Portretet e Fahredin Spahisë – risi në fotografinë shqiptare

inva mula fahredin spahija

             

      Një nga artistët- fotografë më të suksesshëm e me prurje të mëdha në fotografinë shqiptare në kapërcyellin e shek.XX-XXI, është edhe prishtinasi Fahredin Spahija. Përveç ekspozitave të hapura në Prishtinë e Zvicër, Spahija ka dalë para publikut të Tiranës me një pjesë të  madhe të krijimtarisë së tij, në qershor 2003, në sallat e Muzeut Historik Kombëtar. Kjo ekspozitë mendojmë përbën paraqitjen më dinjitoze të fotografisë shqiptare ndër të gjitha ekspozitat vetiake të hapura këto vitet e fundit në kryeqytetin tonë.

Nga Qerim Vrioni

    Të bëjnë përshtypje, jo vetëm në ekspozitë, por edhe në krijimtarinë e mëpasme të autorit, disa trajtime mjaft origjinale të portreteve fotografike, kryesisht të figurave të njohura, sidomos nga fusha e artit dhe e kulturës. Si artist novator, ai shkëputet herë-herë nga fotoportreti klasik një shkrepje-një portret, që edhe këtu shfaqet modern, dhe krijon portrete fotografike interesante duke bashkuar disa çast-ngrirje. Këto ngjizje të realizuara me mjeshtri nga Spahija, arijnë të pahtësojnë natyrën, veprimtarinë, por edhe gjendjen psikologjike të personalitetit të cilin e përjetëson në letrën fotografike. Do të thoshim se janë fotoportrete të kompozuara të figurave të tilla të botës shqiptare si piktori Omer Kaleshi, këngëtarja Inva Mula, dirigjenti Zhani Ciko, aktori Mirush Kabashi, piktori Gjelosh Gjoka, violinistja Sihana Badivuku etj.

    Portretet e tij të “shumëfishta” nuk janë thjesht trajtime manieriste per efekte të përkohëshme, por thënë  me gojën plotë e pa mëdyshje, kompozime fotografike që të mbeten gjatë në “sytë e mendjes”. Kumtet a ndjesitë që të lindin nuk janë fluturake, por mbresëthella. E po ashtu mjetet shprehëse të këtyre fotokompozimeve janë brenda qerthullit të atyre që janë karakteristike për artet e tjera pamore. Në fotokompozimet e Spahisë vërejmë gjetjen e masës së përsëritjes së figurës qendrore, gjë që mendoj se është diçka organike e autorit. Ato janë si sekuenca filmi kinematografik që sintetizojne gjendjen shpirtërore në çast-ngrirje të ndryshme.

zhani ciko fahredin spahija
Fahredin Spahija: “Zhani Ciko”, 2002

       Le të analizojmë portretin e dirigjentit Zhani Ciko. Nga disa shkrepje që i ka bërë aparatit për të fotografuar muzikantin gjatë drejtimit të orkestrës, fotografi veçon tri, të cilat mendoj se pasqyrojnë fare qartë fazat më përfaqësuese të shpalosjes së një vepre muzikore. Kështu ,duke u nisur nga e majta, shkrepja e parë e paraqet dirigjentin para “problemit”, i cili (dirigjenti) si “rastësisht” ndodhet para një njolle të kuqe që flakëron. E dyta, vetullat e bashkuara flasin për vendosmërinë në zgjidhjen e ”problemit” që duket se ka hyrë në rrugëzgjidhje, dhe në fund tek e treta, kemi shpërthimin e butë për kapërcimin e vështirësisë, aritjen e qëllimit. Përdorimi i të kuqes dhe të zezës, që mbizotërojnë në foto përbën një nga gjetjet origjinale të Spahisë. Në fund të fundit, fotoja është si një skelet drame me tri kohë, hyrja, zhvillimi, përfundimi.

omer kaleshi fahredin spahija
Fahredin Spahija: “Omer Kaleshi”, 2003

       Fotografi tjetër e këtij lloji është ajo e piktorit Omer Kaleshi, ku edhe këtu portreti krijohet nëpërmjet tri çast-kapjeve. Ndoshta Spahija e ka shkrepur disa herë aparatin, e nga ato, zgjodhi këto për të ngjizur këtë fotportret aq shprehës të piktorit. Në asnjërën nga fotogramat (pozat përbërëse), sytë nuk shikojnë objektivin, por edhe kështu ata shprehin mjaft. Syri i djathtë i fotogramës së parë nga e majta seç sheh dicka që nuk i pëlqen, mbase ka të bëjë me artin a me të shkuarën e familjes e të popullit të tij, një fare pakënaqësie pasive. Sytë e pjesës së mesit, shpërfaqin një pjesëmarrje më aktive në atë që shikojnë a mendojnë, një si miratim qoftë  dhe të lodhur, që shoqërohet me buzët e shtrënguara që shpalosin vendosmëri. Syri i majtë i piktorit, në fotogramën e tretë, përsëri vështron diku larg, por jo si në rastin e parë, ky është më i përqëndruar dhe pahtëson më siguri. Në gjysmën e djathtë të fotoportretit vihet re “një njollë” disi gjeometrike thuajse e bardhë, poshtë mjekrës së piktorit. Tonalisht ajo i bënë shumë mirë fotos sepse thyen të zezën e plotë që mbulon pjesën e poshtme të të gjithë fotokompozimit. Të tri portretet përbërëse mbulohen nga “dallgë” të mëdha e të kreshpëruara flokësh të bardhë të piktorit, si për të na kujtuar ndoshta, se ai në jetë e art është si deti që herë-herë ngre dallgë të mëdha.

