reklamë

“Prej larg”, poezi nga Ardiana Thaçi

t’shoh prej larg,
Tokë,
e bukur si nji rrenë
që e kam besu gjatë,
e kaltërt, e bardhë,
e ftoftë sa me m’mbajt gjallë.

prej ktu,
ku heshtja ka za
e drita vjen e lodhun,
unë t’shoh
si me kanë e jemja.

t’shoh prej larg,
e ajo bojë blu
m’kujton sy të ftohtë;
a ndoshta
jam unë që hala i shpiki
bojnat
që i quej “det i dekt”.

ti buzëqesh,
gjithmonë buzëqesh,
si dikush që ka fitu
pa e ditë çka.

Tokë,
m’ke pa
a veç m’ka pëlqy me thanë?
m’ke dashtë
a veç je mësu me mue
si me nji zakon t’keq
që s’t’hiqej.

t’shoh prej larg
e ndjej-
jo veç dashni,
jo veç urrejtje,
po diçka ma t’vjetër se na,
si frymë
që s’na përket.

t’du,
po, t’du,
edhe kur s’jam aty,
edhe kur s’jam kurrkund.

t’shoh prej larg çdo ditë,
si nji zakon i keq,
si nji lutje pa zot,
si nji dritë
që s’asht ma e jemja.

e di:
kjo asht e vetmja e vërtetë;
unë hala t’shoh,
e ti, Tokë …

ObserverKult