reklamë

Protestë në një fotografi të vjetër

Nga Qerim Vrioni

Sipas disa studiuesve të njohur të historisë së fotografisë botërore (Newhall, Blaumont, Frizot, Gernsheim, Ang etj.) katër mbahen si shpikësit themelor të fotografisë. Ata janë Nicephore Niepce (1765-1833),   Jean Louis Mande Daguere (1787-1851), Hippolyte Bayard (1801-1887) dhe Henri Fox-Talbot (1800-1877), tre të parët ishin francezë, tjetri anglez. Të katër kanë krijuar dhe punuar në harkun e viteve 1820-1860, me proceset e shpikura prej tyre,  që përkatësisht sipas renditjes kohore janë: heliografi, dagerotipi, shtypje direkte në letër dhetalbotipi. Me tre proceset e para përftohej vetëm një imazh fotografik, ndërsa me të tretin arrihej (teorikisht) tek një numër i pafundmë kopjesh me teknologjinë e re negativ-pozitiv, kjo do të mbizotëronte në fushën e “dhomës së errët” për më shumë se 150 vjet.

Një nga këta shpikës, Hippolyte Bayard (lexo Bajar) do të realizonte në vitin 1840, me procesin e tij (pozitiv  drejtëpërdrejtë në letër) të shpikur një vit më herët, imazhin fotografik shumë të njohur me titull “Si një burrë i mbytur” (Comme un noye-fr.), për të cilin do bëhet fjalë më poshtë. Origjinali i këtij imazhi fotografik ndodhet në Galerinë e “Societe Française de Photographie” (Shoqata Franceze e Fotografisë) të Parisit dhe ka përmasa 18.8X19.2 cm. Më parë do paraqesim shkurtimisht jetën dhe veprimtarinë e Bayard.

Hippolyte Bayard?

Nga një botim i kohëve të fundit (Karren Helman&Caroly Peter-“Hippolyte Bayard and Invention of Photography”—Los Angeles, 2024) mësohet shumë për jetën dhe krijimtarinë e Bayard. Ai ishte një nëpunës i shkallës më të ulët (shërbyes) në ministrinë e financave të Francës aty nga fillimi shekullit XIX. Veçse, natyra e kishte pajisur Bayard-in me kureshtje të veçantë dhe ndjesi të holla estetike. Kështu përpos jetës modeste, ai nisi të merrej, aty nga mesi i viteve 1830, pas orarit të punës, me proceset e fotografimit. Pra, me mënyrën e përngrirjes së imazheve në materiale me sipërfaqe të rrafshta, qëllim i përpjekjeve edhe i mjaft kërkuesve të tjerë, piktorë, fizikantë, kimista etj.

Pas disa eksperimenteve, Bayard-i arriti në vitin 1839, të përngrijë drejtëpërdrejt në letër (pra vetëm një copë) imazhe të caktuara. Njëkohësisht me të, por pa lidhje me njeri-tjetrin punonte edhe piktori Jean Lui Daguerre. Ky, arriti të njëjtën gjë, por në sipërfaqe metalike të trajtuar kimikisht, këto u quajtën dagerotipa. Në saj edhe të miqësive të shumta të Daguerre, Akademia e Shkencave dhe Akademia e Arteve të Bukura, në një mbledhje të përbashkët më 19 gusht 1839, i njohën atij patentën e dagerotipisë dhe filluan financimet shtetërore për të. Ndërkohë, ndaj Bayard-it u mbajtë qëndrim tërësisht mospërfillës, çka e pezmatoi thellësisht atë. Pak muaj më pas, më 1840, ai realizoi fotografinë që po analizojmë.

Rreth vitit 1842, Bayard-i nisi të fotografojë me pasion duke përdorur procesin negativ-pozitiv ose talbotipinë. Nëpër lentet e aparatit të tij kaluan natyra të qeta të kompozuara me shije, peizazhe, portrete, arkitektura, madje dhe pamje të barikadave të revolucionit francez të vitit 1848. Eklipsimi i padrejtë i krijimtarisë së tij, nga shkëlqimi i Daguerre, la vragë të thella në shpirtin e tij, megjithatë, në vitin 1863, Bayard-i u nderua me “Kalorës i Legjiont të Nderit”. Ai u nda nga jeta më 1887,  pa familje dhe i varfër, veçse pa harruar tja linte krjimtarinë e tij si trashgimi “Shoqatës Franceze të Fotografisë”, veprim fisnik dhe shembullor. Sot, thuajse të gjithë librat e historisë së fotografisë në botë, e përmendin Hippolyte Bayard si një nga shpikësit e nderuar të saj. Në vitin 2019, Komuna e Breteuil (vendlindja e Bayard-it), bleu shtëpinë e fotografit për të ndërtuar një rezidencë për artistët që punonin me proceset fotografike të shekullit XIX. Po ashtu, është thuajse e pamundur të mësohet emri i ministrit francez të financave që firmoste rrogën e ulët për punonjësin më të thjeshtë të dikasterit, Hippolyte Bayard, veçse emri i këtij të fundit, siç u cek më sipër haset në të gjithë librat e historisë botërore të fotografisë.

