Polici e theu me shkelm djepin ku isha unë 6 muajsh, dëshmi e krimeve të komunizmit

Nga Dashnor Kaloçi

Një nga ata persona që u pushkatuan në mesditën e 18 gushtit të vitit 1949 në Qafën e Valmirit si shenjë hakmarrje për ngjarjen e vrasjes së deputetit dhe sekretarit të parë të Komitetit të Partisë së Mirditës, Bardhok Bibës, ka qenë edhe Nikoll Bajraktari, që çuditërisht apo për koincidencë, rezulton të ketë qenë dhe mik i ngushtë i Bardhokut?! Lidhur me këtë ngjarje, jep dëshminë e tij i biri i Nikollës, 69-vjeçari Lek Shtija Bajraktari, duke analizuar jo vetëm vrasjen e Bardhok Bibës, pse dhe kush e vrau atë, si dhe ekzekutimin e 14 burrave në shenjë hakmarrje për vrasjen e tij, por edhe se çfarë ndodhi më pas me familjet e tjera mirditore që u internuan dhe raportet e regjimit komunist të Enver Hoxhës me “Mirditën reaksionare”.

Zoti Lekë, babaj juaj, Nikoll Bajraktari, është një nga 14 personat që u pushkatua për ngjarjen e vrasjes së Bardhok Bibës, cili është version që dini ju për atë ngjarje, pra për vrasjen e tij?

Bardhok Biba u vra nga Komiteti i Maleve. Kryetar i Komitetit të Maleve pas vrasjes së Mark Gjonmarkut, bajraktarit të Kapedanit të parë, ishte Ndue Pjetër Gjonmarku, një kushëri i tij. Dhe vrasja është bërë me vendimin e Komitetit të Maleve. Nga “Organizata e shpagimit” që e kanë quajtur ato. Vrasja e Bardhok Bibës tronditi Mirditën. E tronditi Mirditën në dy këndvështrime.

Konkretisht përse e tronditi?

Këndvështrimi i parë, duke iu shmangur nihilizmit, Bardhok Biba ishte një figurë që kishte krijuar emër në Mirditë. Pavarësisht se ishte me forcat komuniste, ai kishte krijuar një emër më shumë të mire, sesa të keq. Unë mund të them nga bisedat që kam bërë me njerëz të kohës, se; vrasja e tij është shfrytëzuar. Është shfrytëzuar për të nënshtruar Mirditën. Vrasja njëherë është bërë për hakmarrje. Për mua bien poshtë ato që thuhet se këtë vrasje e ka organizuar Partia etj. Grupi i të arratisurve, Ndue Gjonmarku, Mark Jaku, e shumë të tjerë, kishin marrë rrugën për të dalë jashtë shtetit. Në Kaçinar, ato marrin lajmin se Bardhok Biba ka shkuar atje, dhe i organizojnë pritën. Vrasja është një koincidencë. Prita është vendosur nga grupi që ishte nisur për të dalë jashtë. Ky ka qenë i shoqëruar me dy vetë. Në mal me këtë grupin, ishte Ndue Bajraktari, ai kishte një problem me Bardhok Bibën.

Çfarë problemi?

Gjatë një prite në mal, Ndues i plagoset i biri, Marku. Dhe me ndërmjetësim, Bardhok Biba merr përsipër me e marr Markun. Dhe e merr. Por më pas se në çfarë rrethanash nuk dihet, por këtë e vrasin. Kështuqë në bazë të zakonit, Bardhoku i kishte borxh gjakun Ndue Bajraktarit. Dhe në grupin e të arratisurve, ishte edhe Nduja. Dhe ky thotë, që pasi Bardhoku ka hyrë në Kaçinar, unë nuk dal jashtë pa marrë hakun e djalit. Kjo është arsyeja që dihet. Përfundimisht Bardhok Biba vritet. Dhe këtu zë fill një epokë e re, që po vinte në Mirditë. Shumë e ngrysur dhe shumë e trishtueshme.

Çfarë ndodhi në Mirditë pas vrasjes së Bardhokut?

