Profesori, Edmond Tupja ka rrëfyer së fundmi eksperiencën e tij me Covid-19. Tupja shprehet se, pavarësisht se u tregua shumë i kujdesshëm, u infektua me virus. Lodhja, këputja për shkak të virusit bënë që ai të njoftojë mjekun dhe pasi bëri tamponin doli pozitiv, bashkë me djalin. Djali zuri shtratin, thotë Tupja. Ai shprehet se vetë nuk u dorëzua, luftoi dhe ia doli. Morën kurën familjarisht dhe u shëruan.
“Në familjen tonë jemi tre veta bashkëshortja djali im edhe unë. Deri para një muaji ne nuk kishim asnjë shqetësim. Djali dhe nusja rrinin brenda, unë duke u armatosur me të gjitha mundësitë e mia për të mos u prekur nga virusi bëja pazare në orare kur nuk kishte njerëz, vija maskën, mbaja distancën dhe laja duart pafundësisht. Shumë i kujdesshëm, ime shoqe gjithashtu. Pastaj erdhi një ditë që unë u ndjeva i këputur, i lodhur. Njoftova mjekun, pastaj me anë të mjekut të familjes lajmërova qendrën epidemiologjike për të bërë tamponin. Unë dola pozitiv dhe djali ishte pozitiv, djali kishte zënë shtratin. Unë jo, qëndrova, nuk u dorëzova, ndërsa nusja jo, mesa duket ishte asimptomatike. U kuruam me ilaçet e duhura. Mua mu deshën dy ditë dhe e mora vetën pa zënë shtratin, por im bir qëndroi 7-8 ditë. Unë pata një ditë temperaturë, pastaj pata këputje. U kuruam, por fatmirësisht nuk patëm probleme me frymëmarrjen, djali kishte temperaturë. Bëmë sërish tamponin, pasi kaluam ethen e madhe dhe doli që unë dhe ime shoqe ishim negativ dhe djali ishte pozitiv. Pas disa ditësh edhe djali e kapërceu. Përfundimi ishte se do të vazhdonim të mbanim të mprehur shpatën e vigjilencës. Unë i jam mirënjohës mjekut të familjes. Që para se të fillonte Covid-19 më kishte thënë shto dozën e vitaminës C. U bëj thirrje bashkë atdhetarëve që të mos e heqin maskën, të lajnë duart vazhdimisht.”- tha Tupja për Fax News.