Nga Ilia Lëngu
Nga të gjithë ata poetë francezë të gjysmës së dytë të shek. XIX, që u quajtën “të mallkuar”, si Bodleri, Verleni, Lotreamoni etj., sepse nuk u pajtuan me shoqërinë e kohës, jetuan jashtë normave të saj dhe nuk u vlerësuan sa dhe si e meritonin në të gjallë të tyre, Remboja përbën pa dyshim rastin më të veçantë.
Vetë jeta e tij është në kufijtë e legjendës, madje të një miti. Megjithëse mjaft e shkurtër (Remboja lindi në vitin 1854 dhe vdiq në vitin 1891), bohema rebele rimbaldiane është një aventurë e përhershme, plot ndodhi e peripeci të bujshme, madje shpesh skandaloze për kohën.
Shprehja “njeriu me shputa prej ere”, përmbledh thelbin e jetës prej endacaku të Rembosë, që u end tejembanë nëpër botë, deri sa sëmundja e shtriu në shtrat, i mori njërën këmbë fillimisht dhe, më pas, edhe jetën.
Në jetën e poetit dallohen dy periudha krejt të ndryshme nga njëra-tjetra. E para, europiane, njihet më mirë dhe është e mbushur me frymën e revoltës rebele e rinore dhe me krijimtarinë poetike. Gjatë kësaj kohe Remboja kërkoi disa herë të shkëpuste lidhjet me familjen dhe mjedisin konformist shoqëror. Shprehjet e tij: “UNË është një tjetër” (“JE est un autre”) – që vinte në dukje ndërgjegjësimin e poetit për dyzimin dhe misterin e personalitetit, sidomos të krijuesit – si dhe: “Të ndryshojmë jetën” (“Changer la vie”), do të bëheshin proverbiale, sidomos pas rimarrjes së tyre prej surrealistëve, në fillim të shekullit XX.
Miqësia e tij homoseksuale me poetin tjetër francez Pol Verlenin ishte një skandal për kohën. Verleni, pasi u nda nga gruaja dhe jetoi për një farë kohe me Rembonë në Londër e më pas në Bruksel, në një çast krize dhe dëshpërimi, e plagosi atë me revolver dhe u dënua me burgim. Pas kësaj historie, rrugët e tyre u ndanë përfundimisht. Remboja hoqi dorë krejtësisht nga krijimtaria, u end për ca kohë nëpër Europë dhe mori rrugën drejt Afrikës. Dhe ndërsa në vendin e tij, në Francë, falë edhe kujdesit të mikut të tij, Verlenit, që botoi disa nga veprat e tij, Remboja filloi të vlerësohej si poet gjenial e origjinal, ai as që donte t’ia dinte fare se ç’bëhej me krijimtarinë e tij dhe rrekej të fitonte një farë pasurie, madje u përzie edhe në trafiqe të ndryshme, duke rrezikuar jetën dhe shëndetin nëpër shkretëtirat afrikane.
Është e trishtueshme të njihesh nga afër me etapën e dytë të jetës së poetit, sidomos me fundin e saj mjeran, mbërthyer në shtrat në një spital marsejez, si dhe me faktin e hidhur se kortezhi i përmortshëm përbëhej vetëm nga dy vetë, nëna dhe motra e poetit…
Poetika e Rembosë
Ajo që bie së pari në sy në rastin e Rembosë, është hershmëria e jashtëzakonshme e pjekurisë së tij poetike. Qysh në moshën 17-vjeçare ai kishte një koncept krejt të ndryshëm nga poetët pararendës dhe sendërton një shkrirje të plotë mes krijimtarisë dhe mënyrës së jetesës. Veçse kjo zgjati, për fat të keq, fare pak kohë, jo më shumë se 5-6 vjet, gjatë të cilave Remboja shkroi dhe përjetoi me intensitet të skajshëm ato pak vepra, që shumë shpejt do të vlerësoheshin si ndër arritjet më origjinale të poezisë së gjysmës së dytë të shek. XIX.
Rasti i këtij poeti gjenial është vërtet i veçantë dhe i papërsëritshëm.Veç poezive tepër të njohura, si “Anija e dehur”, “Bohema ime”, “Zanoret” etj., dy janë vëllimet poetike të Rembosë, dhe këto tepër të shkurtra: “Një stinë në ferr” (1873) dhe “Përndritjet” (Illuminations), kjo e fundit e shkruar pak a shumë në të njëjtën kohë, por botuar nga Verleni shumë më vonë, më 1886.
