Proza si peizazh i brendshëm: Leximi i “Bojëndërr”

Nga Teuta Dhima

Bojëndërr! Le të mblidhen të gjithë piktorët e botës bashkë! Të gjithëve dua t’u bëj një pyetje: “A dini të më thoni se ç’ngjyrë është bojëndrra?! Apo nëse dikush prej jush e ka përdorur në telajet e tij me forcën e pasionit dhe vrullin e frymëzimit?

Jam e sigurt që do të hamendësojnë, patjetër, se janë artistë. Do fillojnë të flasin për ato nuancat e buta, të ëndërrta, pastel, ku roza i bashkohet thellësisë së blusë, qetësisë që ajo sjell dhe ku lejlaja sharmante dhe delikate, bën zonjën e shtëpisë në këtë botë ngjyrash. Unë nuk jam piktore, por dua t’u flas për Bojëndërr, nga Noa Nur, për emocionet që ky libër solli tek unë.

Para se të ndaj me ju mendimet e mia rreth tij, dua të sjell këtu një fakt që nuk duhet anashkaluar aspak: Noa Nur, është një autore që nuk shkruan në gjuhën e nënës, shqipja nuk është gjuha e saj amtare. Ky fakt është jo vetëm një përpjekje e guximshme e autores, por edhe një kontribut i vyer që ajo jep në letërsinë tonë. Ajo çfarë kuptova pas leximit, ishte se autorja, jo vetëm e zotëron mirë gjuhën shqipe, por  ka edhe një ndjeshmëri të veçantë ndaj ritmit të fjalës dhe nuancave të saj, ndaj strukturës së poezisë dhe prozës poetike. Botimi i librit të dytë në gjuhën shqipe- ai vjen pas atij të titulluar Kurrë gri – e vendos autoren në pozicionin e rëndësishëm të urës lidhëse midis dy kulturave. Është pikërisht kjo përvojë dygjuhësore, (madje edhe më shumë) që i jep mundësinë asaj të krijojë një ndërthurje të veçantë, si nga ana tematike, ashtu edhe stilistike.

Titulli i librit vjen nga një prej prozave të shkurtra të tij që titullohet Bojëndërr. Një titull sa i thjeshtë dhe i drejtëpërdrejtë, aq i thellë dhe poetik. Le të kthehemi përsëri te piktorët… Ju kërkova atyre të më dëgjonin tek flas për Bojëndrrën, e cila nuk është thjesht një ngjyrë, por është një përvojë. Përvoja që vjen kur jetohet me art. Kjo përzierje mes pikturës, prozës poetike e poezisë, ku ngjyrat nuk janë thjesht nuanca të hedhura në telajo, por janë mendime të shkruara nga autorja, që penelat i rrotullon mes gishtash dhe tak-tak-tak ngjyros ëndrrat e pangjyra. Se jo të gjithë dinë të shohin ëndrra. Tak-tak-tak simbolizon  një ritëm, një ndodhi që përsëritet, se njërëzit ëndërrojnë shpesh dhe jo të gjitha ëndrrat janë siç duhet të jenë. Përdorimi i këtyre onomatopeve, krijon një përvojë të drejtëpërdrejtë me lexuesit, ku këta të fundit ftohen edhe t’i ndiejnë tingujt jo vetëm t’i lexojnë ata.

