reklamë

Pse disa e quajnë Beratin një nga vendet “më shpirtërore” në botë?

Qyteti historik i Beratit është përfshirë në një listë të vendeve në botë që besohet se kanë energji të fortë “shpirtërore”, sipas një artikulli të publikuar nga platforma “Behind the Illusion”.

Lista përfshin rreth dhjetë destinacione të njohura globalisht, të cilat lidhen me një “fushë energjie” të veçantë, duke e renditur Beratin përkrah vendeve ikonike si Machu Picchu në Peru dhe Stonehenge në Mbretërinë e Bashkuar.

Sipas publikimit, këto vende konsiderohen si hapësira ku njerëzit ndiejnë një lidhje më të thellë shpirtërore dhe përjetojnë ndjesi të pazakonta apo emocione të forta.

Berati, i shpallur pasuri botërore nga UNESCO dhe i njohur për arkitekturën karakteristike dhe bashkëjetesën ndërfetare, përshkruhet si një vend me “energji të fuqishme shëruese”, ku shumë vizitorë raportojnë përvoja të veçanta personale.

Artikulli thekson gjithashtu ndikimin e Malit të Tomorrit, një vend pelegrinazhi për shumë besimtarë që kërkojnë paqe, shëndet dhe lidhje shpirtërore.

Megjithatë, këto pretendime nuk mbështeten nga prova shkencore, por besime të tilla shpesh lidhen me destinacione të njohura në botë, duke rritur interesin e turistëve dhe udhëtarëve të apasionuar pas përvojave shpirtërore./atsh

ObserverKult


Lexo edhe:

Kur Márquez fliste për romanin “Njëqind vjet vetmi”: Tërë frikë pyeta se çfarë dreqin do të vinte më pas…