     Fotoportreti i aktorit të njohur, Mirush Kabashi ka një trajtim kompozicional disi të më njëanshëm. Aktori duket sikur sapo ka hequr maskën e Sokratit (pjesa dramatike “Apologjia e vërtetë e Sokratit” e K.Varnalisit) dhe vështron mbrapshtitë gjithkohore të pushtetareve qysh prej grekëve të lashtë, e këtë me shqetësim qytetar. Mbase për fotografin Spahija, filozofija e grekut (Sokratit), është në përputhje të plotë me atë jetësore të aktorit Kabashi.

Fahredin Spahija: “Gjelosh Gjoka”, 2003

      Interesant paraqitet edhe fotokompozimi i portretit të piktorit kosovar Gjelosh Gjoka. Çast-ngrirjet janë tre, dhe e tregojnë artistin gjatë një diskutimi tërë pathos, padyshim për artin. Këtu kemi edhe një mbivendosje  në portretin e mezit që prish simetrinë tonale e cila nuk do të ishte e pëlqyeshme (si gjithmonë simetria në fotografi). Në këtë fotoportret sytë flasin shumë, po ashtu qëndrimi i kokës, e sidomos dora e majtë që shoqëron fjalën e nxehtë të tij.

Fahredin Spahija: “Inva Mula”, 2003

     Edhe për këngëtaren Inva Mula, artisti Spahija, ka realizuar një fotoportret të shumëfishtë. Në këtë fotokompozim janë shtatë çast-ngirje të një interpretimi muzikor. Duke filluar shikimin nga e majta e fotografisë së bashku me këngëtaren edhe ne sikur dëgjojme orkestrën, në fotogramën e tretë frymëmarjen, e në të katërtën na vjen në veshin e mendjes zëri i ëmbël i saj që vazhdon kreshendo. Pa u matur shumë, themi se në këtë fotoportret jo vetëm shikojmë këngëtaren, por edhe dëgjojmë muzikë.

Fahredin Spahija: “Sihana Badivuku”, 2002

Fotoportretet e violinistes Sihana Badivuku dhe piktorit Rexhep Ferri, i përfaqësojnë vizualisht të dy artistët në kohështrirje të vogla, por me hapësira të mëdha shprehëse.

     Në rastin e parë, interpretimi i një pjese muzikore bëhet jo vetëm nga instrumenti dhe duart, por edhe nga vetullat e buzët që shpërfaqin ndjesitë e violinistes, e nëpërmjet fotografit, tejqohen qartaz tek shikuesi i fotos. Në të dytën, shihet piktori-akademik i cili në zjarminë e një debati, mbron mendimet e tij “i ndihmuar”edhe nga duart.

     Fotokompozimet e Spahisë për personalitetet e zgjedhura, janë edhe shenjë e “fisnisë” së afërt të fotografisë me kinematografinë, por edhe me pikturën (grafikën). Ky përfundim duket shumë i natyrshëm nëse kujtojmë se fotografi është arsimuar në Akademinë e Arteve të Prishtinës për grafikë, por më tepër nëqoftëse do të shikonim vetëm konturet e figurës së shumëfishtë.

Formëzimi, në mund të shprehemi kështu, i një stili fotografik të portreteve nga ana e Spahisë, nuk do të thotë se në këtë pjesë të krijimtarisë së tij ka njëtrajtshmëri. Këto portrete ndryshojnë nga njëra-tjetra jo vetëm në formë, por ajo që është më e rëndësishme, në përmbajtje.

     Spahija, ka lëvruar jo pa sukses edhe fotoportretin e quajtur klasik, ku figura përfaqësohet nga një shkrepje e aparatit. Në to, ai, me emocione, por edhe me vëmendje, shquhet për pahtësimin e psikologjisë a ndjesive të castit. Herë-herë i shoqëron edhe me ndonjë detaj, në shikim të parë i rastësishëm e pa lidhje me veprimtarinë e tij (personazhit që fotografohet), por në tërësin e fotos merr vlera simbolike të cilat evidentojnë me thellë e më qartë personalitetin e të fotografuarit. Kështu mund të përmendim portretet e Kodrës, Kadaresë, Ramadan Sokolit, Podrimjes, Din Mehmetit, Idris Ajetit, Sali Shijakut etj.

       Nuk duhen lënë pa përmendur, në lëm të fotoportreteve, disa fotografi që i bënë të bijës të emërtuara “Engjulli im, muza ime”. Janë shumë të tilla, ku zbulohet tek një fëmijë, përveç botës së tij të moshës, edhe mençuria e temperamenti i vajzës së vogël. Këto fotografi, shpërfaqin nivelin e lartë artistik të autorit Spahija, si dhe kërkesat e tij të vazhdueshme për krijime gjithnjë e më cilësore.

    Përfundimisht, mendojmë se Fahredin Spahija, është fotoportretisti më i suksesshëm shqiptar i fundit të shekullit XX dhe fillimit të shekullit XXI.

(Gazeta “Drita”, 6 korrik 2003)

ObserverKult

Kliko edhe:

PYETËSORI I PRUSTIT: FAHREDIN SPAHIJA: FOTOGRAFIA ËSHTË DASHURIA IME MË E MADHE NË JETË!

FOTO-GALERI: ISH-PRESIDENTI IBRAHIM RUGOVA NË FOKUSIN E MJESHTRIT TË FOTOGRAFISË FAHREDIN SPAHIJA

EKSPOZITA “S’DU ME T’PA, DU ME T’NDIE” E FAHREDIN SPAHISË (VIDEO)