Primo Shllaku: Gjithçka këtu flet për ty, gjithçka…

Primo Shllaku
Primo Shllaku

Ka disa lojna që u përngjasin luftave, në të cilat të mundunit
u përngjasin të vdekunve…

P. Sh.

Ai kishte fillue me shkrue poezi qyshse ishte ushtar. Shokët ia kishin vu re veçimin, e kishin ruejtë dhe ia kishin kapë disa vjersha, të cilat ai ia kushtonte nanës së vet. Mbasi i kopjuen dhe i mësuen përmendësh, ia vunë prap në vend.

Nji natë, kur u fik drita e kapanonit, filloi recitimi i poezive nëpër errësinë. U ba gaz i madh.

Atë natë, megjithse emni i tij nuk u përmend, megjithse vargjet e tij u recituen me saktësi dhe pa asnji shtrembnim, ai u trondit fort.

Ajo ngjarje nuk e pengoi me mendue përsëri dhe me pa si në vjershat, por, për të shkrue, nuk shkroi ma.

* * *

Kishte nji copë të mirë që kishte ra terri kur të dy, ai dhe e ama, u futën në rrugicën e shtëpisë së tyne. Ai ia kishte futë krahun dhe, gjatë gjithë rrugës, e kishte ndie plogështinë e trupit të saj dhe kambët i hanin të ecte ma shpejt. Prej fare afër ia dallonte frymëmarrjen e saj të randë, frazat që i mbeteshin përgjysmë për mungesë fryme dhe prirjen e saj të dukshme për të bisedue me fjalë njirrokshe.

Grues i mbërtheu kamba në diçka. Edhe djali u gjet bosh në atë çast.

-Uf, – turfulloi grueja, – çfarë terri i frikshëm. S’shef njeriu se ku e ven kambën. Nuk e marr vesht pse nuk venë llampa në shtyllë ?

-A nuk ke këpucë pa taka ti, nanë ? i foli si kundra i biri.

-Kur delet për vizitë, nuk asht njilloj si me dalë në oborr për fresk, – ia priti ajo me inat dhe e tërhoqi me vete.

Kur mbërritën te gjysma e rrugicës, u shfaq trupi madhosh i shtyllës elektrike. Të dy ngritën krenat dhe, në qiellin që ruente ende dritat e fundit, u pre trajta e ndriçuesit rrugor të pandezun. Te shtylla ata shquen nji lamsh hijesh të pshtetuna për mur.

Sytë e djalit hetuen se ishte nji çift, që shtrëngohej në mes murit dhe shtyllës. I erdhi zor dhe sakaq i hoq sytë prej andej. Krahu i tij u lehtësue për krah të s’amës.

Grueja po i ndiqte ngultas me sy, sepse, duket, ajo ende ende nuk po arrinte me marrë vesht se ç’ishte ai lamsh hijesh. Kur u kaluen përbri, u ndigjuen kjartë puthjet e tyne kërcitëse dhe nji si dihatje ankuese.

Plaka kuptoi, por vazhdoi t’i ndiqte me sy derisa i lejoi qafa. Ajo e shpejtoi hapin. Mes tyne ra nji heshtje e pakandshme. Ai kishte përshtypjen se, megjithë hapin e shpejtuem, ata s’po arrinin me u largue prej çiftit, kaq afër vazhdonte me i ndigjue djali puthjet dhe fëshfëritjet e rrobave të tyne sintetike.

Papritmas e ama u soll kah ai. Nëpër errësinë, ai e ndieu synin e saj të njoftun shigjetues. Qafa e tij u ngri prej shtrëngimit. Ma në fund, u soll edhe ai dhe po e shifte të amën me pafajësi.

-Po ti, pse rrin si qyqar ? Kur e ke ndër mend me u ba burrë ? Apo edhe atë me ta gjetë unë?

Këto fjalë të s’amës ai i mori në ftyrë. Ndjeu erën e saj të djersës të përzieme me aromën e të kuqit të buzëve, që ajo vente kur delte për vizita. Fjalët e saj nuk ishin qortuese, por të zgjatuna e me nji za të trashë si gërhatje.

Ai shikoi përsëri përpara, diku kah fundi i rrugicës. Ftyra iu hap nga nji gëzim i papritun. I erdhi me buzëqeshë.

Ajo deshi t’i thoshte edhe diçka tjetër, u përtyp, bani nji lëvizje spjeguese me dorë, por fjalë nuk nxori nga goja. Atij iu ba qejfi që kjo batutë e s’amës qe shue në kokën e saj. Për sonte ai nuk donte ma. Të tjerat që mund të thoshte ajo, edhe mund ta rrëgjonin gëzimin e tij, sepse e dinte se e ama pjesën e mirë të muhabetit e lëshonte ose në fillim, ose në fund. Pjesa tjetër ishin vrejtje, shamje, fjalamujtje, ironi dhe nerva.

