Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, vlerësoi me titullin “Naim Frashëri” shtëpinë botuese “‘Buzuku” nga Prishtina, e cila u krijua tri dekada më parë, në kushtet tejet të rënda të aparteidit serb, e para e pavarur në gjithë hapësirën ku flitet shqip.
“Kjo nismë sa e dobishme, aq edhe e guximshme për kohën, lidhet me emrin e Abdullah Zenelit, i cili vinte nga shkolla e të mirënjohurës “Rilindja”. “Buzuku” po hynte në jetën shpirtërore të shqiptarëve për të bërë histori me botimin e shumë veprave artistike e historike të elitës intelektuale, duke paraqitur identitetin, kulturën, shpirtin krijues të kombit dhe vlerave të qytetërimit shqiptar”, – theksoi Meta.
Kreu i shtetit u shpreh se “është fakt se ne kemi sot në bibliotekat tona kontributin e çmuar të “Buzukut” për promovimin e shumë thesareve të letërsisë tonë të traditës dhe asaj bashkëkohore”.
“Një faqe veçanërisht e merituar në veprimtarinë botuese të ‘Buzukut’ shënohet me gjurmimin dhe nxjerrjen në dritë të shkrimtarëve shqiptarë, si në Prishtinë edhe në Tiranë, të mohuar me dekada nga censura politike për shkak të ideve të tyre”, – tha Meta.
Presidenti Meta tha se “kjo punë e madhe dhe në kushte shumë të vështira në shërbim të kulturës shqiptare si një e tërë, përtej ndasisë së kufijve shtetërorë, e vendos Abdullah Zenelin dhe ekipin e ‘Buzukut’ në trashëgiminë frymëzuese të Rilindjes sonë Kombëtare”./ATSH