PriFest sivjet mbahet në korrik, hapet me filmin “Vera andrron detin”

Filmi kosovar “Vera andrron detin” në regji të Kaltrina Krasniqit është filmi që do të hap edicionin e 14-të të PriFest.

“Vera andrron detin” pati premierën botërore vitin e kaluar në Festivalin Ndërkombëtar të Venedikut. Dhe është shfaqur me sukses tanimë në 20 festivale në mbarë botën në konkurrencë zyrtare. Filmi ka fituar 8 shpërblime të rëndësishme, nga të cilat edhe çmimin filmi më i mirë në festivalin prestigjioz të Tokios, bën të ditur faqja në Facebook e filmit “Vera andrron detin”.

“Është bërë traditë tanimë që PriFest-in ta hapim me një premiere të filmit nga Kosova. Na gëzon fakti që filmi të cilin e promovuam në edicionin e vitit të kaluar teksa po përgatitej për Venedik dhe i cili ka qenë pjesë e best pitch, do ta sjellim për publikun kosovarë në PriFest. Promovimi dhe përkrahja e filmave vendor dhe filmbërësve tanë është një nga objektivat kryesore të festivalit, prandaj jemi shumë të lumtur që përsëri këtë vit kemi një premierë të filmit nga Kosova. Aq më shumë të një regjisore debutante kosovare, si Kaltrina Krasniqi. Vala e Re e kinemasë kosovare po vazhdon, dhe ne jemi mbështetës krenar të saj”, tha Vjosa Berisha, drejtore e PriFest-it.

Filmi “Vera andrron detin” shtjellon një temë shumë të rëndësishme lidhur me pronën dhe të drejtat e grave në pronë.

Vera, një grua në moshë mesatare, detyrohet të ballafaqohet me realitetin e çështjeve gjinore me rrënjë të thella. Kur pas vetëvrasjes së bashkëshortit të saj, fillojnë të shfaqen fijet e një skemës së nëntokës.

Filmi “Vera andrron detin” është bashkëprodhim mes Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Regjia: Kaltrina Krasniqi, skenari: Doruntina Basha. Producent: Shkumbin Istrefi, ko-producentë: Ognen Antov, Dionis Papadhimitri, Kaltrina Krasniqi.

Drejtore e fotografisë: Sevdije Kastrati. Montazhi: Vladimir Pavlovski, Kaltrina Krasniqi. Muzika: Petrit Çeku, Genc Salihu. Në rolet kryesore: Teuta Jegeni Ajdini, Alketa Sylaj, Refet Abazi, Astrit Kabashi.
PriFest shënon edicionin e 14-të këtë vit dhe do të mbahet në data 26-31 korrik.


Lexo edhe:

‘VERA ANDRRON DETIN’ FITON ÇMIMIN E POST REPUBLIC NË VLERË TË 50 MIJË EURO NË SARAJEVË

TEKSTIN E PLOTË MUND TA LEXONI KËTU

ObserverKult