Ndonëse figurë historike pak e diskutuar, Donika ngjall shumë kuriozitet.
Portreti “Andronica Castriota Scnderbeg” është realizuar nga artisti italian Roberto Gammone, vitet e fundit. Pra, ndonëse ka pamjen e një porteti historik, piktura është aktuale.
Pikturat e artistit të talentuar Gammone, duken njëherësh moderne dhe historike. Ai përdor teknikë të re në pikturë, por përmbajtja ruan disa detaje që zakonisht i sheh vetëm në portretet e hershme, si gravura .
Shumë prej nesh, e njohim Donikën nga imazhi më poshtë, i gdhendur nga artisti Johann Theodor de Bry, në vitin 1596.
Disa nga detajet në fjalë, në portretin e Gammones, janë data e shkruar në pikturë (ndonëse 1556-ta ështe plot 50 vjet pas vdekjes së Donikës). Apo edhe imazhi i Donikës në profil, të dy elementë të stilit të portreteve të shekullit të 16-të.
Gammone gjithashtu ka ofruar interpretimin e tij edhe me portretin e Skënderbeut.
Donika u lind në Kaninë, më 1428. Sipas shumë të dhënave nga historianë të ndryshëm, ajo ka qenë 23 vjeç, kur u martua me Skënderbeun. Martesa u bë në vitin 1451; Skënderbeu ishte sa dyfishi i saj në moshë, 46 vjeç.
Andronikës i thërrisnin dhe Donika. Ishte vajza e madhe e Gjergj Arianitit. Gjergj Arianiti ishte martuar dy herë. Me gruan e parë, Marie Muzakën pati gjashtë vajza: Donikën, Gojsavën, Anën, Halenën, Dhespinën dhe Komitën.
Me gruan e dytë, Pietra Franko, ai pati tetë fëmijë ndër të cilët, mund të përmendim vajzat: Marie, Teodora, Katerina, Mara, si dhe djemtë: Thoma, Kostandin, Arianit, pra gjithsej pati 14 fëmijë. Donika ishte e para e fëmijëve.
Ajo lindi dhe u rrit në Kaninë të Vlorës.
U martua me Skënderbeun më 23 prill 1451; dasma në Kaninë zgjati tri ditë, 21-23 prill. Për dasmën e këtij çifti të shquar të Arbërisë ka gojëdhëna, vargje popullore, të dhëna historike.
Thonë se Skënderbeu erdhi me 500 kalorës. Kënga dhe vallja buçiti dhe kalaja e Kaninës llamburiti nga pishat dhe fenerët e shumtë. Aty u bë shkëmbimi i unazave. Në Qishbardhë (Kishën e Bardhë) afër Kaninës, çiftit iu dha bekimi ungjillor.
Më pas ceremonia vazhdoi në manastirin e Ardenicës, në afërsi të Lushnjes, dhe më pas në kalanë e Beratit. Populli buçiste e duartrokiste kudo ku shkelte çifti. Ja disa vargje folklori për dasmën e tyre:
“…Ç’dasmë që bë
Araniti /Atë natë kalaja ndriti, /Kënga dhe vallja
buçiti /Çelën llamba, ndezën pisha /Plot tryeza me të
gjitha,/ Mish dashi, Labërie, / Verë Parge Çamërie…”
Vargu i dasmorëve lebër e përcolli çiftin, deri tej
Vjosës. Më 26 prill 1451, atyre iu dha kurorëzimi në
Berat. Për bukurinë e këtij çifti kanë folur,
pikturuar e vargëzuar shumë njerëz të artit, midis
tyre dhe poeti i madh Naim Frashëri: “…Dhëndëri si
dielli ndriste,/ Edhe nuseja që prunë, / Porsi hëna
vetëtinte,/ Dritënë në dritë e shtunë…”
ObserverKult
——————-