“Proza shqipe e viteve 1920-1944” është libri më i ri i shkrimtarit dhe studiuesit të letërsisë Gëzim Aliu. Në këtë monografi, Aliu interpreton dhe analizon veprat e njëmbëdhjetë autorëve: Koliqit, Migjenit, Kutelit, Spasses, Kokonës, Stërmillit, Konicës, Kokalarit, Postolit dhe Greblleshit.
“Në këtë monografi, pa pretendim për gjithëpërfshirje, duke e marrë parasysh edhe kontekstin, bëjmë analizimin e disa elementeve kryesore narrative të veprave në prozë të njëmbëdhjetë autorëve dhe interpretimin e ideve e mendimeve të shfaqura drejtpërdrejt, siç ndodh shpesh, apo tërthorazi. Çka shkruajnë këta autorë, emrat e parë të prozës së mirëfilltë artistike? Çfarë idesh, mendimesh, bindjesh, shfaqen në veprat e tyre? Si e ndërtojnë të rrëfyerit? Çfarë njerëzish gjejmë në krijimet e tyre artistike? Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve, analizohen Autori i nënkuptuar, Narratori dhe Personazhet, por preken shkurtimisht edhe autori real, storiet, hapësira referenciale, koha referenciale dhe kohëzgjatja narrative e storieve”, shkruan Aliu në hyrje të librit.
Aliu aty analizon dhe interpreton këto vepra: “Hija e maleve” dhe “Tregtar flamujsh” të Koliqit, “Novelat e qytetit të veriut” dhe Skica e tregime të tjera të Migjenit, “Vjeshta e Xheladin Beut”, “Netë shqipëtare” , “Ago Jakupi e të tjera rrëfime”, “Kapllan Aga i Shaban Shpatës” të Kutelit, “Nga jeta në jetë – Pse!?” , “Afërdita” dhe “Kurorë rinie” të Spasses, “Yje të këputur” të Kokonës, “Sikur të isha djalë”, Skica e tregime të Stërmillit, “Një ambasadë e Zulluve në Paris” dhe “Dr. Gjilpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurrasit” të Konicës, “Kolla e vdekjes”, “Siç më thotë nënua plakë”, “Nënua plakë në Romë”, “Reth vatrës” të Kokalarit, “Rrugë pa rrugë” të Markos, “Për mbrojtjen e atdheut” dhe “Lulja e kujtimit” të Postolit si dhe “Gremina e dashunis” të Greblleshit, duke theksuar se renditja e tillë është vlerësuese e jo kronologjike.
“Në krye të herës autor i prozës, por edhe studiues i saj, Gëzim Aliu vjen me monografinë “Proza shqipe e viteve 1920-1944”, që, përveçse e kundruar në një kontekst teorik dhe analitik tejet specifik, përbën një sintezë të dyfishtë që merr në shqyrtim një periudhë letrare (1920-1944) por njëkohshëm edhe një gjini letrare me format e saja shprehëse (tregimi, novela, romani)”, shkruan studiuesi Hysen Matoshi.
Sipas Matoshit, identifikimi i krijimtarisë së njëmbëdhjetë prozatorëve të kësaj periudhe, përgjithësimet lidhur me vlerat e saj dhe përqendrimi te çështjet, sikundër janë autori i nënkuptuar, narratori dhe personazhet, e bëjnë këtë monografi një literaturë studimore me prurje risimtare në mendimin tonë letrar.
Ndërsa për studiuesin Fadil Grajçevci, Gëzim Aliu, me studimin e tij më të ri monografik “Proza shqipe e viteve 1920-1944”, edhe një herë dëshmohet si njëri nga njohësit më të mirë të zhvillimeve tona historiko-letrare, në veçanti të prozës shqipe.
“Këtë studim monografik e karakterizon zotësia e veçantë interpretuese, analitike e sintetizuese, qartësia e mendimit, terminologjia e saktë shkencore dhe gjuha e pastër dhe e pasur shqipe. Si i tillë, ky studim do të jetë, përveç një kontribut i çmueshëm në studimet tona historiko-letrare, edhe një model i ri studimi për veprat e tjera të mëvonshme në prozë të letërsisë sonë”, thekson Grajçevci.
Monografia është botuar nga Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2020./ ObserverKult