Prezantohet harta që rikthen kujtesën “e fshirë” shqiptare

Foto ilustrim

Nga: Fatmira Nikolli

30 vite pas rënies së regjimit komunist, shumë prej ish të përndjekurve kanë ndërruar jetë. Vendet e kujtesës, janë zhbërë herë nga padija e herë nga mungesa e vizionit. Në një anë nevoja për të harruar, e në tjetrën nevoja për të mohuar, e ka kthyer Shqipërinë në të një skenë ku ish të përndjekur e ish persekutorë, janë pothuaj sërish në të njëjtat kushte; persekutorët si mohues të asaj që ka ndodhur e ish të përndjekurit të pafuqishëm për ta ndryshuar realitetin.

Debati për kampin e Tepelenës,  do ta tregonte qartë se për një pjesë të shoqërisë, ai kamp nuk ka ekzistuar. Ajo që mohohej para ‘90-ës, vijon të mohohet edhe 30 vite pas lirisë. Në mungesë të vendeve të kujtesës e muzeve që e dëshmojnë të shkuarën e afërt, jo vetëm si respekt për viktimat por edhe si ngjarje historike, me zhbërjen e vendeve të kujtesës, me shkatërrimin  e dëshmive, duket se 47 vitet e persekutimit u fshinë përgjithnjë. Me to, edhe varret.

Fraza postulat, “Shqipëria ishte një burg i madh, nga i cili nuk dilje dot e në të cilin nuk hyje dot”, bëhet e prekshme vetëm nëse sheh mbi hartën e vendit, venddënimet, kampet, burgjet, e vendet e punës.  Shqipëria ishte një burg i madh, dhe qelitë e tij ishin shtrirë kudo. Anë e kënd në të gjithë hartën e vendit. Një vit pas promovimit të një harte me vendet e kujtesës, Fondacioni “Kujto.al” prezantoi platformën online hartaekujteses.al si një variant praktik dhe lehtësisht i aksesueshëm. Nga burgu i Pleqve në Zejmen te ai për të miturit në SHën Koll. Nga Shën Vasili në jug te burgu i grave në Belsh, Harta e Kujtesës, shenjon të gjithë vendet që u harruan në 3 dekada, nga nevoja njerëzore për të harruar dhimbjen e nga deshira çnjerëzore për të mohuar dhimbjen e të tjerëve.  E prezantuar në kuadër të “Ditëve të Kujtesës” organizuar nga IDMC, për projektin folën Blerina Gjoka, Admirina Peçi dhe Erald Kapri nga Fondacioni “Kujto”, ndërsa platforma online rikthen në vëmendje të shkuarën e palavdishme të Shqipërisë që hante veten.

Përmes kësaj harte, fondacioni Kujto, me mbështetjen e KAS Albania, realizon një nga qëllimet e tij për pasqyrimin e të dhënave mbi krimet dhe viktimat e komunizmit në mënyrë praktike, interaktive dhe të aksesueshme nga kushdo. Mbi hartën gjeografike të Shqipërisë janë shënuar me simbolet përkatëse: Burgjet, Kampet e Përkohshme të Punës dhe Vendet e internimit.

“Gjatë punës tonë me fondacionin Kujto kuptuam se terrori komunist ishte shtrirë në të gjithë territorin e vendit duke e kthyer Shqipërinë në një burg të madh, ku jo vetëm burgjet klasike, por edhe kampet e internimit, fillimisht me tela me gjemba dhe më pas si kampe pune të detyruar që zhvendoseshin në cdo front pune ku regjimi kishte nevojë,   apo kamp-burgjet statike, i kishin kthyer të burgosurit politik në skllevër pune”, tha Agron Shehaj, themelues i “Kujto.al”. Sipas tij, harta e vendeve të vuajtjes lindi kësisoj si një projekt i ri i Fondacionit Kujto për të realizuar një punë të detajuar të skemës së internimeve dhe burgosjeve dhe për të shenjuar në hartë vendet që u përdoren për persekutimin komunist.

Një kategori së cilës i është kushtuar vëmendje është ai i vendeve të internimit, që përmbledh vendet gjeografike ku dërgoheshin të internuarit dhe jo emërtesën zyrtare “vend internimi” që zëvendësoi në disa raste emërtesën “kamp internimi”. Kjo kategori përmban Kampet e Rrethuara të viteve të para dhe vendet e Hapura, ku internoheshin të dënuarit pas mbylljes së kampeve me tela me gjemba.Harta e kujtesës sjell gjithashtu Dokumente dhe Dëshmi të të burgosurve dhe të internuarve për ta bërë sa më të saktë dhe sa më të gjallë përfytyrimin për këto vende dënimi.Të dhënat për burgjet, kampet e punës dhe vendet e internimit janë mbledhur duke shfletuar Arkivën e Ministrisë së Punëve të Brendshme, studimet e deritanishme në këtë fushë, ku veçojmë autorin Kastriot Dervishi, botime të ISKK dhe shtëpive botuese me autorë ish-të dënuar politikë dhe dëshmitë e shumta që Kujto.al ka mbledhur gjatë këtyre viteve.Kjo veprimtari është gjithmonë në proces për ta pasuruar nga ana e përmbajtjes dhe për ta modernizuar nga ana e paraqitjes, Hartën e Kujtesës, hartën që nuk duhej t’i mungonte Shqipërisë.