E tundi në krah të birin e i tha :

-Luej vendit, a merr vesht ? Nuk je ma i keqi i shokëve. Këtë dhjetor mbushe tetë vjet që je lirue prej ushtrie.

-Shtatë, – tha ai me gjysmë zani.

-Nejse ma. Unë them, hapi sytë, njifu, venia dikujt gishtin.

Ndërkaq ata kishin mbërritë te dera e shtëpisë. Djali liroi krahun e së amës, ngjiti me shkathtësi tri-katër kambëshkallët e hymjes dhe u vu me hapë derën.

* * *

Jo shum kohë mbas ngjarjes në rrugicë dhe zemrës që i dha e ama, Nini u fejue. Ishte fillim vjeshte dhe punët u kombinuen me pjesëmarrjen e të gjithëve. Simbas zakonit u banë ceremoní, bankete me shum e pak njerz, u banë vizita të gjata e të shkurta, derisa edhe ato mbaruen e çifti ,ai dhe ajo, mbetën vetëm për vetëm para

tanë kohës së tyne, tue pasë tashma mbas shpine shum lodhje, bezdisje, kontraste, bile edhe ndonji prishaqejf. Kjo pra do të ishte hera e parë që ata të dy do të delnin të pashoqnuem, të patrazuem, vetëm për vetëm me njeni tjetrin, por ndoshta edhe përballë…

Ato ditë kishte ra vazhdimisht shi, nji shi me hope e zhdavaritje moti, që sillte copa dite të freskta e plot ndriçim.

Nini nuk donte kurrsesi me shkue shum herët te ajo. Parapëlqeu të nisej në orën kur drita e ditës bie dhe muzgu zgjat. Ndoqi me vemendje zhvillimet e motit. Nga mbasdita koha u hap, re kishte, por shiu dukej se nuk kishte gjasë.

Me fillimin e muzgut re të reja hynë në qiell dhe u ba nji terrinë e paparashikueme. Atij iu duk se ishte vonë dhe u çue me u nisë.

-Po dal, – i tha s’amës.

-Mos harro çadrën, – i foli ajo dhe u ba gati të dilte me e përcjellë.

U ndez nji debat i vogël. Ai ngulte kambë se s’ka shi, ajo i thoshte merre ta kesh.

Nini hapi derën e shtëpisë, zgjati pëllambën nga qielli e foli me vendosmëni :

-Pikëlim asht.

E ama u tërhoq pa bindje. Kurse ai vetë e dinte mirë se në raste të tilla, s’kishte dalë ndonjiherë pa çadër, por sonte e kishte planifikue me dalë vetëm me të fejuemen dhe çadra, nuk di se pse, iu duk si nji njeri i tretë.

Doli në rrugicë dhe pa se shiu binte me pikëla të rralla e ma fort të sjella prej resh, që s’i kishte mbi krye. Nji shkulm ere ia çau flokët, por me të shpejtë e drejtoi kokën në atë mënyrë që e ndjeu se ata i ranë prap në vend të vet. Kur doli në rrugën e madhe, i shpejtoi hapat. Nuk kishte lanë orë, por donte që edhe shum vonë të mos delte për shetitje. Nësa shpejtonte hapin, pika të mëdha iu duk se imitonin hapat e tij të mëdhej, të ngutun e kërcitës. Kur u fut në rrugicën që të çonte te shtëpia e saj, nga prendimi qielli u hap papritmas, mbi fasadat e shtëpive ra nji dritë e verdhë në të kuqrremtë.

Mbi supet e Ninit shiu e shtoi pikëlimin. U hodhi nji sy supeve dhe vuni re se mbi stofin e xhaketës pikëlat binin me forcë, thyheshin në nji mijë rruza uji, nji pjesë e të cilave mbetej e paprekun mbi pushin e lehtë të stofit. Iu ngjit shkallëve deri në katin e dytë dhe, para se t’i binte ziles, u rregullue edhe njiherë. Shkundi supet me dorë dhe ndieu se ata ishin njomë prej shiut. Kur i ra ziles, dikush ndodhej gati për t’ia hapë. Ishte i vllau i Lelës, i të fejuemes së tij.

Sapo u fut në koridor, mendoi se, për herë të parë, qyshse hynte në të, kjo shtëpi ishte e qetë, pa zane njerëzish të huej, pa erë tym duhani e pa erë rakie të përzieme bashkë. Dyshemja dhe shtresat e saj ishin të pastra e të tendosuna, sa ai pati si zor me ecë përmbi to. Kjo vetmi e shtëpisë i pëlqeu. Këtë herë, pra, ai nuk do të kishte shum ceremoni për të ba. Rrëmuja dhe kallaballëku i ditëve të para ia kishin

ndrydhë shumë kënaqësi, që ai ishte nisë me plan prej shtëpisë së vet për t’i shijue në shtëpinë e saj.