Dy poezitë e shkruara në vitin 1871, “Anija e dehur” dhe “Zanoret”, shënojnë sfidën poetike të poetit antikonformist, që kërkon të këputë njëherazi lidhjet si me botën e konvencioneve të ndryshkura shoqërore dhe morale, ashtu dhe me traditën e vjetëruar poetike. Ai nis aventurën e tij të jashtëzakonshme drejt viseve dhe hapësirave të panjohura, ku imagjinata dhe deliret deri në kufijtë e marrëzisë do të popullojnë truallin e universit të tij mendor dhe poetik.
Kurse për t’u ndarë me atë çka nuk ngurron ta quajë “vjetërsira poetike”, rreket, ndër të tjera, të shpikë një gjuhë të re poetike, që krijon mes zanoreve dhe ngjyrave një lidhje shprehimësie metaforike.
Për të kuptuar dhe vlerësuar risinë e poezisë së Rembosë, duhet të njihesh fillimisht me pikëpamjet e tij për poetin-vuajan, tejpamës. Në moshë fare të re, në një letër të famshme të vitit 1871, ai shtjellon një koncept krejt të ri për poezinë dhe poetin.
“Unë them se duhet të jesh tejpamës (voyant), të bëhesh tejpamës. Poeti bëhet tejpamës nëpërmjet një çrregullimi të gjatë, të pakufi, por të vetëdijshëm të të gjitha shqisave[1]. Gjithë llojet e dashurive, të vuajtjeve, të marrëzive; ai kërkon vetë, shteron brenda vetes gjithë helmet, për të ruajtur prej tyre vetëm thelbin. Torturë e patregueshme për të cilën ai ka nevojë për tërë besimin e tij, për krejt forcën mbinjerëzore, gjatë së cilës ai shndërrohet mes gjithë të tjerëve në të sëmurin e madh, kriminelin e madh, të mallkuarin e madh – dhe në Dijetarin e epërm! – Sepse ai mbërrin tek e panjohura!
Përderisa ai ka lëvruar shpirtin e vet, tanimë të begatë, më shumë se askush! Ai mbërrin tek e panjohura, dhe, nëse, i tmerruar, do të humbiste vetëdijen e përfytyrimeve të veta, rëndësi ka që i ka parë ato! Le të plandoset në vrrullin e tij nga gjërat e padëgjuara ndonjëherë dhe të paemërtueshme: punëtorë të tjerë të llahtarshëm do të shfaqen; ata do ta nisin nga horizontet ku tjetri u plandos!”[2]
Siç bie në sy nga ky citim i gjatë (por i nevojshëm, sepse shërben si referencë themelore për poetikën e Rembosë), ky konceptim i jetës dhe i krijimtarisë artistike i lejon poetit të kapërcejë kufijtë e së panjohurës, të përjetojë apo të shohë gjëra të padëgjuara, të paemërtueshme, duke u bërë Dijetari i epërm, dhe kësisoj i aftë për të sendërtuar një transgresion njëherazi metafizik, ekzistencial dhe poetik të universit dhe përjetimeve njerëzore. Në këtë rrugë, asgjë nuk duhet ta ndalë poetin, madje as vdekja, sepse të tjerë “punëtorë të llahtarshëm” do ta vazhdojnë kërkimin nga pikënisja e re.
Dhe nëse Remboja hoqi dorë shumë herët nga krijimtaria, arsyeja kryesore duhet të jetë se ai shkoi tepër larg në aventurën e tij poetike dhe ndjeu ndoshta se nuk mund të ndiqej më nga të tjerët. Ndoshta se edhe për të stina e begatë (paçka se “në Ferr”) i dha të gjitha të korrat dhe ai vendos të heshtë si poet, përderisa nuk gjen më fjalë të tjera për t’ia nënshtruar “alkimisë verbale” (“Asnjë fjalë tjetër!”, shprehet ai në fund te “Një stinë në Ferr”).
Sidoqoftë, edhe pse tepër modeste për nga volumi, poezia e Rembosë të habit për vendin që ka zënë në historinë e poezisë moderne. I vendosur për të qenë “absolutisht modern”, siç ka pohuar vetë, ai shpreh përbuzje për “vjetërsirat poetike” dhe, bashkë me konceptet, ripërtërin edhe gjuhën poetike.
