“Pranverat që ikin” i Imer Topanicës, një monument i shoqërisë sonë

Nga Besnik Jaha

Romani Pranverat që ikin i Imer Topanicës është një monument historik e moral i shoqërisë sonë, një vepër e madhe dhe me vlerë gjuhësore e artistike letrare. Ky roman trajton një temë që ende mbetet plagë e hapur jo vetëm në shoqërinë kosovare, por në gjithë hapësirën ballkanike: dhuna ndaj grave gjatë luftës, kujtesa e traumës dhe kërkimi i drejtësisë për gjithë popujt viktima të ish-Jugosllavisë.

Me këtë vepër Topanica hyn në një terren të vështirë, ku letërsia shpesh druhet të shkelë, sepse kufiri mes artit dhe dëshmisë është i brishtë, po edhe çdo fjalë, bart edhe peshën e dokumentimit, sikundër edhe atë të dhimbjes së gjallë. Pikërisht këtu qëndron guximi i autorit: ai arrin të krijojë një tekst që është njëherësh letërsi dhe dokument, një roman që ndërton art mbi kujtesën e dhimbshme, pa e zbutur, pa e relativizuar dhe pa e zhveshur nga forca e saj etike, duke i dhuruar kulturës letrare shqipe një dokuroman të rrallë.

Rrëfimi si album fotografish që rikujtojnë dhembjen

Romani nuk është i ndërtuar mbi një vijë të vetme rrëfimi, por mbi një ndërthurje zërash, ngjarjesh dhe perspektivash. Në qendër të ngjarjes është Petra, një aktiviste kroate për të drejtat e grave, e cila përmes punës së saj për dokumentimin e përdhunimeve të luftës, arrin të bëhet medium mes grave të Kosovës dhe botës ndërkombëtare. Përmes saj lexuesi hyn në dhomat e errëta të rrëfimit, ku gratë guxojnë të thonë fjalën e ndaluar dhe të rrëfejnë plagën e turpit e të dhimbjes; plagën që ua shkaktoi kthesën e madhe të jetës. Kjo figurë ndërmjetëse i jep romanit një dimension ndërkombëtar dhe universalisht të kuptueshëm: historia e Kosovës, e shpalosur këtu, nuk është vetëm e Kosovës, por e gjithë Ballkanit dhe, më gjerë, e çdo lufte ku trupi i gruas është përdorur si objekt dhune dhe si armë. Bashkë me këtë element, romani merr edhe një funksion dokumentimi të historisë së Kosovës në dimensionin ndërkombëtar.

Pjesët që ndërpriten nga rrëfimet autentike të grave janë si fragmente filmash dokumentarë, si fotografi që rishfaqin kujtimet më të hidhura, e të cilat pjesë lexuesi i sheh po si në një album, i dëgjon përmes gjuhës së gjallë e të personazheve apo i kupton përmes diskutimit mes protagonisteve të romanit në qendrën që merret me trajtimin e atyre rrëfimeve. Ato fragmente sjellin një intensitet të rrallë, sepse nuk janë të zbukuruara me retorikë e stilistikë: janë të drejtpërdrejta, të forta, të thjeshta, të përgjakshme dhe plot dhembje. Ky stil e bën romanin njëherësh letërsi dhe dëshmi, duke ia dhënë karakterin e një “arkivi të dhimbjes”.

Plagët që nuk mbyllen

Romani, që në faqet e para të merr me vete, me skenat e ndërtuara me kujdes e në funksion të idesë totale. Pamjet e pakëndshme, me përdhunime e shkatërrime që nuk janë thjesht përshkrime artistike, por rikrijime të një realiteti të jetuar, historinë e bëjnë shumë të natyrshme. Këto rrëfime e zhveshin lexuesin nga çdo iluzion romantik i luftës, për të arritur në zhvillimin e idesë se lufta te ne nuk ishte heroizëm; ishte përdhunim, humbje, shkatërrim i fëmijërisë, rrënim i familjes, dhe, nganjëherë edhe vrasje e shpirtit më shumë se e trupit, siç është shpirti i secilës grua që e përjetoi përdhunimin.

Një tjetër bosht tematik me rëndësi është edhe kërkimi i drejtësisë dhe sfidat përballë këtij kërkimi. Petra, e cila ka punuar më herët në Kroaci, e sheh veten në një betejë të re, në një arenë që nuk e kishte menduar kurrë, ku dëshmitë janë të shumta, por drejtësia mungon, madje kundërshtohet dhe luftohet të vihet në vend. Nëpërmjet saj, sidomos në takimet me imamin që kishte mbledhur rrëfime të krimeve të luftës, për t’i ruajtur e përdorur në rastin më ideal, romani i Imer Topanicës shtjellon pyetjen filozofike dhe teologjike: a është kërkimi i drejtësisë edhe kërkim i Zotit? Ky dimension e tejkalon romanin dokumentar dhe e ngre atë në nivelin e një refleksioni mbi natyrën e së keqes dhe mbi domosdonë e besimit.

