Primo Shllaku: Të kam dashtë …

primo shllaku lule në dëborë

Poezi nga Primo Shllaku

Të kam dashtë …
Dashunia nuk ka te tashme
Dashunia nuk ka të ardhshme
Ajo ka vetëm të kaluemen.
Të kam dashtë.

Dashunia asht e lirë si dorë mbi ranë
Dashunia asht e verbët e zhvoshkun nga lëkura
Dashunia asht e çmendun si dorë mbi mish
Dashunia vdes kur i mbarohen fjalët
Dashunia vdes kur i shërohen plagët
Dashunia fillon prapë prej fillimit.

Dashunia i beson të glitha
Dashunia i shpreson të gjitha
Dashunia i ‘ha’ të gjitha
Dashunia i fal të gjitha
Dashunia banon te duert …

Të kam dashtunue …
Dashunia nuk ka të tashme
Dashunia nuk ka te ardhshme
Ajo ka vetëm të kaluemen.
Të paskam dashtë pra…

ObserverKult

Lexo edhe:

PRIMO SHLLAKU: VERIGAT KULTURORE MË MBAJNË KËTU KU JAM…

të kam dashtë poezi nga primo shllaku

Pyetësorit të Prustit i përgjigjet shkrimtari Primo Shllaku.


Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?

Nuk besoj se ka nji lumtuni të përkryeme, ku ajo të jetë nji korpus kohe i pafundëm ose edhe i gjatë sa vetë harku i jetës. Besoj se natyra e lumtunisë asht e çastshme dhe njeriu prej natyre, nga grabitqar i ushqimit, asht kthye në grabitqar të lumtunisë. Pra njeriu asht në kërkim të lumtunisë me çdo mjet. Këtu fillojnë dashunitë, krimet, luftat, kundravajtjet e të gjitha cënimet e moralit publik.


Cila është frika juaj më e madhe?

Frika ime ma e madhe asht frika. Atë e kam frikë. Edhe pse i kam mposhtë me kohë shum lloje frikash, le të themi, të mëdha, janë frikat e vogla që nuk bahen zap kollaj. Kësaj i bie si me thanë se mikrobet janë ma të fuqishme se elefantët për faktin e vetëm se janë pambarimisht ma të vegjël se ata.

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?

Ka kohë që jetojmë pa nji person të gjallë të admirueshëm. Bota ka shpikë admirime të tjera sot. Kam idenë se ashtu sikurse akualisht admirimi asht i vdekun, ashtu edhe personat e admirueshëm kanë vdekë të gjithë.

Tekstin e plotë e gjeni KETU

ObserverKult