Panairi i Librit në Prishtinë dhe Panairi i Librit në Tiranë kanë thyer një traditë më se dydekadëshe. Për shkak të situatës së krijuar nga pandemia, organizatorët e kanë parë të pamundshme realizmin e këtyre dy ngjarjeve me rëndësi kulturore.
Shoqata e Botuesve të Kosovës fillimisht kishte pezulluar edicionin e 22-të në qershor, me shpresë që i njëjti të mbahej në vjeshtë. Të enjten është bërë e ditur se nuk do të realizohet. Shpresa s’e do ta vazhdonte traditën me edicionin e 23-të kishte pasur edhe Shoqata e Botuesve Shqiptarë.
Por tashmë është zyrtarizuar se as Tirana s’do të ketë panair libri, i cili rëndom mbahej në nëntor. Organizatorët kanë dalë me vendim që këtë vit të mbajnë një edicion online, e një opsion i tillë mbetet i hapur edhe për Prishtinën.
Mirëpo, me gjithë modifikimet në formatin e mbajtjes, botuesit kanë theksuar se janë drejt përmbylljes së një viti të vështirë.
Ngjarja më e madhe e librit në vend që nga viti 2011 mbahej çdoherë në fillim të qershorit.
Artin Ahmeti, nënkryetar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, e ka konfirmuar anulimin e Panairit.
“Sa i përket Panairit të Prishtinës, siç edhe dihet, tradicionalisht është mbajtur në fillim të muajit qershor, por për shkak të gjendjes në të cilën ishim dhe për shkak të hapësirës së papërshtatshme në të cilën zhvillohet Panairi – në Pallatin e Rinisë, ku mungon ajrosja, ne nuk e kemi parë të arsyeshme ta mbajmë panairin e sivjetmë”, ka thënë ai.
Sipas tij, vendim të prerë për shtyrjen e panairit nuk ka pasur, por fillimisht ka qenë ideja që Panairi të mbahej në nëntor, mirëpo duke e parë që situata nuk po shkon drejt përmirësimit, Shoqata e ka konsideruar të pamundshme mbajtjen e panairit të librit për këtë vit, transmeton ‘koha.net’.
Për dallim nga Kosova, organizatorët e Panairit të Librit në Tiranë kishin caktuar edhe datat. Kishin paralajmëruar që ky edicion do të mbahej prej 12 deri më 15 nëntor. Mirëpo Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale, në përgjigjen që ia ka dhënë Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, ka thënë se mbajtja e Panairit nuk mund të bëhet për shkak të “rrezikshmërisë së lartë në përhapjen e COVID-19 gjatë këtij aktiviteti”.