Një tjetër temë që romanin e shoqëron fund e krye është trauma familjare. Rrëfimi i Merjemes, vajzës së rritur në një familje të madhe patriarkale, del në pah vuajtja nga mungesa e babait, ndarjet, xhelozitë, tradhtitë dhe dhuna e trauma familjare që ndodh brenda shtëpisë dhe në oborr. Në këtë mënyrë, romani nuk e kufizon traumën vetëm në kontekstin e luftës, por e zgjat atë edhe në kohë paqeje, në raportet mes njerëzve dhe në brishtësinë e lidhjeve familjare. Kjo e bën veprën një pasqyrë të gjerë të shoqërisë, duke shprehur edhe një kritikë ndaj paaftësisë sonë sociale e institucionale për ta trajtuar traumën e shkaktuar nga lufta.

Fragmetariteti dhe dendësia poetike

Imer Topanica ka stilin e vet në letërsinë shqipe: fragmetaritetin, dendësinë, gjuhën unike, plot poetikë, me përshkrime të veçanta të natyrës dhe të ambientit urban, që krijojnë kontrast me brutalitetin e ngjarjeve, butësinë në tema shpirtërore dhe dinamikën e tensionin në ato sociale e politike. Gjuha e tij letrare herë rrjedh lirikë, herë kthehet në thikë të mprehtë, duke ndjekur gjendjen emocionale të personazheve. Dialogët janë të gjallë, shpesh të shoqëruar me humor të zi, që shërben si mekanizëm mbijetese për rrëfimin dhe situatën, shpeshherë duke e lënë këtë të fundit të prerë në vend, pa fjalë në shumë, në një surprizë të madhe pas një suspensi të mbajtur fort. Kjo e bën tekstin të lëvizë mes tragjikes dhe groteskes, mes të papërballueshmes dhe të përditshmes.

Autori nuk ngurron të fusë në tekst këngë popullore, lutje fetare, batuta, elemente të kulturës së përditshme, duke e vendosur romanin në një hapësirë të gjallë dhe autentike ballkanike, po edhe në model postmodern letrar, përmes brikolazhit e kodit të dyfishtë.

Letërsia shqipe ka edhe një zë që prish heshtje

Me Pranverat që ikin, Imer Topanica kontribuon në një korpus ende të vogël të letërsisë shqipe që trajton drejtpërdrejt dhunën nga lufta e fundit, e më veçantë atë seksuale. Krahas veprave poetike e rrëfimeve të shpërndara, ky roman e vendos këtë temë në qendër të një ndërtimi të madh letrar, duke e bërë një vepër referuese në letërsinë shqipe dhe përtejshqipe. Ai nuk është vetëm roman kombëtar, por edhe roman ballkanik, sepse trajton plagë që i kanë prekur të gjithë popujt e këtij rajoni, po edhe  më gjerë.

Në një kuptim më të gjerë, romani lidhet me traditën e letërsisë së dëshmisë, krahas Primo Levit, Elie Wieselit, Khaled Hoseinit, apo nga letërsia shqipe, romaneve të Ag Apollonit “Një fije shprese, një fije shkrepëse” dhe “Kësulëkuqja, përrallë për të rritur”. Pra ky roman, duke e vendosur këtë traditë në kontekstin e Kosovës, e ngre letërsinë shqipe në dialog me letërsinë botërore të kujtesës dhe të traumës.

Kujtesa, rezistenca dhe guximi

Pranverat që ikin është më shumë se një roman; është një akt kujtese dhe rezistence. Kjo vepër e Topanicës është një ftesë për të mos e harruar të kaluarën, për të mos heshtur, për të mos e mbuluar dhimbjen me heshtje të rreme për hir të moralizimeve të rrejshme.

Topanica e ka shkruar këtë roman si një monument letrar për gratë e dhunuara, për familjet e rrënuara, për fëmijërinë e humbur, por edhe për shpresën se drejtësia, sado e vonuar, duhet të kërkohet dhe të gjendet, pavarësisht çmimit.

Në një kohë kur letërsia shpesh mbyllet në universin individualist, ky roman na e kujton se letërsia e madhe është edhe përgjegjësi morale dhe guxim. Sikurse guxoi Petra të vazhdojë, pavarësisht atentatit. Sikurse guxoi Imeri ta trajtojë këtë temë, po edhe me këtë vepër ta marrë përsipër pikërisht këtë përgjegjësi që e kërkon letërsia.

ObserverKult


Lexo edhe:

NGA PLAGA TE SHPRESA: NJË RRËFIM PËR TRAUMAT DHE RIMËKËMBJEN NË “PRANVERAT QË IKIN”