(Ilire Zajmi, “Vjeshta është grua”, Bard Books, Prishtinë, 2020)
Nga Besnik Jaha
Libri Vjeshta është grua është një përmbledhje poezish të poetes së mirënjohur kosovare Ilire Zajmi. Në këtë vëllim poetik do të gjeni 50 poezi, të përmbledhura nga krijimtaria poetike mbi 25 vjeçare e poetes Zajmi. Pra, këtu do të gjeni poezi nga vëllimet poetike të botuara nga viti 1992 deri më 2016, si dhe disa poezi të pabotuara më parë.
Dihet se poezia shqipe në përgjithësi nuk është e njohur jashtë hapësirës së vet sa proza. Po kështu, pra ka mbetur nën hije, edhe poezia e poetes shqiptare. Megjithatë, prapë gjejmë emra që kanë dhuruar vargje të arrira letrare, duke e promovuar kulturën shqipe në përgjithësi, dhe poezinë në veçanti. Emri i Ilire Zajmit sot qëndron në linjën e krijueseve më të mira të poezisë shqipe, ndërsa vepra e saj deri më tani është përkthyer në disa gjuhë, si: italisht, anglisht, portugalisht, kroatisht, kinezisht etj.
Kjo përmbledhje poetike është një dhuratë e bukur që i bëhet lexuesit shqiptar, që përmes vargut poetik ta fisnikërojë shpirtin e tij, dhe poezinë ta bëjë pjesë të pashmangshme të jetës së tij. Që poezia ta bëjë më serioz. Që poezia ta ndihmojë kundër vetmisë, sidomos në kohë izolimi. Që poezia t’i japë qetësi, dhe ta ndihmojë ta kuptojë se në këtë botë ka shumë rëndësi.
Jo çdokush di ta kuptojë poezinë. Ajo është e hapur vetëm ndaj atyre që kanë qenë të hapur ndaj saj, duke e bërë pjesë të jetës së tyre. Vetëm ata që e njohin poezinë mund ta dinë se cili është kuptimi që del nga poezia. Pra, asnjë lloj teksti nuk i ka të rrethuara fjalët me një si mjegull më shumë sesa poezia. Ajo është tekst që të merr brenda vetes me dendësinë e imagjinatës dhe figuracionit, si dhe me rreptësinë që mban në përzgjedhjen e fjalëve. Poezia është forma që shndërron emocionet në mendime tepër të organizuara, dhe që me atë delikatesën mahnitëse imponon respekt ndaj saj. Poezia shpreh një botë më vete, një tërësi, dhe çdoherë që e lexojmë na çon drejt njohjes dhe pranimit të vetes sonë si pjesë të asaj tërësie. Të asaj bote të ngritur të cilës pa dyshim se i përket një pjesë e çdo njeriu.
Me anë të poezisë mund të shprehim një refleksion, një emocion, një ndjenjë, një çast apo një ngjarje në boshtin e saj kryesor. Pra, poezia është formë koncize e shprehjes. Është ajo që zakonisht mendohet si absorbuesi më i mirë i ligësisë dhe i mirësisë njëkohësisht. Kjo formë thotë shumë me pak. Po ashtu, thotë gjithçka duke fshehur shumëçka. Thotë atë që duam të thuhet, dhe e fsheh atë që s’kemi dëshirë ta themi.
Poezia e Ilire Zajmit është e rrënjosur në rrethanat e jetës së femrës shqiptare, dhe del herë si dhembje, herë si protestë, herë si vuajtje, e herë-herë edhe si krenari. Përmes vargut të saj poetik Ilirja bëhet zëri i femrës në katër fazat e saj kryesore: si çupë, si vajzë adoleshente, si nuse dhe si grua. Dhe proteston fuqishëm kundër traditës që shtyp lirinë e femrës, e cila nëpër shumë vargje na shfaqet si viktimë e obskurës nacionale, fetare e moderne. Ky motiv na shfaqet edhe si pranim i realitetit të hidhur, po edhe si deklarim i padrejtësisë: Pse të çuditesh?/ Këto janë rregullat mashtruese të lojës,/ kur je e të gjithëve pa qenë kurrë e vetes.