-Ku asht Lela ? pyeti të kunatin.

-Tashti vjen. – Ka shkue këtu poshtë për me marrë lule.

Televizori ishte i ndezun, por me za të ulun. Ishte nji shfaqje e teatrit të kukullave.

Nini u ul.

-Baba me nanën ku janë ? – pyeti përsëri.

-Këtu nalt në shkallë, te nji komshi, – u përgjigj djali që po rrinte në kambë. – A do që t’i thërras ?

-Jo, jo, – kundërshtoi Nini.

Djali çoi zanin e televizorit e dhoma u mbush me zane njerëzish të panjoftun e të shtimë. Nji tjetër herë Nini do të ishte çue ta mbyllte.

-Unë nuk isha në shtëpi, – filloi vetë të spjegohet i vllau i Lelës. –Tashti sapo erdha. Nana më tha me të thanë se Lela nuk vonohet, se ka shkue me marrë nji tufë lulesh këtu afër, te shoqja e saj.

Nini buzëqeshi me durim.

Vllai i Lelës u afrue te dritarja dhe hodhi shikimin poshtë, tue e ngjeshë faqen për xham. Ninit i pëlqeu që dikush po interesohej për ardhjen e shpejtë të Lelës. Nji herë tjetër ai do ta bante vetë këtë gja. Por e mbante veten dhe merrte pamje të qeta prej njeriu, që e ka kohën me bollëk.

I kunati erdhi e u ul përballë tij.

-Mot i marrë sot. Herë shi, herë diell.

Nini bani nji gjest indiference.

-Asht e bukur se lagesh pa kuptue gja ndër këso ditësh, – vazhdoi prap i vllau i Lelës.

Nini dukej i shqetësuem. Kukllat në TV po banin poterë dhe ai s’po e ndiqte të kunatin.

-Ta ul pak ? – tha djali.

-Fike krejt, – u përgjigj Nini.

Në dhomë ra qetësia. Vuni re se pjesa ma e madhe e sendeve këtu rreth tij ishin të kuqe. Qilimi, divani, mbulesa e tavolinës, perdet. Kjo gja e ngacmoi. U kujtue se në në dhomën e vet ngjyra e kuqe pothuejse mungonte fare.

Kapi paketën e cigareve dhe, mbasi e solli nëpër duer, e afroi te hunda e i mori erë. Era e duhanit iu duk e kandshme dhe ai e përsëriti veprimin.

-Ndeze nji, – tha djali dhe kapi çakmakun.

-Jo, jo, s’e pi, – tha Nini dhe i kapi dorën.

Dora e djalit ishte e ftoftë dhe pak si e lagësht. Nini e vështroi. Në këtë çast ai përngjiste shum me Lelën.

-Ku kanë mbetë lule ma tashti, – foli gati pa vetëdije Nini.

-Hë, pra, – tha djali dhe u ngrit.

Ai u afrue prap te dritarja. Jashtë po binte nata e dritat e fundit të ditës po faleshin me të shpejtë. Në dhomë hyni hija. Sendet e kuqe u banë ngjyrë vishnje.

-Erdhi, – thirri djali, nësa matej me hapë dritaren. Atij i qeshi ftyra. Dukej i çliruem prej ankthit që po e lodhte qysh prej ardhjes së Ninit. Shkoi me vrap te dera, por, me ftyrën e ndriçueme prej nji ideje që po i shkrepte atypëraty, iu afrue Ninit dhe i tha me ngut :

-Futu në aneks. Çou, këtej, këtej, në aneks.

Nini u topit, mandej u bind. U ngrit i lehtë dhe u fut në aneks.

-Mos ban za. Ta ngacmojmë pak, – tha djali që kishte ma shum sheja sesa fjalë, ndërsa lëkura i tendosej nga përftyrimi i rezultatit të idesë së tij. Drita e dhomës u fik.

Në aneks mbas perdes ishte nji tortë e madhe. Pranë saj, nji gotë e vogël pijesh mbante dy karafila të mëdhej të kuq.

Mbas pak zilja e derës ra me padurim. Hapat e djalit tregonin se ai po shkonte ta hapte pa ngut e gati si me përtesë. Me hapjen e derës, nji shkulm madh ere pushtoi shtëpinë. Perdja e aneksit u prir përjashtë. Uturima e erës e pengoi Ninin të ndigjonte nëse ata të dy folën diçka në korridor. Krisma e bravës solli përsëri heshtjen në shtëpi.

Nini shquejti hapat e saj prej krismës së takave.

-Hë, foli ajo. Pse s’e ke ndezë dritën ?

-Kot, – u përgjigj i vllau.

