Saktësisht 3 milionë e 138 mijë e 305 kapëse të telit i janë dashur artistit Besart Gashi që ta finalizojë mozaikun me portretin e heroit kombëtar Agim Ramadani, një vepër me të cilën synon të thyejë rekordin Guinness. Thotë se për sot (e hënë) pret të marrë një përgjigje nga komisioni i librit të rekordeve botërore “Guinness”.
Për 50 ditë artisti thotë të ketë arritur të realizojë këtë mozaik me sipërfaqe prej 26 metrash katrorë (5.93 me 4.39 metra), që është më i madhi i llojit të vet në botë, porse për këtë i duhet konfirmimi.
Artisti nga Nekovci i Drenasit thotë se ka disa arsye se pse ka zgjedhur portretin e Agim Ramadanit për të synuar këtë rekord.
“Portretin e Agim Ramadanit e kam zgjedhur që të jetë në Librin e Rekordeve Guinness për arsye se ka qenë një artist dhe poet, ka lënë familjen dhe jetën luksoze në Zvicër që t’i dalë zot atdheut. Dhe është njëri ndër protagonistët kryesorë të thyerjes së kufirit shqiptaro-shqiptar. Thjesht, e kam idol në jetën time”, ka thënë Gashi, që thekson se të gjitha punimet artistike ia kushton të kaluarës së kombit shqiptar, transmeton ‘koha.net’.
E edhe materiali që ka zgjedhur për këtë vepër nuk është i rastësishëm. Gashi tregon simbolikën.
“Këtë material e kam zgjedhur për arsye se kam dashur ta simbolizoj telin e kufirit, i cili na ka ndarë për shumë vjet nga shteti amë, Shqipëria. Dhe më 9 prill 1999 ishte po heroi Agim Ramadani me bashkëluftëtarë që e hoqi përgjithmonë”, ka thënë Gashi.
Përveç portretit të Agim Ramadanit, në këtë vepër s’kishte si të mungonte edhe simboli i flamurit kombëtar, shqiponja, e cila është e punuar në prapavijë.
E vendosur në qendër të qytetit të Gjilanit, Gashi thotë se vepra do të qëndrojë aty deri në konfirmimin nga “Guinness World Records”.
Gashi është optimist që sot do të marrë konfirmimin për këtë rekord.
“Mendoj që kam arritur ta realizoj këtë imazh me rregullat që m’i ka dërguar Guinness – videoincizimin gjatë gjithë kohës së punimit, si dhe katër profesorë të artit, të cilën më kanë përcjellë gjatë gjithë kohës”, thotë ai.
Rekordin aktual për mozaikun më të madh në botë me kapëse teli e mban një tjetër artist shqiptar, Saimir Strati, për të cilin Gashi thotë se ka një respekt të madh.