Bëhet mbledhja e Byrosë së Partisë, në Rrëshen. Vijnë nga Tirana dhe organizohet, marrja e hakut të Bardhok Bibës, dhe jo gjetja e autorëve. Këtë e kanë evidentuar shumë vetë. Dhe merret vendimi; Mehmet Shehu thotë që; do të vras 100 vetë. Organizohet në Mirditë nata e 11 Gushtit 1949, si me thënë, Nata e Shën Bartolomeut. Nisën arrestimet masive në të gjithë Mirditën, nga Brigada e Ndjekjes që komandohej nga Kolonel Zija Kambo.

Sa veta janë arrestuar; kush ishin disa nga kryesorët?

Janë arrestuar në të njëjtën kohë në të gjithë Mirditën rreth 100 vetë. Ndër këta Dod Prengkola, Nikoll Bajraktari, Frrok Mali, Preng Dedgjonmarku, etj. Arrestohen dhe sillen tek mani i Lal Ndreut. Ky muze ku ne jemi dhe po flasim tani, ka qenë qendra ku këta torturoheshin dhe më pas çoheshin në qelitë e Degës së Brendshme. Natyrisht që dihej se këta ishin pjesa më influente e Mirditës.

Të arrestuarit ishin piketuar më parë, apo apo ata u përzgjodhën shpejt e shpejt pas vrasjes së Bardhokut?

Nuk është bërë e rastësishme lista për vrasjen e Bardhok Bibës, 300 persona të listuar. Është bërë një gjyq në Rrëshen, ka filluar në orën 8 dhe ka mbaruar në orën 2. Një ndër këto që dënohet me pushkatim, ishte im atë, Nikoll Bajraktari. Organizimi i vrasjes, ka qenë i qëllimshëm. Vendimi u mor që këta të ekzekutohen pikërisht aty, ku u vra Bardhok Biba. Në Qafën e Valmirit.

Ç’ndodhi konkretisht me të arrestuarit?

Këta të arrestuarit merren të lidhur me tela me gjemba, njëri pas tjetrit. Atje ku shkon skuadra e të vdekurve, gjatë masakrës ishin mbi 300 vetë të mbledhur nga e gjithë Mirdita. Kur unë jam ballafaquar me këtë fakt më janë kujtuar Keltët. Se ata kur bënin ekzekutimet, merrnin të gjithë popullit dhe gratë për t’i edukuar. Por kjo bëhej për terror. Është bërë ekzekutimi me varje i katër vetëve. Ka një detaj shumë të çuditshëm. Njëri nga ato të varurit ishte shumë i gjatë (Dedë Gjonmarkaj), dhe i takonin këmbët në tokë. Atëherë njëri nga këto të skuadrës së pushkatimit, e kap dhe e ul poshtë. Te pushkatimi, komandanti i skuadrës, Mehdi Bilbili, i çon tek gropa dhe i fut një plumb nën sqetull dhe këta binin në gropë. Kjo gjë ka vazhduar deri në të shtatin, në të shtatin Mehdi Bilbilit i është bllokuar pistoleta. Ai pistoletën e hodhi në gropë, dhe i kërkoi një nëpunësi, Gjon Frrokut, një automatik për të mbaruar punën. Jo, i tha ai, nuk ta jap se është armë personale. Atëherë është afruar Kryetari i Komitetit dhe i ka ekzekutuar tre të fundit. Por ky duke mos qenë shumë ekspert nuk i vrau menjëherë. I fundit ka qenë babai im. Ky ka rënë në gropë i gjallë, dhe kanë filluar për ta mbuluar me dhe i ka thirrë nga gropa; çfarë bëni mor… mos bëni mëkat përpara Zotit.

Ç’ndodhi më pas, si u veprua…?!

Atëherë kanë ardhur me automatik e me pushkë dhe i kanë vrarë. Edhe këtu ka një fenomen astronomik shumë të çuditshëm. Nuk ka ndodhur nga ajo datë e deri më sot, që po bëhen 70 vite.

Çfarë ndodhi?

Ka dalë një re, është vrenjtur qielli dhe ka rënë borë. Po po, borë më mes të Gushtit, janë njerëzit akoma gjallë që kanë qenë aty atë ditë dhe e kanë parë këtë fenomen të natyrës. Thonin që edhe koha vajtoi për këta. Kjo ka qenë realizimi i hakmarrjes së Bardhok Bibës.

