Nga Teuta S. Haxhimusa
Burrin e sëmurë dhe të paaftë për punë, fëmijët studentë, ishte ajo, e cila me pagën e saj të vogël me vite të tëra po e ushqente dhe mbante gjithë familjen. Ishte ajo që kurrë nuk ankohej para askujt, kishte krenari e dinjitet.
Zgjohej shumë herët. Ecte me kilometra nga shtëpia e saj, në periferi të Prishtinës, që të mbërrinte me kohë në punë, vetëm që t’i kursente edhe paratë e transportit publik. Do t’i kursente 80 cent në ditë, 16 euro në muaj, po të mos udhëtonte me autobus.
Pastronte me shumë përkushtim. Kur pastronte dyshemetë, asaj i dukej se aty e gjente lirinë për të ikur nga realitetii i familjes së saj. Aty, tek i jepte me forcë fshesës e gjente pushimin, e gjente prehjen, i dukej se ishte pjesë e botës, tek shihte njerëzit përreth në punë, në rrugë, të paktën kishte statusin e punësuar. Ndërsa, kishin kaluar dy muaj që mbikqyrësi i saj i tha, se duhet të shkurtohej numri i pastrueseve dhe se do ta thërriste kur ai të kishte nevojë.
Ajo, kishte pritur dy muaj me shpresë, por tashmë bllokimi dhe izolimi i gjithë vendit nga koronavirusi, jo vetëm që i kishte sjellur frikë si të gjithëve, për jetën e saj dhe të familjes, por e kishte futur në një trishtim të madh, se si do t’i ushqente familjen muajve në vijim, kur e dinte se ajo nuk kishte asnjë rezervë, kishte vetëm pak artikuj bazik, sa për të mbijetuar edhe dy apo tri javë.
Po, sot në mëngjes, një thirrje e papritur, e zgjoi nga dremitja e trishtimit. Sytë ju gjallëruan nga mendimi se dikush po mendoka për të edhe në kohën e koronavirusit, se dikush po vije t’i sjell ushqime kur ajo ishte e mbyllur, e harruar dhe e dërmuar në shtëpi. Lotët i rrodhën shpejt mollëzave të thara, sakaq qeshi si e marrë nga gëzimi dhe shpresa që iu përvodh në shpirt. Ai zë matanë telefonit ishte si një zë që vinte nga një botë e përtejme, i dukej hyjnor. Si ishte e mundur që një natë më parë kishte qarë gjithë natën dhe kishte mallkuar fatin e saj, e vetëm në mëngjes një zë njeriu i kishte sjellur gjithë atë ndryshim, i kishte ngjallur shpresë se nuk qenka e vetmuar, i kishte dhënë zemër.
“Për ne që punuam në sektor privat dhe mbetem pa punë – vendi im qenka njerkë, më duket sikur nuk i takoj këtij planeti” – tha duke i marrë qeset me ushqime, kokëulur.
“Qe dy muaj mbeta pa punë” – shtoi ajo duke i prekur flokët, sikur donte t’i fshihte thinjat që i dalloheshin për diku 15 centimentra nga ngyra e dalur e flokëve. Flokët e saj tregonin gjendjen e saj, se ajo s’ka pasur para as për ushqim, e lere më për të blerë ngjyrë të flokëve.
“Zoti ju ndihmoftë e bekoftë që veç ju ka shkuar mendja të mendoni për mua”– pohoi me sy të përlotur. Ajo shtëpi e vockël dukej si një milingonë afër objektit disakatësh që po ndërtohej në afërsi të oborrit të saj. Ai objekt gjigant dukej se i kishte zënë frymën shtëpisë së vogël, nga oxhaku i së cilës dilte përtueshëm dhe trishtueshëm tymi.
“Ti nuk je vetëm! Po të kesh nevojë për çfarëdo qoftë, ti e di se nuk je vetëm”. Kjo frazë, ky zë që i kumboi në qenien e saj si ilaç qetësimi, i sillej nëpër mend edhe kur po i nxirrte nga qeset artikujt dhe po i fuste në dollap. Ishte si t’i vësh një shtyllë murit që po shembej.
#rrinështëpi – por mendo kujt mund t’i ndihmosh sot, kur ti ke marrë pagën mujore!!!/ ObserverKult