“Njeriu i gjithë botës” kujtohet në Prizren

Hedhja tradicionale e luleve në ujërat e Lumbardhit të Prizrenit ka shënuar fillimin e ceremonisë së organizuar nga Komuna e Prizrenit dhe “DokuFest” në përkujtim të dhjetëvjetorit të ndarjes nga jeta të aktorit të njohur Bekim Fehmiu. Të hënën mbrëma në qytetin e vjetër, familjarë, dashamirë e autoritete lokale edhe një herë kanë nderuar figurën e aktorit të shquar, i cili ka lënë gjurmë të përjetshme në kinematografinë vendore dhe botërore.

Për kryetarin e Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, lidhja e Fehmiut me Prizrenin ka bërë që prizrenasit ta përkujtojnë atë.

“Bekim Fehmiu ka qenë njëri prej aktorëve më të njohur në ish-Jugosllavi. Ai vjen nga qyteti ynë dhe ka kaluar një pjesë të jetës në kalldrëmin e Prizrenit e afër Lumbardhit. Për shkak të dashurisë së tij dhe memorieve që i ka paraqitur në librin e tij autobiografik, që nga vdekja e tij, faktikisht në mënyrë simbolike përkujtohet ai”, ka thënë Haskuka. Sipas tij, Fehmiu i ndjerë ka qenë aktor i përmasave botërore dhe i takon Prizrenit që këtë vlerë t’ua prezantojë të gjithëve. Haskuka ka shtuar se bashkë me organizata të ndryshme ka angazhime për realizimin e një muzeu ose galerie dedikuar Bekim Fehmiut, transmeton ‘koha.net’.

Ndërsa të afërmit e Fehmiut janë shprehur mirënjohës që Prizreni e kujton atë.

“Çdoherë që vjen kjo datë Prizreni gjithnjë e kujton me pietet. Asnjëherë në këta dhjetë vjetët e fundit nuk ka ndodhur që Prizreni mos ta përkujtojë axhën Bekë, siç e kam thirrur unë. Më vjen mirë që qyteti të cilin ai aq shumë e ka dashur dhe për të cilin edhe ka shkruar shumë në librat e tij po e përkujton në këtë mënyrë. Ne si familje jemi jashtëzakonisht mirënjohës. Natyrisht këtë Bekimi e ka merituar me punën e vet dhe me promovimin që ia ka bërë qytetit jo vetëm në rajon, por në tërë botën”, ka thënë Agon Fehmiu.

Në anën tjetër, drejtori artistik i “DokuFestit”, Veton Nurkollari, ka thënë se dashuria që Bekimi ka treguar për Prizrenin ka bërë që ai të përkujtohet çdoherë me respekt.

“Ai e ka dashur këtë qytet, sepse rininë e ka kaluar këtu. Hiri i tij është derdhur në Lumbardh dhe simbolikisht ai e lidh Kosovën, Shqipërinë, Ballkanin, Adriatikun”, ka thënë Nurkollari, teksa është zotuar se Fehmiu do të përkujtohet edhe në vitet e ardhshme, pasi që ka qenë aktor me nam botëror, që ka përfaqësuar denjësisht vendin e tij.

“Ka qenë artist i madh, njeri i gjithë botës. Ai e ka prezantuar këtë vend para botës dhe s’di çka mund të kërkojmë më tepër nga një artist”, ka deklaruar Nurkollari, teksa ka kërkuar më shumë kujdes nga autoritetet qeveritare për Bekim Fehmiun.

Pas hedhjes së luleve, në kejin te Gjashtë Krojet, aktori prizenas Xhevdet Doda ka lexuar fragmentin “Shtëpia e parë në Prizren” nga libri i Bekim Fehmiut, “Shkëlqyeshëm dhe tmerrshëm”, ku autori i ndjerë përshkruante shtëpinë e Shaip Pashës në Prizren, në të cilën kishte banuar ai me familjen.

Bekim Fehmiu duke evokuar kujtimet e para nga jeta, në librin e tij nuk e kujton Sarajevën, por Prizrenin. Brigjet e Lumëbardhit, jazet në oborret e shtëpive me derdhje në lumë, shelgjet e bagremët plot erë, bashkë me çezmën e gurit, gazozxhiun e ëmbëltoren e Bajram Tadës, kanë qenë simbolet e mëhallës që kishin mbetur të gravuara në trurin e tij.