 Përpara se tak-tak-tak t’i lyejë e t’i zbukurojë, ajo i vendos vetes një ritëm: fap-fap-fap. Se ritmi është baraz me rëndësinë e punës së saj: “Ju shihni ëndrra, mua më ra për pjesë t’i rregulloj”. Një detyrë jo e lehtë, pasi ëndrrat në vetvete, janë dëshirat, shpresat, pasiguritë dhe frikërat më të thella të njërëzve. Bojëndërr është ndër të vetmet proza në këtë libër ku rrëfehët në vetën e parë dhe ndoshta për këtë, kjo prozë krijon edhe një intimitet emocional të dallueshëm nga të tjerat.  Zëri rrëfimtar merr rolin qëndror dhe pasqyron tërësishtt natyrën e rrëfimtares e  cila merret me ëndrrat, merr përsipër të eksplorojë ndjenja të thella, për të shfaqur dhe më pas zbukuruar botë të brendshme, që shkojnë përtej një realiteti të përditshëm. Ndaj libri bojëndërr është kryekëput një libër që eksploron jetën e personazheve që janë pjesë e tij, përpjekjet e tyre për t’i arritur ëndrrat dhe pse jo për të kuptuar natyrën e vërtetë të tyre. Vët-vët-vët, punon gruaja mbi hënë, se i duhet t’i ndajë, emërtojë, rregullojë ëndrrat. Këtu kemi materializimin e ëndrrave, kthimin e tyre në gjëra që mund të ndahen dhe përzgjidhen, një materializëm simbolik që lidhet me kalimin e atyre që në vetvete janë abstrakte, në një formë të prekshme. E të gjitha këto ndodhin në një lojë jam-s’jam; dukem-zhdukem. Se, kur duket gruaja piktore me penelë ndër gishta, zhduket hëna, se vetë gruaja bëhet hënë dhe sheh gjithçka, duke përdorur krateret e saj herë si sënduk e herë si djep. E kur zhduket gruaja, del hëna, e magjishme, e vetme, ndaj për këtë duhet të jetë njëra ose tjetra. Se hëna është e vetme, se gruaja që rregullon ëndrrat është e vetme si ajo. Sënduku dhe djepi janë dy simbole shumë interesante të kësaj proze poetike. Hëna sheh gjithçka, jo më kot atë e kanë quajtur dëshmitare e heshtur: sheh dhe nuk tregon. Ashty edhe gruas që i duhet në mënyrë simbolike këto të fshehta që sheh në ëndrrat e njerëzve, të mundohet t’i rregullojë, por në të njëjtën kohë edhe t’i mbajë sekret ato.

Paaaaf! Se peneli i gruas edhe mund të bjerë, tek ndër gishta e rrotullon. Kjo është një nga metaforat më të bukura që sjell te lexuesi idenë e fuqishme se,  ka gjëra të mundura ashtu sikur edhe të pamundura. Njerëzit përballen me realitetin dhe jo pak herë vuajnë mungesën e mundësive për të realizuar ëndrrat e tyre.

Të gjitha prozat të cilat janë pjesë e këtij libri, i bashkon diçka e përbashkët: ato kanë një rrëfim të thjeshtë, me një çiltërsi çarmatosëse, por që nën këtë tis, sillen simbole që kërkojnë interpretim. Rrëfimi i Noa Nur-it është në dukje i thjeshtë, por në thelb i ndërlikuar dhe secili lexues krijon qasjen e tij sipas përvojave që ai ka, dijeve dhe mbi të gjitha ndjeshmërisë.

Në prozën me titullin Populli që mbeti pa veshë, metafora e fuqishme në titull të godet. Një titull satirik që të tërheq vëmendjen drejt shqisave të dëgjimit, veshëve, mungesa e të cilëve nënkupton mungesë komunikimi, mbyllje ndaj së vërtetës, ndaj njëri-tjetrit. Kur një popull mbetet pa veshë, ky fakt përveç nuancave satirike, merr edhe nuancë tragjike. Kush nuk dëgjon më, nuk kupton, nuk komunikon dhe varfërohet shpirtërisht. E satira arrin pikën kulmore kur njerëzit arritën sa të prisnin edhe veshët, sepse Lavdërimi t’i rrit ato. Dhe ata, as merrnin dhe as jepnin lavdërime duke i ushqyer  vetes frikën nga liria, nga e bukura dhe individualiteti që karakterizon secilin.

Një tjetër prozë, pjesë e Bojëndrrës, është edhe Lisi dhe Qiparisi. Përzgjedhja e këtyre dy pemëve nga ana e autores sjell me vete edhe simbolikën që ato mbartin. Lisi nuk ëshë thjesht një pemë, por një simbol i fuqishëm i qëndrueshmërisë, mençurisë dhe vazhdimësisë. Ndryshe nga lisi që përfaqson forcën dhe jetëgjatësinë, qiparisi simbolizon shpirtëroren, pavdekësinë dhe lidhjen me botën hyjnore.  Proza Lisi dhe qiparisi, vjen si një reflektim i thellë mbi marrëdhëniet njerëzore. Përdorimi i personifikimit (momenti kur liqeni u drejtohet dy pemëve me zërin e lehtë e të dashur) e bën edhe më të thellë këtë reflektim. Shpesh njerëzit ndalen, kapen pas dallimeve midis tyre, siç në prozën tonë bëjnë lisi dhe qiparisi, duke harruar që ata ndajnë të njëjtën tokë, se rrënjët e tyre liqeni i lag po njëlloj. Liqeni që në vetvete përfaqëson jetën, të përditshmen tonë, bëhet ndërmjetës mes tyre, duke i kujtuar se: thellësia e lidhjeve është më e rëndësishme sesa forma e jashtme.

