Prekëse: Fjalët e fundit të babait: “Mos u bëj merak, do të kthehem shpejt…”, por ai nuk u kthye kurrë…

Dëshmia e ish-të burgosurit: Ismail Çeprati
Foto ilustrim

 “Ai nuk u kthye kurrë, pasi bashkë me 21 të tjerë u pushkatuan pa gjyq dhe u mbuluan me dhe’ në një varr të përbashkët në fshatin Mënik, afër Urës së Beshirit në Tiranë”

 “Në gishtin e babait tim, u gjet unaza e martesës dhe pas analizës dhe inicialeve që kishte, ma dhanë mua, që e kam në gisht edhe sot…”-rrëfen ajo. “Mbaje bijë,” – më thanë fshatarët, “se është amaneti që ta ka kthyer toka”…kështu nis rrëfimi i Brunhildës për babain e saj. Ajo ishte vetëm tre vjeçe kur ia pushkatuan babain, Zyhdi Xhemal Herrin. Ajo e mban mend atë ditë. E mban mend momentin kur e shkëputën nga krahët e babait të saj, ia morën babanë dhe ajo nuk e pa më kurrë.

Kishin ardhur disa persona të armatosur atë ditë, kishin kontrolluar dhunshëm shtëpinë e tyre dhe më pas kishin arrestuar Zyhdiun. Në momentin e arrestimit, Zyhdiu i kishte thënë së shoqes:

“Mos u bëj merak, do të kthehem shpejt, se nuk kam bërë gjë”. Ai nuk u kthye kurrë, pasi bashkë me 21 të tjerë u pushkatuan pa gjyq dhe u mbuluan me dhe’ në një varr të përbashkët në fshatin Mënik, afër Urës së Beshirit në Tiranë.

“Pas 5 ditëve na internuan bashkë me pesë familje të tjera. Edhe sot më ka mbetur në shpirt e në mendje karroceria e hapur e kamionit, ku ishim ngjeshur me njëri- tjetrin. Na sillnin rrugëve të Tiranës, për të bërë terror psikologjik” – kujton vajza e Zyhdiut, Brunhilda.

Internimi

“Na dërguan në Vlorë. Atje na përplasën në çimenton e akullt të Degës së Brendshme, ku kaluam dy ditë e dy net në tmerr. Mandej, na mbyllën në një depo qymyri mbyllur me qepen dhe të ruajtur nga një roje e armatosur. Nënat bërtisnin nga brenda: ‘Hapeni qepenin se po na mbyten fëmijët’. Më në fund, gratë hapën një vrimë në mur, si një frëngji, nga e cila hynte drita dhe pak ajër” – kujton ato kohë të egra Brunhilda, në atë kohë vetëm një fëmijë, por që u rrit si e përbuzur, persekutuar dhe urryer nga sistemi komunist.

Në vitin 1994, pas dëshmive të marra, u gjend varri i përbashkët i 22 të pushkatuarve pa faj. “Në gishtin e babait tim, u gjet unaza e martesës dhe pas analizës dhe inicialeve që kishte, ma dhanë mua, që e kam në gisht edhe sot… Mbaje bijë, – më thanë fshatarët, se është amaneti që ta ka kthyer toka. ” – rrëfen Bruhnilda, e bija e Zyhdi Herrit.

————————-

Lexo edhe:

HISTORIA TRAGJIKE: JA SI E EKZEKUTOI ENVER HOXHA KRUSHKUN E TIJ NATËN E VITIT TË RI…FAMILJA ENDE KËRKON TRUPIN

Kjo është historia e panjohur e Gramoz Omarit nga familja e njohur gjirokastrite, muzikantit virtuoz të orkestrave të Hotel “Dajti”-t, “Adriatiku”-t, “Internacional”-it . Omari i cili pas diplomimit në Fakultetin e Mjeksisë në Tiranë, u caktua si profesionist në Estradën e Kufirit, duke mobilizuar si oficer me gradën e togerit nga Ministria e Brendshme.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult