Piramidat janë ndërtesa madhështore, funeral më i denjë për faraonët, të konsideruar si mishërim i perëndisë Horus. Më të famshmet gjenden në pllajën e Gizës, dhe janë ndërtuar nga faraonët e fuqishëm të dinastisë së katërt, ndërmjet viteve 2600- 2500 P.E.S, gjatë periudhës së quajtur “Mbretëria e Vjetër”.
Pas shkëlqimit të kësaj të fundit, Egjipti përjetoi një periudhë të gjatë rënies dhe trazirave civile: faraonët vazhduan të ndërtojnë piramida, por ato nuk arritën më kurrë madhësinë e atyre të vjetra, pasi e kuptuan se bëhej fjalë për një aktivitet shumë të shtrenjtë dhe që kërkonte shumë angazhim.
Vetëm shumë shekuj më vonë, nga viti 1600 P.E.S, filloi një fazë e re e shkëlqimit, të cilën egjiptologët e kanë quajtur “Mbretëria e Re”: faraonët nuk qenë kurrë më të pasur dhe aq të fuqishëm. Ata mund të ishin në gjendje të ndërtonin piramida më të mëdha sesa ajo e Keopsit por nuk e bënë. Preferuan të gërmonin varre të mëdha nëntokësore, të dekoruara bukur e të mbushura me të gjitha llojet e thesareve që i dhanë jetë Luginës së Mbretërve.
Ky ndryshim në prirje, kishte të bënte edhe me teknikat e varrimit dhe është kryesisht i natyrës praktike: piramidat nuk qenë mjaftueshmërisht të sigurta, dhe madhështia e tyre tërhiqte vizitorë të padëshirueshëm, si grabitësit e varreve. Prandaj faraonët vendosin ta bëjnë më pak të dukshëm varrin e tyre, dhe të nxjerrin ndërkaq në pah kompleksitetin e sistemit të qasjes nëntokësore.
Piramidat qenë aq mbresëlënëse, por edhe delikate, të kushtueshme dhe të pasigurta:blloqet e gurit që përdoreshin në raste të tilla prireshin të degradonin dhe rrëzoheshin për shkak të ndryshimeve të temperaturës; gurët kontraktoheshin dhe deformoheshin, duke krijuar të çara që fusnin rërë dhe shkaktonin gremisjen e pjesëve të stukturës. /bota.al