Bota e Nahlas, është proza më e fuqishme e librit Bojëndërr. Karakteristikë në këtë prozë është ndërthurja e saj me vargun poetik. Sillet kështu një shkrim që në vetvete ka strukturën e prozës, por që ka ritëm dhe figuracion poetik. I gjithë libri gëzon  liri përsa i përket strukturës. Mungesa e  rregullave strikte në formë, sjell me vete një rrëfim plot ide kreative dhe mundësi për të eksperimentuar.  

Bojëndërr, rrëfehet me thjeshtësi, por në të njëjtën kohë jepen mesazhe filozofike duke e ftuar lexuesin jo vetëm ta shijojë tekstin, por edhe të ketë një qasje emocionale ndaj tij duke menduar për zgjidhjen e dilemave ekzistenciale.

 Udhëtimi i Nahlas nuk është vetëm një lëvizje fizike, kalim nëpër shkretëtirë, nëpër vende të panjohura. Ai bëhet simbol i rritjes së brendshme, përballjes me të vërtetën, përballjen me vetveten. Nahla u nis, u largua nga familja dhe gjithçka se për të, e ecura është vallja drejt çlirimit. Nëse deri tani njerëzit janë ndarë në të mirë e të ligj, për Nahlan ata duhet të ndahen në: ata që arratisen dhe ata që rrinë. Pohime të  fuqishme ku njerëzit që ikin dalin jashtë pellgjeve të ndenjura dhe kanë mundësi për ndryshim dhe rritje, duke i shpëtuar mbylljes që pëson duke qëndruar në një vend dhe pa lëvizur, pa parë vende të reja, pa takuar njerëz të rinj, ku të panjohurit janë njerëzit më të mirë për t’i treguar sekretet, sepse mund të na ofrojnë ndihmë e të na japin një mendim, pa asnjë lloj interesi duke na krijuar një lloj rehatie në ndarjen e mendimeve me ta. Udhëtimi e ndryshon Nahlan, e ndryshon botën e saj. Bashkë me ndryshimet e personazhit vijnë edhe një sërë bindjesh të reja, të cilat i serviren lexuesit. Nëse deri më sot kemi besuar se sytë janë ato që nuk ndryshojnë, e pra sytë e Nahlas qëkur ishte larguar nga vendi i saj, ishin bërë ngjyra-ngjyra.

Gjuha e Nahlas ishte ajo qe flitej pa folur, si muzika – këndonte kërcente dhe  thurrte poezi. Pas gjithë eksperiencave, njerëzve që takoi, vjen kthimi.  Nahla  aty kuptoi se malli është i pandarë nga njeriu. Kudo që njeriu të shkojë, çfarëdo ai të përjetojë, malli mbetet si shenjë e dashurisë, kujtesës, një ndjenjë që na bën njerëzorë.

Në  prozën Mallkimi i djellzës, mallkimi nuk vjen si një dënim nga thellësia e shpirtit për dikë që të ka bërë keq, por si një trishtim i heshtur i personazhit i cili ndriçon të tjerët, por vetë rri në vetmi. Ai futet në mënyrë delikate, por të qëndrueshme, përmes figurës së Djellëzës që nuk mund të mos jetë dritë, edhe kur të qenurit e tillë, e ndan nga gjithçka që ajo rrethohet, nga bota e saj. Nxehtësia dhe rreziku që diellza paraqet për të tjerët vjen si një alegori për natyrën e vështirë e të qenit ndryshe, e veçantë. Duke lexuar këtë prozë të Noa Nur-it që vjen me një delikatesë ekstreme, natyrshëm të lind pyetja: A është lumturia që sjell drita, ndriçimi, të qenurit e veçantë më e madhe se afërsia, ndjeshmëria, të qenurit pjesë e botës që të rrethon? Mallkimi i diellzës vjen si një dedikim për të gjithë ata njerëz që nuk duan të lëndojnë askënd dhe për këtë privojnë veten nga kontaktet me gjithçka që iu takon, me botën e tyre. Një dashuri e madhe që qëndron larg për të mos lënduar. E i gjithë ky mundim shpirtëror bulëzon ne lule të verdha, të ndritshme si vetë rrezet që diellza lëshon.

