Prekëse/ Amaneti i të birit për nënën: Kur të vdes…

Amaneti i Dhulkarnejnit për nënën


Në rrëfenja të ndryshme thuhet se personazhi mitologjik Dhulkarnejni ishte fëmijë i vetëm. Siç dihet, ai brodhi mbarë botën dhe kur mbërriti në Babiloni, u sëmur rëndë. Duke ndjerë që i ishte afruar vdekja, nuk e shqetësonte gjë tjetër më shumë sesa trishtimi që do të kaplonte të ëmën, kur ti mbërrijë haberi i vdekjes së djalit të saj të vetëm.

Në këtë gjendje, i nisi të ëmës një dash të madh dhe një letër në të cilën i shkruante: “Nënë, kjo botë është e shkurtër dhe jetën e kemi të kufizuar. Nëse të vjen haberi i vdekjes time, merre këtë dash, therre dhe gatuaj ushqim për njerëzit, ku do të ftosh vetëm ata që nuk kanë humbur ndonjë të dashur.”

Kur nënës i mbërriti lajmi i vdekjes së birit, e zbatoi porosinë e tij, therri dashin, e gatoi dhe nxorri një tellall ku ftoi vetëm njerëzit të cilët nuk kishin humbur qoftë dhe një të dashur.

Ajo mbeti e befasuar kur erdhi orari i ngrënies, sepse as dhe një person nuk i ishte përgjigjur ftesës. Atëherë e kuptoi thelbin e letrës së birit, sipas të cilës nuk kishte njeri që nuk kishte humbur ndonjë person të dashur dhe të shtrenjtë në jetë.

Teksa mbante arkivolin e të birit, ajo thoshte: ”O bir! Ëndrrat e tua arritën qiellin, këmbët e tua shkelën tokën dhe mbretërit t’u nënshtruan me pahir. Çfarë ke që fle dhe nuk zgjohesh? Ç’të bëri vaki që hesht dhe nuk flet? Këshilla jote më bëri dobi dhe ngushëllimi jot ma lehtësoi gjëmën. Zoti të mëshiroftë bir! Më këshillove edhe pas vdekjes siç bëje gjatë jetës.”

(Përktheu: Elmaz Fida)

ObserverKult


Lexo edhe:

“JAM ZHGËNJYER NGA POLITIKA”/ PIKTORI HODO: AMANETI I ÇAMËVE ËSHTË TRADHTUAR…