Akademiku Beqir Meta e quan korrekte njohjen e gjuhës së pakicave, por në një intervistë për “ReportTv” ai analizon një tjetër projektvendimin e qeverisë. Atë për ngritjen e një komicioni ad-hoc, që të njohë një pakicë kombëtare. Sipas tij, në Shqipëri s’ka më vend për aplikime të tilla, pasi çështja e pakicave është e mbyllur.
Anëtarësimi i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, një shekull më parë do të shënonte edhe njohjen e tre pakicave kombëtare, greke, bullgare dhe sllave-malazeze. Ndërkohë, pas një shekulli vendi ynë njeh të drejtat e 9 pakicave kombëtare. Por, ligji i miratuar në vitin 2017 për “Pakicat kombëtare” është pasuar dhe me të tjera risi. Një projektvendim i këtij viti parashikon njohjen formale të një pakice, që të bëhet nëpërmjet paraqitjes së kërkesës pranë Ministrisë së Brendshme nga grupi i shtetasve të përbërë nga jo më pak se 300 persona, por edhe të shqyrtohet nga komisioni ad-hoc, që ngrihet për këtë qëllim. Drejtori i Institutit të Historisë, Beqir Meta, e konsideron këtë iniciativë jo vetëm të pa vend, por edhe të dëmshme për Shqipërinë.
“Unë mendoj se çështja e pakicave kombëtare është e mbyllur, nuk ka vend as për aplikime dhe as për shqyrtime. Para disa vitesh, kur ministër i Brendshëm ishte Fatmir Xhafaj, ai më drejtoi një shkresë zyrtare. Unë asokohe i kam dhënë të gjitha argumentet, që ngritja e një komisioni të tillë është e pabazuar, e panevojshme dhe e dëmshme, sepse minoritete s’mund të bëhen me aplikime”.
Por, a është domosdoshmëri për të aderuar Shqipëria në Bashkimin Europian ky projektligj?
“Për të aderuar në BE ka një kategori normash të caktuara, detyrimet themelore janë ato që përcaktojnë që kjo shoqëri edhe ky shtet të aderojë në këto norma. Institucionet politike edhe jopolitike duhet që të jenë të tilla, që të kenë performancë evropiane. Shqipëria çalon në ndërtimin e institucioneve, sepse elita politike shqiptare, se ka bërë të vetën, këtë si domosdoshmëri të zhvillimit të Shqipërisë, përkundrazi për ata është kryesore pushteti edhe interesat e pushtetit, që shkojnë në përfitim me BE-n. Për ta kompensuar këtë evropianeve u shiten, si kampion tek njohja e minoriteteve. Këtu cenohen interesa të shtetit, por jo interesat e tyre pushtetmbajtëse. Kanë bërë lëshime të rënda, që janë të palogjikshme, ne si intelektualë jemi në zbatim të të drejtave të minoriteve, por jo të bëhemi qesharakë. Pasi kjo mund të sjellë një kakofoni brenda shtetit, që mund të krijohen edhe probleme politike edhe në marrëdhënie ndërkombëtare. Këtë se ka asnjë shtet shqiptar. Këto iniciativa janë për shou edhe është e dëmshme për shtetin”.
Një tjetër projektligj i qeverisë është dhe njohja e gjuhës së minoriteteve, kur ato përbëjnë 20 për qind të popullsisë në një njësi administrative.
“Kjo është korrekte, nuk ka asnjë problem. Nëse në një njësi administrative një minoritet përbën 20 për qind të popullsisë, kjo është korrekte, pasi është legjislacion që ka funksionuar, por të bësh minoritete me 300 firma është absurditet”, thotë Meta.
Akademiku edhe historiani Beqir Meta bën ftesë iniciatorëve të këtij projektligji që të organizojnë një tryezë të përbashkët me historianët edhe sociologët shqiptarë,për të dhënë argumentet e tyre mbi këtë iniciativë.