“Për të zbuluar të panjohurën, kërkohen procedime të reja”, shprehet poeti revolucionar, në kuptimin që kërkon të përmbysë tërë traditën e mëparshme në fushën e poezisë. Në veprën “Një stinë në Ferr”, Remboja hedh dritë vetë mbi itinerarin e aventurës së tij poetike. Pasi “shpiku ngjyrat e zanoreve” dhe “rregulloi formën dhe lëvizjen e çdo bashkëtingëlloreje”, ai kërkoi të shkonte larg e më larg: “shkruaja heshtje, net, hidhja në letër të pashprehshmen. Fiksoja vizione marramendëse.[3]
Për të poeti është si një Promete i ri,që rreket të rrëmbejë zjarrin, pa marrë parasysh pasojat. Poeti-vuajan (tejpamës), jeton në gjendje haluçinacioni të përhershëm, duke e shndërruar vazhdimisht realitetin e rëndomtë në vizione poetike të përndritura: “Dalloja fare qartë një xhami aty ku ishte një uzinë (…) pajtonë në rrugët qiellore, një sallon thellë një liqeni; përbindsha, mistere”.[4]Veçse “për të fiksuar vizionet marramendëse” dhe për t’u shndërruar në një “operë përrallore” lipset një “verb poetik i rrokshëm, herët ose vonë, nga të gjitha shqisat”, një gjuhë poetike e aftë “të përmbledhë gjithçka: aromat, tingujt, ngjyrat”.
Ky është kuptimi i shprehjes së famshme alkimia e Verbit, e fjalës poetike, që nënkupton një lloj magjie verbale, përmes së cilës realizohet një shndërrim i përgjithshëm i shfaqjeve apo dukurive të ndryshme të botës reale apo imagjinare, të ndjenjave, perceptimeve etj. Në një farë mënyre, është fjala për të çuar deri në fund e për të zbatuar konkretisht teorinë e korrespondencave, të analogjisë universale të Bodlerit, i cili, për Rembonë, është i pari poet- vuajan.
Çrregullimi i vetëdijshëm i shqisave të poetit-vuajan i krijon këtij të fundit mundësi për të kaluar drejt horizonteve të reja e të panjohura, ku ai rreket të zbulojë të fshehtat e universit dhe të jetës njerëzore.
“Do të zbuloj të gjitha misteret: mistere fetare apo natyrale si vdekja, lindja, e ardhmja, e kaluara, kozmogonia, hiçi”. Kjo aventurë poetike, e simbolizuar me anijen e dehur që lëshohet e papërmbajtur drejt hapësirave oqeanike, nënkupton një gjendje fantazmagorike, haluçinante, me vizione imagjinare e ireale, që nuk mund të shprehen veçse me një verb poetik, ku fjalët do të bashkohen lirshëm e të nisin aventurën e tyre. Kësisoj, haluçinacioneve të poetit-vuajan u përgjigjet “haluçinacioni i fjalëve”, siç shprehet vetë Remboja, që pohon se “kujtoi se kishte fituar mundësi të mbinatyrshme”.
Ja një shembull konkret i vizioneve fantazmagorike që krijon poeti: Litarë tendosa ndër kambanore; fiongo festive anekënd dritareve; zinxhirë të artë nga njëri yll në tjetrin; dhe nëpër ta vallëzoj. Këto vizione të kujtojnë disa piktura të bashkëkohësit të Rembosë, piktorit Van Gog, në një farë mënyre vëlla shpirtëror i tij, edhe pse itineraret e jetës së tyre nuk u kryqëzuan.
Imazhet e dhëna në gjendjen e tyre fillestare, madje kaotike, me efekte melodike dhe ritmike që i bëjnë fjalët të mos jenë vetëm njësi kuptimore e logjike, krijojnë përshtypjen e një magjie verbale. Nis kështu aventura e shprehjes së re poetike, ku bashkimi i fjalëve i bindet gjithmonë e më pak kuptimësisë e logjikës dhe u lejon fjalëve të kombinohen lirshëm për të krijuar imazhe dhe efekte krejt të çuditshme.
Kjo aventurë e fjalëve do të çohet më tej nga surrealistët, të cilët, sipas shprehjes së goditur të njërit prej tyre, do t`i lëshojnë fjalët që “të bëjnë dashuri të lirë” mes tyre. Poetika e teksteve të vëllimit “Përndritjet”, krijon një univers mirëfilli mendor dhe verbal, në të cilin poeti e sheh veten si “qytetar kalimtar”. Lidhur me këtë dalje në një terren të pashkelur më parë, studiuesi Dominik Rensé shkruan se, ”duke përdorur kësaj here tërë liritë sintaksore, leksikore dhe ritmike të një proze “të çliruar”, në këtë përmbledhje të fundit Remboja i kushtohet përpunimit të pejzazheve fantastike qytetare apo fshatare, të krijuara vetëm sipas ligjeve të arkitekturës së ëndrrave dhe imagjinares”.
