Në Odeonin e Parkut Kombëtar Arkeologjik të Apolonisë u zhvillua aktiviteti përmbyllës i projektit ‘TOURNEE’. Në skenë u ngjitën emra të shquar të artit shqiptar ku spikati monokomedia e aktorit Arben Derhemi, komedi me autor Fiqion Postoli e realizuar nga aktoret e Teatrit Bylis dhe pjesëmarrja e tenorit Kastriot Tusha.
Mes ndërthurjes së aktivitetit teatror me elementin koncertral të muzikës klasike dhe asaj popullore, u ngjitën në skenë disa komedi teatrore si Shkurt Zefi dhe hija e Bardhë.
Projekti ‘Turnee’, i cili nisi në datën 10 shtator është një projekt që zhvillohet mes disa bashkive në Shqipëri, Mal të zi dhe Itali lidhur me disa aktivitete të rëndësishme kulturore.
Një nga organizatorët e këtij, Agron Xoxa, drejtor i Artit dhe Kulturës pranë bashkisë Fier tha se ky projekt është një shtysë për zhvillimin e turizmit kulturor.
‘Ky aktivitet i zhvilluar në kompleks duke filluar nga data 10 shtator, i cili mbaroi më 3 tetor në Apoloni, ka përfshitë një sërë aktivitetesh jo vetëm në teatër por dhe aktivitete paralele, të cilat i vinë të gjitha në ndihmë turizmit kulturor, pasi edhe vetë programi ku ne kemi aplikuar, është programi, i cili nxit zhvillimin e turizmit kulturor’, u shpreh Xoxa.
Shfaqja emocionuese mblodhi rreth vetes një publik të përzgjedhur dhe u zhvillua nën masat anti covid./Shqiptarja.com