Thuhet se aty pas vrasjes janë mbajtur edhe fjalime nga funksionarët e lartë të ardhur nga Tirana?

Po është e vërtetë, fjalimin mbi kufomën e Bardhok Bibës e ka mbajtur Mehmet Shehu dhe Gjin Marku. Ndër të tjera është thënë që Gjin Marku në fjalimin e ceremonisë mortore është shprehur që; unë do të bëj që në Mirditë të këndojë kukuvajka. Në fakt ai këtë e realizoi. Por ai harroi një postulat latin që thotë; se kush vjen me shpatë në dorë, do të vdesë po nga shpata. Gjeneral Gjini, ka ndërruar jetë në burgun e Burrelit i verbuar.

Kjo masakër i është atribuar Mehmet Shehut?

Mehmet Shehu është kryekëput organizatori i hakmarrjes. Ai deklaroi se unë do të vras 100 vetë për Bardhok Bibën. Por i ati i Bardhokut, një burrë me karakter, i tha; mos vrisni njerëz të pafajshëm për djalin tim. Po gjetët autorin po. Por kjo u mbyll shpejt e shpejt sepse në jug, filluan provokacionet e Gushtit të 1949. Por një gjë është e vërtetë, 1949-ta nuk erdhi rastësisht dhe momentalisht sepse u vra Bardhok Biba.

Po përse?

Sipas një dokumenti të vitit 1946, thuhet tekstualisht kështu, “Të verifikohen të gjitha krahinat që nuk na duan, të shkelet çdo pëllëmbë, të kryet çdo diversion, të kryhen edhe vrasje pa gjyq, Gjeneral-Kolonel Enver Hoxha”. Dhe në atë kohë në Mirditë u bë ekspedita e tmerrshme e Toger Babës.

Çfarë bëri Toger Baba në Mirditë?

Toger baba, apo Hodo Habibi, një oficer i pa shpirt dhe ai u fut në Fan, dhe në Orosh dhe nuk la gjë pa bërë, vrasje, burgosje, dhe ka arritur deri aty sa u futi grave macet në çitjane. Por një gjë duhet thënë, Mirdita u godit në tre shtyllat e saj.

Konkretisht ku?

U godit te burrëria, u godit te karakteri, dhe te morali. Të tria këto ishin shtyllat që kishin udhëhequr Mirditën si trevë katolike. Bardhok Biba në këtë kontekst duhet parë pozitiv.

Para se të dalim këtu në këtë pikë, a kishte njohje babai juaj me Bardhok Bibën?

Babai im e ka pas mbrojtur Bardhok Bibën kur ky i fundit ishte i ri dhe komunist. Ata vinin shpesh tek ne në shtëpi dhe diskutonin siç më ka thënë nëna. Bardhok Biba me stafin e vetë, me Ndrec Ndue Gjokën, me Pal Mëlyshin etj. Ata elementin e parë kanë futur shkollën. Elementin e dytë kanë futur shtetin. Sepse Mirdita nuk kishte njohur shtet. Bardhok Biba ishte një i ri komunist me një vizion përparimtar, për të rregulluar Mirditën por nuk pati kohë. Në këtë kontekst Bardhok Biba në Mirditë ka qenë edhe mik, por edhe armik. Duke marrë parasysh prejardhjen e Bardhokut si i shtëpisë së Gjonmarkut, ai kishte në mal shumë njerëz të tij, ndërmjet të cilëve edhe Ndue Gjonmarkun. Ai firmosi që ky të pushkatohet. Bardhoku tha që; kush nuk ka bërë vrasje të kthehet nga mali, dhe të vazhdojë jetën e tij. Mirdita ishte në strukturën e saj anti-komuniste.

Kush e solli komunizmin në Mirditë, cilët ishin komunistët e parë që e përhapën atë frymë dhe ideologji në atë krahinë?

Komunizmi në Mirditë nuk hyri nga Rusia, atë e sollën nga bankat e shkollave dhe të universiteteve të Perëndimit njerëzit e shkolluar. Pal Melyshi i biri i Bajraktarit, Bardhok Biba nipi i Kapedanit, këta ishin komunistët e parë që e sollën këtë frymë që për kohën ishte përparimtare. Pavarësisht se çfarë u rrokullis mbrapa. Bardhok Biba kishte dëshirën për të bërë shtet. Ai ka pajtuar gjaqet dhe ka vendosur gurin e parë të qytetit të Rrëshenit.