U ba nji heshtje. Ninit i rrihte zemra. Në ftyrë i erdhi nji ngërdheshje e lehtë. Kjo ngërdheshje donte me thanë se edhe ai po merrte pjesë në këtë lojë.

-A ka ardhë kush ? – pyeti zani i vajzës.

-Kush, për shembull ? – pyeti ftoftë zani i djalit.

Përsëri heshtje në dhomë. Nini nuk dinte se ç’po ndodhte. I erdhi mendimi që të zgjaste pak kokën e të shifte mbas perdes. Ideja e përgjimit ia ftofi mendjen.

-Hë, pra, fol, – kambënguli vajza. – S’ka ardhë kush ?

-Kush asht ky kush ? – e pyeti prap i vllau me nji gjakftoftësi nervozuese.

-Ai, – foli shkurt Lela.

“Ai jam unë”, – mendoi Nini, i mshefun në aneks.

-Pse, a të ka marrë shum malli pë te ? – u ndigjue zani ironik i djalit.

Këtu Ninit iu duk se kishte ba mirë që ishte mshefë e se mirë që po zhvillohej ky dialog. Kurr nuk i kishte shkue në mend se marrëdhania e tij me Lelën kishte edhe këtë anë, të cilën padashje ai kishte rast ta merrte vesht tashti.

-Malli ? – u ndigjue zani pak i shtrembnuem i vajzës. – Farë djali ai me më marrë malli për te. Gja i bukur fort, nuk e shef ?

-Kush po na flet. Ti çmendesh për të, – vazhdoi ngacmimin i vllau.

-Unë ? A ia ke pa hundën ? Të madhe e pak si anash. Lene kur ecë ma…i ngrimë si me qenë prej allçie.

Nini ndigjoi kërcitje të lehta nëpër dhomë. Iu duk se shquejti hije të mëdha duersh në murin përballë dhe mbi perden prej pëlhure të aneksit.

-Ej, ej, si flet ashtu ? – e qortoi zani i shqetësuem i të vllaut. – Ai asht i fejuemi yt.

-Punë e madhe, – ia priti Lela. – Se mos e gjeta unë. Çka me ju ba ju, se ai…s’kishte pa me shkelë në këtë shpi.

Djali erdhi te aneksi dhe hapi perden me forcë. Ishte i prishun në ftyrë.

-Pusho, moj gomaricë, se Nini asht këtu, – tha me dëshpërim.

-Leni lojnat ! – tha ajo. Zani i vajzës ishte si i shqyem. – Kujton ti se kam frikë ndokënd ? Sa të vijë, e shef ti, po nuk ia thashë në sy të gjitha këto që të thashë ty.

-Pusho! –i thirri i vllau. – Pusho! Del, mor Nin, se kjo motra ime ka luejtë mendsh.

Nini rrinte i bamë dyfish në aneks. Djali ndezi dritën dhe Nini e ndjeu sesa i ishte rrëgjue shtati në këta pak çaste të kësaj shakaje.

Djali ngriti kryet dhe tha me za të mekun:

-Jo, jo, do të rri ktu.

I ndejun në karrike, pranë tortës së madhe dhe gotës me karafila, nën dritën verbuese të nji llampe të fortë, Nini qëndronte i paaftë për ta pushue diku shikimin e vet. Mbi cipën e lëkurës së ftyrës i ndehej nji djersë ngjitëse si lyrë.

Ajo mori vesht gjithçka, hangri buzën me dhambë, vrapoi e u shemb në divan. Dhoma u mbush me dënesat e saj. I vllau shkoi ta pajtonte, por ajo e shtyu dhe diçka e shau nëpër dhambë.

-Ti e ke fajin, ti e ke fajin, – bërtiste ajo e mbytun në lot.

Djali kishte mbetë si i shushatun. Shkonte sa te divani, sa te aneksi. Askush ma nuk i përgjigjej. Të dy lojtarët që ai i kishte ndërlidhë deri atëherë, tashti ishin krejt jashtë kontrollit të tij. Ma në fund zuni vend në tavolinë e vari kryet.

Nini e kaloi goditjen e parë. Mundohej të sillte ndër mend ato pak herë që ishte takue me Lelën, të rishoshiste fjalët, qëndrimet e situatat që kishin shkaktue entuziazëm jo vetëm tek njerëzit e saj, por edhe te ai vetë. Por gjithçka i vinte mendjes së tij kaq shpejt e kaq shkurt, sa ai nuk ishte në gjendje me u përqendrue. Me Lelën kishte pak që ishte njoftë dhe gjithçka u përmbys me lehtësi. Ai po hetonte se ngjarja e para pak çasteve ia kishte hy mbarë dhe po përmbyste përherë e ma thellë në jetën e tij të kalueme. Ndoshta bile ai s’e kishte ditë se në jetën e tij kishte pasë aq grimca ngjarjesh, të cilave tashti përmbysja po ia vërtetonte qenien. Ngjarjet e paka e kujtesa e rrallë banë që vala goditëse që shkaktoi loja e të vllaut të Lelës të përhapej shpejt, të rroposte gjithçka para saj, të shkelte kohët e fëmijënisë dhe të ndalej në errësina pa kujtesë.

