Primo Shllaku: Liria nuk e ka selinë tek stomaku, por tek mendja…

Primo Shllaku
Primo Shllaku

Nga Primo Shllaku

Liria u shfaqet vetëm njerëzve mendimtarë. Të tjerëve u shfaqet vetëm si instinkt. Pse ikën zogu nga kafazi? Një zog nga kafazi ikën me të njëjtin vrik që ai ikën edhe nga çerdhja e vet, kur ka zbardhur drita dhe uria e ngacmon. Mos vallë zogu e di ç’është liria? Ne e projektojmë mbi vrikun e zogut prirjen tonë të ethshme drejt lirisë dhe, po në atë çast, pushojmë së qeni njerëz të thjeshtë. Liria nuk buron tek stomaku i njeriut. Liria nuk e ka selinë e vet tek stomaku, por tek mendja, tek koka, mbi vetulla e sipër. Liria banon lart dhe rrëzohet, kur koka e njeriut bie në nivelin e këmbëve.
Njeriu mendues ka kokën dhe këmbët, njeriu jo mendues ka vetëm këmbët. Tek zogu, koka dhe këmbët nuk kanë ndonjë ndryshim të madh. Kur zogu e mbush barkun, ai ulet në një degë ose futet në ndonjë vrimë. Ç’i duhet më liria atij, kur stomaku nuk i ther? Dhe ne themi se zogu fluturon drejt lirisë, kur ai fluturon vetëm drejt shuarjes së urisë së tij. Kjo vjen ngase ne e kemi vërtetë të vështirë të përcaktojmë atë forcë brenda nesh, që na shtyn gjithnjë drejt asaj që është përtej dhe t’i kthejmë pa pishman kurrizin asaj që kemi arritur përmes lodhjes dhe përpjekjeve.
E kemi të vështirë ta përcaktojmë lirinë, ashtu sikurse e kemi të vështirë t’i përgjigjemi pyetjes, nëse është i thjeshtë apo i komplikuar njeriu që kërkon lirinë.
Liria është aty për t’u përdorur. Vetëm ata që e përdorin lirinë, ndryshojnë diçka nga jeta e tyre. Shanset e rastësisë janë fort të rralla dhe nuk e ndryshojnë si e sa duhet jetën. Vetëm rastësitë që shfaqen, kur dikush nga ne vendos ta përdorë lirinë, mund ta bëjnë jetën komplet të ndryshme, mund ta shënojnë me pragje jetën tonë. Një jetë e rrafshët, pa pragje dhe hije – drita, është një jetë e shkurtër, e pa shijuar dhe e pa mbushur me kuptim.

*Fragment i shkëputur nga epilogu i librit NJERIU ME INSTITKTIN E LIRISË, përgatitur nga Primo Shllaku, Tiranë, Mediaprint, 2016

Përgatiti: ObserverKult

Lexo edhe:

PRIMO SHLLAKU: VERIGAT KULTURORE MË MBAJNË KËTU KU JAM…