“Fjalë të bukëta”, libri i ri i Emin Z. Eminit, tashmë në librari

emin

Shtëpia Botuese Littera solli për lexuesit, librin më të ri të autorit Emin Z. Emini, “Fjalë të bukëta”.

Disa fjalë për librin:

Adem Gashi: Pas trilogjisë poetike të Emin Z. Eminit për Moirën mitike dhe, u mor vesh, shemrën e saj të ndodhur midis nesh, tashti sfondin e mitologjisë e ka veshur atllasi ekzotik i autoktonisë, ku Moira trupëzohet në Gruan-Kapedane të folklorit shqiptar, përshkuar nga një vello e erandshme, tërësisht e tejdukshme.

Gatesa lirike e Eminit, me një ornitologji të çuditshme, sado që përkëdhelshëm ngutet të na thotë se po na cicëron me fjalë të bukëta, ç’është e vërteta, buis nga myja e fjalëve dhe rrjedha na vjen me plot ritme, krejt dalldisëse dhe marramendëse.

Shenja dalluese e mëvetësisë poetike të tij na shfaqet që në vëllimin e parë poetik, po këtu vjen e shpaloset ngulmuese: e pashoqe në verb, në strukturë, në semantikë.

Nuk i gjej paraardhës, nuk i gjej dytës, as mund t’i parashikoj dishepuj që do ta ndjekin.

Emin Kabashi: Poezia e vëllimit poetik të krijuesit tashti më të njohur, Emin Z. Eminit, mund të përkufizohet si poezi e ndjenjës, por e një ndjenje të veçantë, që është sa tokësore, aq e përjetshme, që është sa e përditshme, aq edhe e përtejkohshme.

E veçanta e saj qëndron në subjektin poetik të krijuesit, sepse duke e bërë bartëse të ndjeshmërisë së tij, një subjekt fiktiv dhe konkret njëkohësisht, autori ka krijuar hapësirën pafund të shtrirjes së frymëzimit të tij poetik.

Kjo hapësirë e pafund, më thotë mendja, është ndër vlerat që e karakterizojnë këtë vëllim me poezi të Emin Z. Eminit.


Botimi i librit “Fjaltë të bukëta” i Emin Z. Eminit, nga Shtëpia Botuese Littera, u mundësua nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës.

Për ballinën dhe dizajnin u kujdes Fahredin Spahija.
Librin tashmë mund ta gjeni në librari.

ObserverKult

Kliko edhe:

‘LITTERA’ BOTON: BELLIZIN, TOPANICËN, EMININ, MALIQIN, ADEMIN DHE DABISHEVCIN