Po rrinte prap në atë tavolinë që, kur kishte hy, i qe dukë mikpritëse dhe e pastër. Para tij torta e madhe që shkëlqente nga freskia, i dukej nji akull i egër që, po ta kafshosh, ma tepër se kurrgja, të djeg e të përzhit. Në gotën e vogël, dy karafilat e hapun anash, në fillim i kishin dhanë përshtypjen e çiftit të ri, të atij dhe të Lelës, e tashti i dukej se ata shtyheshin e largoheshin, të zanë ngusht në rrethakun e buzës së gotës.

Në divan Lela qante me ngashërim. I vllai i saj rrinte i ngrimë, pa shprehje në ftyrë.

Kur vajza la lotët dhe u ngrit të fshihej, i vllau e ndoqi e i shkoi pranë. Ajo e shtyu lehtas e diçka i pëshpëriti mes dënesash.

-Hajde tashti, pajtohuni, – i foli djali. – Sa herë shahemi na me shokët…

-Ti e ke fajin, ti… ‒ i thoshte vajza. – S’janë lojna këto, s’janë lojna…

U dha flokëve mbrapa dhe qëndroi te tavolina e madhe në mesin e dhomës. Prej aty ajo shifte përgjysëm trupin e Ninit, që rrinte i ngrimë në karrike.

Me za të marrun e përmes dënesash të egra, ajo filloi t’i fliste :

-Ky im vlla, ky budallë na shkatërroi. Çka do ky me ne ? Pse përzihet me ne ky ?

Dhe i erdhën përsëri lot ndër sy.

-Nin, nuk deshta me të fye. Unë mendoj ndryshe për ty. A i shef ato lule ? Për kë i solla këto lule, për kë ?

Shkoi në korridor dhe erdhi me lulet. Hodhi tufën para tij mbi tavolinë. Lulet u shpërndanë dhe petale të randë ranë përtokë.

-Për ty i mora…që t’i gjeje ti. Shif këta dy karafila. Qysh dje i kam këtu…bile i fola asaj që m’i solli se ishin me bishta të shkurtë… Torta…qe torta. Ky e bleu. Unë e çova ta blente. Gjithçka këtu flet për ty, gjithçka. Ky na i prishi, na i prishi të gjitha…i mallkuemi.

Me fjalën “i mallkuemi” djali u çue në kambë me nji zemërim të dukshëm. Eci dhe doli në korridor. Nini nuk jepte asnji shej jete. Rrinte i mpimë dhe kjo gja Lelën e dëshpëronte. Për nji çast ajo e ndieu se i kishin mbarue fjalët. Cepi i ftyrës së tij që shifte ajo nga vendi prej ku po i fliste, i dha përshtypjen ma fort të nji rrobe të varun. U soll me rrëmbim dhe u përplas në divan. Ftyra iu mbulue me flokë. Trupi iu përdrodh.

Nini çoi pak kokën dhe pshteti pëllambët mbi tavolinë. Hodhi sytë mbrendë në dhomë dhe shquejti trupin e Lelës që shkundej prej ngashërimesh. Kambët e saj ishin shlidhë si gjymtyrë trupash të ndryshëm. Kamba e majtë e saj, me pjesën e kofshës mbi gju që trashej papritun, iu duk nji gja e largët dhe e përmbysun. E kqyri me sy të ftoftë e të ngopun dhe ndjeu neveri. Po të ishte nji herë tjetër, ai do të çohej që ta mbulonte atë pjesë të trupit të saj. Por ai trup i dukej tashti larg, tepër larg sa s’ia vlente barra qiranë të ngrihej e të shkonte deri te ai. Largësia mes saj e atij i dukej nji humnerë e errët, që ai s’mund ta kapërcente kurrsesi me atë mpimje e neveri që ndjente.

Ninit i shkuen sytë te gota me karafila. Njeni prej tyne kishte dalë nga gota dhe kishte ra me bishtin përpjetë. E kapi mengadalë dhe e futi prap në gotë. Për nji çast u duk se qëndroi, por sapo Nini i largoi sytë, karafili rrëshqiti prej gote, u përmbys e ra si ma parë. U përpoq me durim disa herash, por përherë e ma e zorshme iu duk. Ai karafil randonte dhe rrëshqiste përjashta.