Të ndalemi dhe njëherë tek lista e të pushkatuarve dhe gjyqi që iu bë atyre…

Po, ka një detaj në arrestimin e të gjithë këtyre. Në listë ishte Dod Beleshi i Kthellës së Epërme. Por ai nuk ishte aty dhe i marrin të vëllanë, Gjergj Beleshin, dhe e çojnë në skuadrën e pushkatimit. I dënohet djali Dod Preng Kolës, me vdekje, ndërsa vetë Doda dënohet me 12 vjet. Ai i thotë trupit gjykues: me leje, burgun tim lejani djalit dhe mua më dënoni me vdekje. Dhe kështu u bë. Imagjino se çfarë gjyqi ishte pa pjesën ligjore të tij. Por tragjedia fillon pas masakrës me të gjallët e pa varrosur. Këtë e kam përjetuar unë familjarisht me rreth 300 familje.

Çfarë ndodhi me jua dhe familjet e tjera?

Neve na morën të gjithëve përnjëherë dhe na çuan në Kampin e Tepelenës. Kur erdhën tek shtëpia ime i thanë nënës; Prenë, bëhu gati, ku do të shkojmë i thotë ajo, do të shkojmë në Tepelenë. Ta lidh fëmijën në djep dhe ikim i thotë ajo. Nuk kemi kohë i thanë dhe i ranë djepit me këmbë. U thye djepi dhe nëna mori një tjegull dhe më mbështolli mua dhe ikëm në Tepelenë. Qëllimi i kampit të Tepelenës ishte qëllim shfarosjeje.

Të ndalemi tek Mirdita, pak më lart u shprehët se ajo ngjarje ka qenë e qëllimëshme…?!

Po, e them prapë, ajo që është bërë në Mirditë ishte e qëllimshme, pasi Mirdita nuk ka njohur shtet, ajo ka qëndruar si fis në bazë të kanunit. Kanuni në Mirditë ka qenë si një doktrinë shtetit, si një mënyrë qeverisjeje, si një udhëheqje fisi. Goditja që ndodhi në Mirditë është shumë dimensionale, është goditje fizike, është goditje psikologjike, është goditje morale. Çdo element i terrorit shtetëror në Mirditë vlen të analizohet në mënyrë të veçantë. Por ne e dinin që ishim të pafajshëm, e dinin për miqësinë që kishte im atë më Bardhok Bibën, dhe se im atë u vra kot. Këtë lloj keqardhjeje ma kanë shprehur edhe njerëz shumë afër kupolës drejtuese. Ashtu ishte koha më thanë, që babai jot nuk ka pasur faj për Bardhokun. Më vonë neve na çuan në arrest shtëpie tek shtëpia jonë në Mirditë.

Pas kthimit nga internimi, ku keni punuar dhe si ju ka trajtuar ai regjim?

Pas internimit neve na kthyen tek shtëpia jonë në Mirditë. Me 100 peripeci arrita të mbaroj gjimnazin dhe pas gjimnazit unë fillova punë në kooperativë dhe më pas në minierë. Gjatë komunizmit unë kam qenë i survejuar dhe këtë e kuptova kur kontrollova dokumentet pasi fillova punë në rajonin e policisë së Rrëshenit pas vitit 1990.

Në fund të kësaj bisede a mund të na thoni, cili është mendim i juaj, a e nënshtroi dot regjimi komunist Mirditën?

Regjimi komunist Mirditën nuk e vrau dot, por e plagosi. Plaga ishte e rëndë. E nënshtroi me tre shtyllat kryesore që Mirditën e mbanin gjallë. Komunizmi në Mirditë ka qenë shumë i kujdesshëm. Ka vepruar me strategji. Arriti deri aty saqë priftit të Kaçinarit, Dom Preng Qefalisë, gjatë gjyqit popullor, i nxorën një listë me disa emra çiftesh që ky i martonte dhe e akuzonin qe këto gra ti i ke pasur dashnore. Një depersonalizim deri këtu. Çfarë mund t’ju them më shumë se kaq?