Remboja përfaqëson kështu një etapë të rëndësishme të çlirimit të mëtejshëm të poezisë nga konceptet racionale e logjike. Ai ka meritë të padiskutueshme në lëvrimin e vargut të lirë, të poemës në prozë, si dhe për kalimin nga poezia referenciale në poezinë ireferenciale, ku shkëputet lidhja mes krijimtarisë dhe jetës vetjake apo një realiteti të caktuar, çka i lejon krijuesit të shpërfillë konceptet e vjetëruara për kohën dhe hapësirën, të dalë jashtë tyre, si të thuash. Në këtë konceptim të ri, poezia dhe gjuha poetike fitojnë më shumë liri, pavarësi dhe kjo e fundit shndërrohet në substancë lëndore, të cilën poeti e modelon sipas vizioneve dhe përfytyrimeve të veta.
Remboja realizon haluçinacionin e fjalëve, luan me to sipas fantazmave dhe fantazisë së tij, pa kurrëfarë pengese për kuptimësi, koherencë logjike apo referencë me ndonjë realitet të caktuar. Teksti poetik nuk ka më referencialitet të jashtëm dhe bëhet vetëreferencial, siç shprehet kritika moderne. Poeti pohon vetë se shndërrohet në “mjeshtër fantazmagorish”, që transfigurojnë gjithçka në vizione, imazhe e përjetime ndërvepruese, ku sipas Anri Lëmetrit, “shumëzohen pambarimisht ndërveprimet mes shpirtërores, verbales dhe poetikes” dhe ku “gjuha formësohet si mbështetje e drejtpërdrejtë dhe e menjëhershme e surrealitetit, të cilin, njëherazi, e krijon dhe e shpreh”.[5]
Në krijimet e fundit, ai e detyron lexuesin të heqë dorë nga mënyra e mëparshme e leximit dhe të ndërgjegjësohet për autonominë e tekstit poetik si të tillë, pa kërkuar kurrfarë reference jashtë tij. Madje ai e sfidon lexuesin duke i shndërruar tekstet poetike në gjëegjëza, të fshehtën e të cilave ai është i vetmi që e zotëron dhe nuk ka dëshirë ta tregojë.
Në librin e tij të njohur, “Tetë çështje të poetikës”, Roman Jakobsoni vëren kalimin nga poetika romantike, që ishte kryesisht referenciale, sentimentale dhe tematike, në poetikën moderne të mishëruar së pari nga Remboja, e cila është ireferenciale, sfidante dhe gjuhësore. Poezia moderne franceze nuk mund të mendohet pa Rembonë, pa frymën e tij sfidante dhe antikonformiste, pa tundimin e çdo krijuesi për të shkelur hapësira të reja dhe të panjohura, pa praktikuar çrregullimin eshqisave dhe sidomos pa eksperimentuar me gjuhën poetike, alkiminë e Verbit.
Gjithë poetët e mëdhenj të shek. XX, veçanërisht surrealistët, e pranojnë ndikimin e tij të fuqishëm në veprën e tyre, si dhe rrezatimin e saj në tërë krijimtarinë poetike bashkëkohore.Ndër poetët shqiptarë, që u ndërgjegjësuan të parët për risinë dhe modernitetin e poezisë së Rembosë, është Migjeni, i cili e ka formuluar madje si domosdoshmëri poetike “nevojën e artit për shpërdorime të ndjenjave, të nervave…për ndërveprime të papritura dhe të fuqishme”.
[1]) Long, immense et raisonné dérèglement de tous les sens. (Jo rrallë ndeshet një ngatërresë për kuptimin e saktë të këtij termi të përdorur në këtë rast nga Remboja, ngase në frëngjisht sens ka dy kuptime krejt të ndryshme: shqisë dhe kuptim).
[2]Lettre à Paul Demeny, 15 mai 1871, Ed. de la Pléiade, f. 254
[3]A. Rimbaud, Poésies, “Une saison en Enfer”,Livre de poche, f. 120
[4] Ibidem, f.121[5] Henri Lemaître, Du Romantisme au Symbolisme, f. 524
Ilia Lëngu, Vështrimi i Orfeut, Argeta-LMG, 2007