“Ky do të jem unë”, – mendoi Nini. E la karafilin me ndejë si donte vetë dhe u çue lehtë. Doli prej aneksit dhe u fut në dhomë, tërhoqi nji karrike dhe u ul. Prej atij pozicioni ai nuk i shifte ma kambët e shkartisuna e kofshën e zbulueme të Lelës. Kjo gja filloi ta qetësonte dhe ai doli nga mpimja e fillimit. Llampa e dhomës ishte ma e vogë se ajo e aneksit dhe kjo gja ia fashiti sytë. Ai tashti mund t’i mbante sytë gjysmë të mbyllun e të vehej për hap me mendimet e veta.

“Sa dritë e fortë ishte ajo e aneksit”, – mendoi dhe u kujtue sesa fort ia kishte dhunue sytë ajo dritë verbuese në ata pak çaste të ndejtjes së tij atje.

Papritmas Lela u çue dhe doli në korridor. Nini ndigjoi derën e banjos që u përplas dhe që u mbyll me çelës nga mbrendë.

Nini zgjati dorën padashje dhe kapi kutinë e cigareve. I mori erë thellë. Përsëri aroma i pëlqeu. I erdhi me ndezë nji. Uli dorën dhe lëshoi kutinë. E kuptoi se nuk mund ta çonte ma asnji veprim deri në fund. Gjithçka i dukej qesharake dhe kishte bezdi të mendonte ma gjatë.

Prej diku në dhomë u fut i kunati, i doli mbas shpine, iu afrue Ninit, e preku lehtë në sup dhe i foli me za të pakjartë :

-Po dal. Mirupafshim. Ty po të gjej prap ktu.

Nini s’pati kohë me u sjellë. Djali kaloi me hapa të shpejtë dhe dera e shtëpisë u mbyll butë mbas tij.

Përjashta nata kishte ra plotësisht dhe vetëm dritat e marrta të qiellit nga ana e prendimit fikeshin si nji vetdije e fyeme. Pika shiu binin mbi pragun e dritares dhe stërpiknin xhamat, tue lanë mbi ta xixa të ndritshme përherë e ma të shpeshta.

Jashtë kishte fillue shiu dhe ai e ndjente se kjo mbramje, të cilën ai e kishte përgatitë me aq kujdes, ishte djegë si për lojë. Nji mbramje të dytë, të tretë e kështu me radhë nuk do të kishte ma, sepse kjo lojë i kishte djegë të gjitha mbramjet. Ai, dikur poet, papritmas nji natë, po për lojë, kishte pushue së qeni poet. Dhe nuk kishte shkrue ma. Kishte heqë dorë nga të shkruemit jo se ishte fye, por se atij i kishte ardhë turp prej shkrimeve të veta. Ata i kishin krijue nji ndjenjë neverie dhe frike prej vetes. Prandej u kishte dhanë fund shkrimeve dhe s’e mbante ma veten për poet. Po për të njajtën arsye, mendonte, loja e sontme ia kishte djegë të gjitha mbramjet. Ai nuk do të ishte ma i zoti të zotnonte nji mbramje tjetër, sepse atij do t’i vinte turp t’ia hynte kësaj pune, do t’i përsëritej nji ndjenjë neverie e frike ndaj vetes. Dhe shejat ishin të kjarta. Ai s’kishte mundë me durue kambët e partallisuna të Lelës mbi divan e sidomos atë pjesë të kofshës që trashet përmbi gju e s’dihet se ku shkon.

Ideja se i kishte humbë mbramjet, e përqethi. U rregullue mbi karrike, drejtoi shpinën në njilloj drejtqëndrimi, a thue se donte që kjo e papritun, e kryeme tashma, të mos e gjente të shtendosun.

Dera e banjos krisi lehtë dhe çelësi që e hapte, nuk e pati ma atë kërcitjen ngacmuese. Ndjeu hapa në korridor. Lela kishte heqë këpucët dhe po ecte me pantofla. Ajo i kaloi pranë. Hija e saj i preku krahun dhe ftyrën. Hyni në aneks. Mori lulet dhe erdhi që t’i vendoste në vazon boshe të tavolinës së madhe.

“Lela po i ven në vend të gjitha”, – mendoi Nini. Ajo e mbushi vazon me ujë, rregulloi me dorë lulet me disa lëvizje të natyrshme e të shlirta, sikur po i mësonte ato lule të rrinin mirë në vazo e të drejtonin shtatin për pjesën tjetër të ceremonisë. Mandej u ul pranë tij.

Nini çoi kryet. Mbi ftyrën e saj nuk kishte pothuejse asnji shej vaji. Ishte krehë, rregullue. Mollëzat i kishte të zbehta, por sytë i kishte plot lang të ndritshëm. Anës ftyrës flokët i kishte pak të lagët e kjo ia përcaktonte ma mirë tiparet.

