Poetika si sprovë e Manjola Brahajt

manjola brahaj t'shtifsha

Nga Mërgim Bekteshi

Poetët, në të shumtën e rasteve, në sfondin e tyre, apo tablotë e përgjithshme, segmentojnë një rekuiem të veçantë që është më i ndryshëm nga artet e tjera apo krijimet artistike. Pra, poezia mban diçka më të përmallshme për fundin e një ngjarjeje apo ikjen në amshim, jo vetëm nga ana subjektive, por edhe nga ana rrethanore e prekjes sentimentale.

Do të thotë se, një poezi e mirë, që disa për kureshtje i quajnë të bukura, do të binte ndesh me të menduarit e Kantit se përmbajnë vlera të larta artistike. Pra, në poezinë e mirë manifestohet dija, intelekti që prezanton para lexuesit koherencën, e që këto tipare janë të realizuara nga poetja dhe studiuesja e letërsisë shqipe, Manjola Brahaj.

Manjola Brahaj, në vitin 2014 botoi librin me poezi “Na nuk jena të t’ktuhit’’ nga Shtëpia botuese PA. Libri është i ndarë në tri tufa dhe secila nga tufat përmban strukturë dhe koncepte të ndryshme poetike, nëse flasim për temat dhe akumulimet e dijes që shfaqen përmes vargut poetik.

Cikli i parë është Notat e Syve, pastaj Tingulli i gjakut dhe Kangë frymësh. Që në fillim poetja personifikon mendimin e Octavio Paz për atë se çfarë mund të përmbajë fryma poetike, poezia dhe erotizmi. Edhe pse Octavio erotizmin e kishte përkufizuar si metaforë e seksualitetit dhe të dytën si erotizëm i gjuhës, me këtë poetja Brahaj e hap kapitullin e poezisë. Ndoshta kjo gjuhë e hollë, siç thotë populli, do të përcjellë vargun e saj në të tri ciklet e poezisë.

Vargëzimi parë në libër Notat e syve piketohet me përditshmërinë e fjalës së përhumbur, Dashnisë…, duke filluar me poezinë e kryetitullit “Na nuk jena t’ktuhit’’. Në pyetjet e përditshme ballkanike, kur të panjohurit pyesnin për adresat dhe personat, kur rastisja qëllonte në personin që nuk dinte përgjigjen, e vetmja përgjigje që mund të merrje ishte se: Ne nuk jemi nga këtu apo në folmen gegërishte: Na nuk jena t’ktuhit.

Por, poetja ka një përgjigje më të ndërlikuar se pyetja dhe përgjigjja ballkanike, ajo e shtron në një tablo më të thelluar, një koncept ndarje universesh, aq sa prania e saj apo e dikujt tjetër ngjan me subjektivitetin jashtëtokësor, kur përgjigjja bëhet me një diskurs jo tokësor: Ka kohë që e kam kuptua se nuk jena t’ktuhit,/ndoshta pa dalë ende në dritë (f.15) apo kur ngazëllimi nuk përmban një dëshirë për praninë e të tjerëve: Po bota nuk ka një vend dhe për ne/Nuk jem’ t’ktuhit (ibid). Kjo poezi që përmban strumbullarin e librit, është komunikimi më interesant që poetja e degëzon në rrafshin e komunikimit njerëzor me motive e subjektivitet nga një univers tjetër, e që në fakt pulsimi dhe shkalla e kësaj dramaturgjie është mu në tokë.

Në tufën e parë janë edhe një varg poezi që perceptojnë sugjerimet e Octavio Paz si poezia Notat e Syve, apo Metamorphosis, kur pyetjet biblike nuk gjejnë shpjegim përpos egos dhe dëshirës së flaktë që mishërohen për t’u marrë si të mirëqena dhe pjesëmarrëse në rrugëtimet biblike me Zeusin, Karontin, Orfeun, Keopsin e Adamin (f.25). Ndoshta reflektimi historik ka një kuptim më njohës për poeten Brahaj, e cila frymëzohet me një ndjeshmëri nga e kaluara apo e sotmja që përmban një distancë kohore ku ajo poetizon: Ndodh që e nesërmja me qenë/ me vjet errësirë larg (f.41). E gjithë pjesa e parë e poezive ka një shtrirje që ngjan edhe me dy tufat e tjera, por që shfaqen me një porosi, me një kompozicion më ndryshe.

Ashtu si në matjet fizike, edhe matjet në poezinë e ciklit të parë kanë një kompozicion dhe rrjedhë të mirë.
Tingulli i gjakut është tufa e dytë që poetja edhe e evidenton në fillim me vargun: Vetëm unë e di si ndihet tingulli i gjakut/prej kambsh e maje kreje,/si çmendet mishi i trupit vetëm prej teje (f.59).

Në këtë cikël poetja shfaq një trajtë kimie që pluskon me ndjenjat që kanë një afërsi me erosin, por që i manifeston me një gjuhë më të ndërlikuar. Nga kjo përmbajtje janë vargje që trajtojnë erosin me një gjuhë të përbërë dhe në formë figurash, apo kur kemi konkludime si: Zjermi ka zanë vend n’sytë e tu/ dhe djeg çdo gja timen që zen përpara (f.66). Në gjithë ciklin e dytë, gjaku si lëndë e lëng thelbësor i njeriut, shtrohet në dimensionin e poezisë: Gjak i dashunumem asht ai që t’zien n’vena/ dhe të ban dru t’zjermit që s’e sheh (f.83).

Tufa e tretë Kangë frymësh është cikli i fundit që përmban një varg poezish të ndërtuara po me strukturë të ngjashme me dy të parat, por me një dallim nga përmbajtja. Tani zhvillimet vijnë me një porosi më ndryshe dhe ashtu si vetë titulli, rrëfimet kanë trajtë kënge e që përcillen nga fryma p.sh.: Gjethet e pemëve nuk po bien/krejt me rraj asht tha lisi (f.104), ndërkaq Orfeu është një ndër poezitë që përkon me frymën poetike të tufës Kangë frymësh.

Me këto cikle poezish Manjola Brahaj, përpos temave dhe kërkimeve subjektive që i kërkon nga njohja empirike për t’i kristalizuar në varg, ajo i rri besnike edhe gegërishtes së Malësisë së Gjakovës, të ndërtuar herë pas here edhe me standardin gjuhësor. Ndoshta ky akumulim apo dije poetike më shumë trumbeton në gegërisht, sepse trajtat poetike që ajo përdor do të ishin të vështira të përshtateshin në standardin gjuhësor.

ObserverKult


Lexo edhe:

MANJOLA BRAHAJ: NA NUK JENA T’KTUHIT

MANJOLA BRAHAJ: ÇKA TË BAJMË ME TRISHTIMIN?