Ndërsa te poezia Makijazh perspektiva është më universale. Aty përmes makijazhit shpërfaqet fati i çdo femre dhe mendësia e çdo mashkulli. Derisa për botën mashkullore makijazhi është thjesht një maskë zbukurimi që përdor çdo femër, vend e pa vend, për ta fshehur një pjesë të saj më pak të bukur, për botën femërore makijazhi është një maskë që fsheh krejt diçka tjetër. Për femrat makijazhi fsheh me mjeshtri mynxyrat e një nate pa gjumë; Sytë e buhavitur nga kokëdhimbja, lëkurën e zbehtë e të lodhur; I fshij të gjitha gjurmët e krimit.
Poezia e Ilire Zajmit karakterizohet edhe për nga tema që trajton. Aty gjejmë temën e femrës, temën atdhetare, të krenarisë, të dhembjes dhe të gatishmërisë për sakrificë, temën e dashurisë, temën e mërgimit, temën e identitetit të rrezikuar nga asimilimi, temën e udhëtimeve etj. Ndërsa, për nga përmbajtja poezia e Ilires mund të ndahet në: poezi me temë të dashurisë; poezi filozofike, dhe; poezi atdhetare. Në të tre planet mbisundon tema e femrës; fatit të saj në këtë jetë.
Realizimi i gnosës-njohjes së jetës për Ilire Zajmin është dashuria, të cilën e kërkon në çdo formë dhe në çdo vend. Ky element si motiv na shfaqet më hapur te poezia Një mëngjes, në vargun e parë të së cilës poetja shprehet: Dashurinë s’lashë vend pa e kërkuar.
Në poezinë e Ilire Zajmit vërejmë një zhvendosje të kuptimeve të para të fjalëve, zhvendosje kjo e determinuar nga reagimi që shpërthen kundër robërisë, traditës, padrejtësisë etj.
Lexuesi i poezisë së Ilires ngopet me guxim, me vetëbesim dhe preokupim, dhe kështu para botës shfaqet pa ndrojtje për gjykimet që mund t’i bëhen. Tanimë nuk mungon guximi, nuk mungon krenaria, si dhe nuk mungon gnosa. Prandaj herë-herë e vërejmë që subjekti lirik fatin e vet e pranon pa dilema, siç na thotë vargu i parë i poezisë Recetë: Zgjodha të jem grua.
Përmes vargut të saj poetik Ilire Zajmi paraqitet edhe si një frymëzuese për femrën. Poezia e saj nxit që secila femër të këmbëngulë për të drejtat e veta, dhe të qëndrojë stoikisht, apo, siç i drejtohet në një varg: Grua, të mos dorëzohesh kurrë!.
Derisa romantikët e modernistët nisën pasurimin e shqipes me neologjizma, nismë kjo që i mbajti të infektuar edhe shumë prej shkrimtarëve bashkëkohorë, sidomos ata të socializmit real, në kohën tonë vërehet se disa autorë më nuk çajnë kokën për neologjizma. Ata thjesht përdorin forma dhe fjalë që i shkojnë natyrës së personazhit apo subjektit lirik, pavarësisht nëse janë ose jo shqipe. Pikërisht kjo është forma e krijimit të tekstit letrar që shfaq multilingualizmin edhe në letërsinë shqipe.
Te poezia e Ilire Zajmit kjo formë haset qysh herët, diku në krijimet letrare të dekadës së fundit të shekullit 20. Në këtë plan mund të veçohen poezitë Unë, ti dhe Morisoni, Kurrë, Të humbësh në Venedik, Qyteti thesar, Identitet etj., ndërsa si më e ngarkuara në aspektin multilingual është poezia Unë, ti dhe Morisoni. Poezia e Ilires ka strukturë dhe diskurs të lirë, dhe fund e krye e ruan të njëjtën formë. Pra, ajo është e lirë në strukturë, dhe krejt rrallë na shfaqet me varg apo strofë të matur, ndërsa figuracionin e ka të përzgjedhur me delikatesë të jashtëzakonshme.
Ndoshta fakti se letërsia multilinguale sot po preferohet e lexohet më shumë sesa ajo njëgjuhësore është pikërisht për shkak se e para balancon kërkesat e komunikimit mes tekstit dhe lexuesit. Pra, meqë lexuesi bashkëkohor është multikultural e multilingual, edhe letërsinë e kërkon të këtillë: multilinguale, dhe që përmbys çdo idealizëm folklorik.
Pikërisht e këtillë është edhe poezia e Ilire Zajmit. Poezi që përmbys idealizmat folklorikë, që e çliron vargun poetik nga ngecjet përballë zhvillimeve të kohës, sidomos teknologjisë, dhe që rri denjësisht si model unik i paraqitjes dhe përfaqësimit poetik./ ObserverKult