Ajo u ndërroi vend taketukeve, cigareve, çakmakut, i radhiti shpejt e shpejt simbas nji rendi të ri, a thue se emat e tyne të ishin të shkrueme mbi siprinën e tavolinës. Mandej zgjati dorën dhe, me majën e gishtave, preku dorën e Ninit. Ninit iu duk dora e vet shum larg.

-Harroje, Nin, harroje. Ec të dalim tashti. Bie shi, po s’ka gja, eh ?

“Lela po i ven në vend të gjitha”, – mendoi prap Nini. – I rregulloi të gjitha simbas planit të saj : lulet, flokët, ftyrën, humorin dhe ajo tashti asht atje ku duhet të ishim të dy, para se të errej nata, para se të fillonte shiu.

Nini ia pati lakmi. Pak lot, pak ujë, disa fjalë dhe ajo e kishte ringjallë prap mbramjen e saj. Ajo nuk pranonte ta sillte ma ndër mend ngjarjen e lojës që u punoi i vllau. Kurse Nini ishte kthye në përmendore e asaj loje, në diçka që duhej me çdo kusht ta kujtonte dhe ta ringjallte atë në valën ma të nxehtë të shpërthimit të saj të parë. Nini ia kishte lakmi Lelës. Ajo kishte ditë t’i vente të tana prap në vend. Ajo kishte pasë kohë të pendohej, të kërkonte të falun, të lahej e të freskohej, të kthehej për ta rifillue atë mbramje, që do të ishte nata e parë vetëm për vetëm me të fejuemin e saj. Kurse ai ende s’po kuptonte se çfarë i kishte ndodhë, kur po rrinte fare i shkujdesun mbas perdes së aneksit në pritje të diçkaje, që ai me siguri e parashikonte se do t’i jepte edhe nji kënaqësi ma tepër nga ç’kishte planifikue për atë mbramje.

-Apo ke qejf të rrimë ktu, mbasi bie edhe shi jashtë, – foli papritmas vajza.

Nini e vështroi Lelën. Ajo ishte aty me të gjitha ato që ai kishte pa e përftyrue në ato ditë të gjata pritjesh e ceremonish, bile, ndoshta ajo sonte kishte edhe ma tepër. Por Nini ndihej i papranishëm. Ai nuk mund të merrte pjesë as në zanin lutës e pak të zanë të vajzës, as në dorën e saj të gatshme që shtrihej pak ma andej se e vetja, as te sytë e ftyra e saj që ishin kthjellue. Gjithçka në te kishte mbetë vetëm dëshirë. Nji hap ma andej vinte e pakapshmja, e pamunduna. Gjithë ato gjana që i blatonte ajo, ishin përtej se i mbërrinte dora atij. Prandej dhe ai nuk bante ma asnji përpjekje me i arritë.

-Po rrimë ktu, – foli Nini dhe nuk e njofti zanin e vet. – Tashti të vijnë edhe prindët.

Lela u ndie e kënaqun që Nini filloi përsëri me folë. E pyeti nëse donte të hante apo të pinte diçka, por ai nuk dha ma asnji përgjigje.

Mbas pak trokiti dera dhe erdhën prindët e Lelës. Banë pak zhurmë dhe folën me përzemërsi. Diskutuen për kapriçot e kohës, për shiun në qytet, për vjeshtën me fruta, por me lagshti, për lulet, për ngjyrën e dhomës e mandej fjalët mbaruen.

I ati i Lelës nxori raki. Nini nuk pranoi. Lela me të amën ishin në aneks. Ato diçka bisedonin me za të ulët. Kur erdhi në dhomë, e vjehrra e vështronte Ninin me sy ma shqyrtues. Nini e ndjeu këtë dhe i shmangej vështrimit të saj. Lela i solli nji copë të madhe torte dhe ia vuni përpara.

-Urdhno e haje se asht e freskët, – i foli e vjehrra
Nini e nguli pirunin pa shije e pa dëshirë. Nga mesi i fetës piruni ndeshi diçka të fortë. Dora e Ninit kambënguli. Pengesa u shkërmoq, feta u hap dhe piruni gërvishi pjatën. Po të ishte nji herë tjetër atij do t’i përqethej shtati dhe do ta mbulonin morrnicat. Futi në gojë dy a tri kafshata të vogla. Bante kujdes që të mos përlyhej me krem dhe, pa e mbarue copën, e shtyu pjatën përpara. Iu vunë ta vazhdonte, por ai nuk donte ma.

-Mos iu veni shum, – ndërhyni e ama e Lelës. Nuk do sonte, pjesën e tij ia ruejmë. Vjen e nesërmja prap.