Proza Gur e shkëmb është ndër prozat më të gjata të librit Bojëndërr. Ajo përfshin brenda saj disa cikle të jetës së personazheve. Karakteristikë në këtë prozë është që miti i malit, forca e gojëdhënës përdoren nga autorja duke u sjellë në një version modern të rrëfimit me shtresime kuptimore. Në “Gur e shkëmb” lexuesi i sotëm takon traditën, përmes letërsisë.
Kaltrina një ndër personazhet e kësaj proze, nuk dinte kush ishte dhe nga vinte. Ajo ishte fëmija i dëshiruar që mali e kishte sjellë, por vetëm kaq. Ciklet jetësore të personazheve përmbledhin dashurinë e prindërve të Kaltrinës dhe më pas të sajin. Një udhëtim në fund të të cilit ajo kupton se Mali, vendlindja e saj, nuk është më mister dhe se ajo tashmë është pjesë e tij dhe ajo e sheh veten shkëmb e gurë, pa frikë, pa mit. Në mal tani ka jetë, dhe jo vetëm shkëmb e gurë. E Kaltrina, nësë më parë ishtë bija e malit tani me Borjanin përkrah, ajo ndihet e plotësuar për vete dhe familjen që e rrethon. Gur dhe shkëmb nuk është vetëm pjesë e një peizazhi, por gjendje, cikël jetësor,  ndryshim.

Ranushja është proza që përmbyll Bojëndërr, një personazh që e ka marrë emrin nga vendi kur rri (rëra) dhe ato ç’farë mbledh duke ndenjur në të.                                                    

Përsëri përballemi me një rrëfim të sinqertë, gati fëminor të autores, por që sjell me vete mesazhe.
Dhe ato vijnë pikërisht prej Ranushes, e cila duke mbledhur guacka që janë dashuria e saj, ndesh shumë plehra qê i hidhnin ata “Tipat e Plazhit”: shishe, bidona, mbeturina që jo vetëm ia prishnin hijeshinë rërës, por një ditë i çajnë edhe këmbën e zbathur Ranushes. E Ranushja gjen vetëm ngushëllim te deti, dallgët që i premtojnë se do të rrumbullakosin e do të lëmojnë çdo copë xhami të thyer. Dhe mrekullia ndodhi: rëra u mbush me gurë shumëngjyrësh. Lutja e vajzës tregon fuqinë e besimit, dëshirën e mirë për të bukurën në vend të shkatërrimt. Deti që i plotëson dëshirën dhe i transformon gurët, është simbol i forcës e jetës, e cila përmes kohës që kalon, i lehtëson dhe i transformon plagët. Shndërrimi i copave të xhamave të thyer në gurë shumëngjyrësh e të lëmuar është pikërisht shndërrimi i të keqes në diçka të bukur. Ka një sentencë që nuk mund ta lë pa e përmendur: “E liga nuk i shpëton dot të mirës”. Dhe është shumë e vërtetë, pasi e liga nëse përballet me mirësi, nuk ka më fuqi, ajo zbutet, thyhet përfundimisht dhe shndërrohet në një pjesë të së mirës. Ranushja, mbetet personazhi që i thurr himn transformimit përmes mirësisë.

Bojëndërr, mbyllet me një pyetje që autorja e shtron në shkrimin përmbyllës: Çfarë jemi ne?

Një pyetje që e bën këtë libër të hapur për çdo lexues. E më pas vazhdon: Jemi përzierje të çuditshme ësndrrash dhe gjak…etj, etj dhe përmbyll me një fjali: Ne jemi aq dhe më shumë se aq. Sepse nuk ka një përkufizim të mjaftueshëm të asaj që ne qeniet njerëzore jemi, sepse njerëzorja në vetvete, është tepër e larmishme dhe nuk mund të futet në një kuadër të vetëm. Vetë njeriu mbetet një enigmë që udhëton për të gjetur vetveten, ëndërron, ndriçohet pas çdo ekperience, dhimbjeje, dashurie dhe në fund, kthehet. Kthehet atje ku mendon se ka diçka që ia vlen për të pasur mall, për t’u kthyer. Atje ku mendon se është dikush që e pret.

ObserverKult


Lexo edhe:

“DREJT ITAKËS”, POEZI NGA TEUTA DHIMA