, do ta quante “fytyra e tjetrit”, ajo që na detyron të ndalojmë, të reflektojmë, të mos e kalojmë indiferent kufirin mes njeriut dhe mosnjeriut. Elias nuk i dha emër luftës, por ia dha zë humanitetit të fundosur.

Nëse Primo Levi e përshkroi ferrin e Aushvicit me një penë që shpërfaqte mizorinë dhe dinjitetin e mbijetuar, Elias është zëri i atij që me violinën e tij la një testament muzikor që mund të lexohet vetëm me ndjeshmëri dhe shpirt lirie. Ai është një Orfe modern, i kthyer në pasionin e muzikës përpara se ta shihte vdekjen në sy.

Ky djalë mund të krahasohet me ata që kanë kthyer kohën e tyre të shkurtër në përjetësi. Ashtu si Anne Frank, që me fjalët e saj e mbajti shpresën gjallë në errësirë; si Janusz Korczak, që nuk la jetimët vetëm; si Edith Stein, që ndërroi filozofinë me martirizmin; Elias nuk shpëtoi veten, por shpëtoi një copëz të shpirtit të njerëzimit.

Edhe Leonard Cohen, në një nga tekstet e tij më të thella, thotë:

“There is a crack in everything, that’s how the light gets in.”

Në çarjen e tmerrit, Elias ishte ajo dritë. Në heshtjen e ferrit, ai guxoi të krijojë një poezi të përkohshme tingujsh.

Elias është kujtesa se arti është akt rezistence.

Që dinjiteti nuk vritet.

Që muzika mund të jetë më e fortë se frika.

Që fëmijëria, edhe në orët më të zeza të historisë, ka të drejtën të mos heshtë./A. Vataj

ObserverKult


Lexo edhe:

IRENA PAPAS: JAM SHQIPTARE, ESMERE SI NËNA