Këngëtarja jonë me famë botërore, Rita Ora, është bërë pjesë e thesarit të pullave postare të Filatelisë së Postës së Kosovës.
Pulla me imazhin e saj do të lëshohet në qarkullim postare të shtunën, më 26 nëntor, në një ditë të veçantë për artisten e madhe shqiptare dhe britanike, pikërisht në ditëlindjen e saj.
Për më shumë se dhjetë vite në majat më të larta të skenës muzikore dhe artistike ndërkombëtare, ajo shfrytëzoi çdo rast që përmes famës së vet të promovojë vendin e saj të lindjes, Kosovën, si dhe tërë kombin shqiptar.
Ajo ishte frymëzimi i parë për të rinj e të reja që të ndjekin dhe t’i bëjnë realitet ëndrrat e tyre edhe përtej kufijve të trojeve shqiptare.
Me rastin e lansimit të kësaj pulle postare, Kryeshefja Ekzekutive e Postës së Kosovës, Fakete Kadiu, ka shprehur mirënjohje për Rita Orën.
“Është një nder për Posten e Kosovës të nderoj Rita Orën. Ajo na ka dhuruar aq shumë momente të bukura dhe krenari të pafund me këngë, performancë dhe koncerte madhështore. Kjo pullë e bukur le të jetë edhe si dhuratë simbolike e Kosovës për këngëtaren tonë, në këtë ditë të veçantë për të, për kontribut të jashtëzakonshëm për vendin dhe kombin tonë “, ka thënë kryeshefja Kadiu.
Gjatë karrierës së saj të bujshme, Rita Ora u shpërblye dhe nderua me çmime prestigjioze në arenën ndërkombëtare si dhe në Kosovë dhe në Shqipëri.
Ajo e bart me meritë titullin Ambasadore Nderi e shtetit të Kosovës që nga viti 2015. Me diplomacinë e saj kulturore vazhdon të kontribuoj për imazhin e të gjithë shqiptarëve.
Filatelia e Postës së Kosovës ka nderuar dhe promovuar për mbi njëzet vite personalitete të shquara të kulturës sonë e këtë do ta bëj edhe në të ardhmen.
ObserverKult
Lexo edhe:
RITA ORA MERR TITULLIN “NAIM FRASHËRI” NGA PRESIDENTI I SHQIPËRISË