Promovohet libri “Dokumente dhe dorëshkrime të Ali pashë Tepelenës” i Irakli Koçollarit

Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka botuar librin “Dokumente dhe dorëshkrime të Ali pashë Tepelenës” në dy vëllime me autor Irakli Koçollarin.

Ky libër u promovua në ambientet e Akademisë së Shkencave në bashkëpunim me shoqatën “Çamëria”.

Ashtu si në vëllimin e parë, edhe në pjesën më të madhe të vëllimit të dytë përmblidhen dokumente të panjohura për zhvillimet në krahinën e Çamërisë, për ngjarje të fillimit të shek. XIX, të cilat ndikuan në rrjedhat e mëvonshme të historisë.

Gjatë promovimit kryetari i shoqatës “Çamëria” Alket Veliu falënderoi Akademinë e Shkencave dhe Kryesinë e saj për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe për studimet e botimet që janë bërë për historinë e shqiptarëve të Çamërisë.

Pëllumb Xhufi, kryetar i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike, foli për rëndësinë e dokumenteve të sjella në librin e Irakli Koçollarit. Ai tha se këto dokumente ndriçojnë të vërtetat historike parë në një këndvështrim të ri objektiv. Ai theksoi se në rrjedhën kronologjike të dokumentacionit të këtij vëllimi bëhen më evidente edhe zhvillimet politike në Evropë dhe raportet e Pashait të Janinës me Francën, Anglinë, Rusinë dhe me Portën e Lartë dhe rolin e Ali Pashës për pavarësinë e shqiptarëve.

Irakli Koçollari tha se vëllimi përmban edhe dokumente të shkruara nga dora e shqiptarëve në komunikime me Ali Pashën, nga vetë Ali Pasha me shqiptarët, apo të shkruara nga shqiptarët për shqiptarët, dokumente të cilat kanë rëndësi të madhe, sepse deri më sot kemi pasur publikime dokumentesh të shkruara nga të huaj që kanë pasur këndvështrime me mentalitetin e të huajve, nisur nga synimet dhe interesat dhe nga këndvështrimet e largëta e me doza subjektiviteti për shqiptarët.

Në veprën “Dokumente dhe dorëshkrime të Ali pashë Tepelenës” ofrohen dokumente të panjohura më parë. Në vëllimin e dytë lexuesit i ofrohet një numër i madh dhe i pasur dokumentesh që pasqyrojnë mjaft zhvillime, lëvizje, konflikte, aleanca, kurthe, oferta, personazhe dhe personalitete, që patën trazuar horizontet gjeografiko-politike të Pashallëkut të Janinës nga fillimi i vitit 1804 dhe gjer në fundin e vitit 1808. Dokumentacioni që përmblidhet në këtë vëllim ka qenë i panjohur për historiografinë shqiptare, pjesa më e madhe e tij shfaqet për herë të parë.

Burimet e reja plotësojnë gradualisht hap pas hapi shumë çështje të panjohura rreth aktivitetit të Pashait të Janinës lidhur me kontaktet, marrëdhëniet me individë brenda pashallëkut apo përtej tij, me botën lindore dhe atë perëndimore, marrëdhëniet e tensionuara apo miqësorë, aleancat apo konfliktet, të hapura apo të nënkuptuara.

Koçollari shkruan ndër të tjera në parathënie se vëllimi II ofron dokumente unike të kërkesave insistuese të Ali Pashës për të marrë nga francezët fortesën e Pargës dhe përgjigjen definitive të Bonopartit dhe të strukturave të tij ushtarake në Korfuz për të mos e dorëzuar në asnjë mënyrë këtë pikë me rëndësi strategjike tek Ali Pasha./ATSH

LEXO EDHE: Kur koka e prerë e Ali Pashë Tepelenës iu dorëzua sulltanit- një skicë e rrallë