Nini ndejti edhe pak, mandej mori leje me u çue. Të gjithë ngulën kambë që ai të rrinte edhe pak, por ai dukej i pandjeshëm ndaj lutjeve të tyne. Deshën t’i jepnin nji çadër, por as atë nuk e pranoi. U përshëndet me ta dhe u nis me dalë. Lela i erdhi mbrapa deri poshtë. Kur u ndal për t’u nda, ai u soll nga Lela. Mbi ftyrën e saj binte drita elektrike e nji shtëpie përballë.

Ajo kryqëzoi krahët dhe i fërkoi sikur të kishte të ftoftë. E pa në sy me nji shikim pyetës. Nini nuk po e duronte dot atë shikim dhe, kur po i ulte sytë, ndjeu tmerrësisht praninë e hundës së vet mes tij dhe asaj. I solli shpinën pa mundë me i thanë as lamtumirë, as mirupafshim, ngurroi nji çast dhe u nis.

Eci nji copë herë nën strehat e shtëpive dhe, kur doli në rrugë, e ndjeu shiun e shtruem që po binte. Pikat i depërtuen shpejt përmes flokëve dhe ia lagën lëkurën e kokës. Ndjente si ecnin currilat nën flokë, i merrnin qafën dhe i zbrisnin në trup. Ecte ngadalë si njeri që e kishte kërkue dhe e kishte gjetë shiun. Nuk e zgjidhte rrugën dhe shpesh kambët e çonin mespërmes pellgjeve të ujit. Kur binte në ndonji gropë të padukshme, ndjente tanë karakatinën e trupit të vet që i vinte mbrapa me plogështi.

I ra rrugë pa rrugë, kaloi disa herë nëpër të njajtat rrugica. Deri vonë nuk kishte vendosë me u kthye në shtëpi.

Kur u fut në krye të rrugicës së vet, u ndal befasisht si njeri që kujton se ka hy diku gabimisht. Rrugica ndriçohej mirë prej llampash ndër shtyllat anash saj. Ajo ishte e shtrueme me kalldrem dhe atij gjithmonë zajet e lumejve i kujtonin rrugicën e shtëpisë së vet. Por edhe muret që e kufizonin, ishin të ndërtuem me gurë zalli. Prandej edhe në këtë natë me shi, nën llampat elektrike, rrugica e vet iu duk jo ma si zall i sheshtë, por si zall që ishte poshtë, anash, por, ndoshta, edhe sipër. I kaloi shtyllat nji nga nji. Qelqet e ndriçuesve kishin marrë ujë dhe hidhnin mbi tokë nji shkarravinë të dridhun drite.

Dalloi se drita e jashtme e shtëpisë së vet ishte e ndezun. Preku shpatullat e xhaketës dhe i gjeti të laguna. Uji i kishte hy deri në mish. Pikat e shiut nuk thyheshin ma në rruza të vogla mbi supet e tij. Ata përplaseshin atje me nji krismë të mbytun dhe dukej sikur shkonin diku thellë në trupin e tij.

Hapi derën me çelës dhe, sapo hyni në korridor, u gjend përballë pasqyrës. Iu shmang asaj dhe u fut në dhomë. U zhvesh shpejt, fshiu kryet me peshqir, u kreh përmendsh dhe u fut në shtrat.

Nuk mbante mend sesa kohë kishte që rrinte i shtrimë. Ngadalë ankthi e lëshoi dhe atij i mbeti vetëm nji ndjenjë që e shqetësonte në krahnor. Për nji çast vetdija e tij u përqendrue mbi nji pikë të verbët. E ndieu se do të kishte nevojë të mendonte. Por mendimi i rrinte pikë pezull mbi nji boshllëk, të cilin ai s’e kishte hetue kurr ma parë mbrenda vetes. Dhe, në çastin ma të ngrimë të këtij pikëzimi, diçka e ngroftë, si e vjellë fëmije, iu duk se i rodhi nga nji palë e trunit. Ishte nji mendim, nji përqendrim, nji dalje. Dhe kjo rrjedhje u përsërit përherë e ma e ngathët. Ishte ideja se e kishte zemrën e qepun.

Për nji hop solli kokën anash dhe veshtroi prej afër llampën e zhveshun të abazhurit mbi komodinë. Drita shpërthente dhe dërgonte gjilpanat e saj të ndritshme në të katër anët e dhomës.

Dora iu zgjat dhe kapi çelsin ngadalë. Gishti i madh e shtypi thellë butonin. Drita vazhdonte të shpërthente. Diçka krisi nën gishtin e tij të madh. Errësina qe si nji shuplakë për sytë e tij të pagjumë.

Shkodër, 1989

Fragment i shkëputur i tregimit Loja, nga libri “Muzikantët”, të autorit Primo Shllaku.

Përgatiti: L. Bojaxhiu

ObserverKult

Lexo edhe:

PRIMO SHLLAKU: DUE ME VALLËZUE ME TY KËSHTU…