Fotoja “I mbyturi”

Sëpari, kthjellojmë diçka në lidhje me titullin e imazhit fotografik. Kështu e emërtojnë, përsa kemi hulumtuar, botimet franceze (“Le noye”) dhe italiane (“L’annegato”), ndërsa të tjera (Rosenblum, f.33) e quan “Autoportret–si një burrë i mbytur”. Albumi i njohur anglez “The Photo Book” (1997, f.42) i “Phaidon” e emërton “Burri i mbytur” (“The drowned man”). Thelbi i të gjithave është po ai, paraqitjee një burri të mbytur. Duke parë mospërfilljen institucionale ndaj punës dhe shpikjes së tij, Bayard-i, autodidakt dhe pasionant, mendoi se duhet të bënte diçka kundra këtij qëndrimi të padrejtë. Për këtë ai zgjodhi fotografinë, për të publikuar shqetësimin e tij, ndonëse kjo ende nuk ishte kthyer në media. Imagjinata e tij e veçantë e drejtoi tek ajo veprimtari, e cila shumë vite më pas e përgjithmonë, do të kthehej në një medium shumë të përhapur dhe mjaft ndikues në shoqërinë njerëzore.

Ai fotografoi veten në një pellg uji, kinse ishte i mbytur, pra realizoi një autoportret. Veçse, nuk ishte një autoportret i rëndomtë, por një imazh me subjekt, pra më ndryshe, ai krijoi një fiction fotografik,  pa dyshim të parin në historinë e fotografisë. Pas letrës fotografike shkroi ndër të tjera: “Trupi që shihni në anën tjetër të fotos është e z.Bayard, shpiksit të talentuar, të cilin qeveria nuk e vlerësoi dhe financoi, kështu që ai i dha fund jetës duke u mbytur”. Nuk mund të përjashtohet edhe versioni i vërtetë i narrativës së fotografisë, pra vetvrasja, e ndoshta dashuria e tij për fotografinë e kishte ndaluar para veprimit të aktit fatal. Ky imazh fotografik përbënë, si u tha më lartë, dhe fiction e parë në lamin e “dhomës së errët”, që mund të quhet edhe si pararendëse zbatimeve të ngjajshme publike. Kështu, fotopllakatet e mëpasme, me përmasa të mëdha, trajtuan tema problematike si luftrat, diktaturat, varfëria, korrupsioni e, sidomos padrejtësitë politike, shoqërore dhe ekonomike.

Mund të imagjinohen përafërsisht veprimet e tij para vetfotografimit; ngritja e trekëmbshit prej druri buzë një pellgu, vendosja e aparatit të madh prej druri mbi të, mandej futja vet në ujë gjysmë i çveshur, por edhe përfshirjen para objektivit edhe të një kapele kashte pranë tij etj. Nuk mund të përjashtohet mundësia e pranisë së ndonjë ndihmësi, por sigurisht edhe ndoshta përsëritja disa herë e shkrepjes kur nuk arrinte çfarë donte e mendonte. Këto, ndoshta e kanë mërzitur mjaft, sepse procesi që përdorte ai kërkonte shumë kohë. Duhet të parafytyrojmë gjithashtu, edhe mjetet e thjeshta dhe artizanale të punës që kishte në përdorim mjeshtri francez në ato kohë.

Përpos këtyre nuk duhet harruar se kjo ishte si fotografimi i një çasti të një filmi kinematografik, veçse, këtu Bayard-i do të ishte skenaristi, regjizori, drejtori i fotografisë dhe…aktori kryesor i filmit. Pra, për të arritur tek imazhi përfundimtar fotografik, atij i duhej të shpërfaqte aftësi krijuese, talent dhe imagjinatë, thuajse në të gjithë vektorët e një filmi. Nga jetëgjatësia dhe përballja e saj me publikun nëpër faqet e librave apo albumet e fotografisë, duket qartë se ai e ka arritur qëllimin. Edhe pse, jo shumë e pastër teknikisht (ishin agimet e fotografisë), ajo botohet vazhdimisht.   

 Nga hulumtimet në literaturën e fotografisë, mësohet se kjo foto nuk pati ndikim të ndjeshëm në trajtimin e mëpasshëm të Bayard-it. Veçse imazhi “I mbyturi” ka hyrë qetësisht e përjetësisht në historinë e fotografisë botërore  jo vetëm si autoportreti i parë i  “dhomës së errët”, por edhe si imazhi i parë fotografik në gjininë e kompozimit. Dhe jo, si një kompozim çfardo, por si simbol i një qëndrimi qytetar para një padrejtësie, pra si një protestë me mjete artistike. Po ashtu, si duket Bayard, e parashikoi  kthimin e fotografisë në një medium ku tregohet “forca e imazhit” fotografik aq i përhapur dhe i dobishëm në botë në dy shekujt e fundit./ Botuar tek Gazeta “Panorama”, më 23 prill 2026

ObserverKult