Pse ishte Van Gogh i fiksuar pas lulediellit? (Foto)

Në fund të vitit 1887, një artist i quajtur Vincent Van Gogh, ekspozoi pikturat e tij në muret e restorantit parizian Grand Bouillon de Chalet.

Punëtorë mëditës e frekuentonin për drekë. Muret e restorantit parizian ishin zbukuruar gjithashtu me piktura të Henri de Toulouse-Lautrec, Emile Bernard dhe artistë të tjerë avangardë të kohës. Këto ekspozita të përkohshme ishin jetëshkurtëra dhe nuk tërhiqnin vëmendjen e publikut (në të vërtetë, sipas Bernard, Van Gogh u grind me pronarin dhe në fund mori pikturat e tij dhe u largua).

Megjithatë, ky ekspozim jetëshkurtër pati një efekt. Kur një piktor tjetër, Paul Gauguin, erdhi për të parë ekspozitën, i bënë veçanërisht përshtypje vajrat e Van Gogh-ut, veçanërisht studimet dhe natyrat e tij të qeta me luledielli, tekstura pothuajse prej kadifeje e farave të tyre dhe shpërthimi i ndritshëm i hapjes së petaleve të tyre.

Më pas ai kërkoi të merrte dy nga pikturat që Van Gogh pranoi t’i shkëmbente me një vepër të kolegut të tij simbolist.
Nienke Backer, kuratore e ekspozitës tematike në Muzeun Van Gogh, beson se interesi i Gauguin për lulediellin e krijuar nga kolegu i tij më i ri i dha Van Gogut shtysë për të përqendruar interesin e tij në studimin e kësaj luleje specifike.

Vazhdoi të krijoi gjithsej 11 natyra të qeta me luledielli, shumë prej të cilave kishin për qëllim t’i bënin përshtypje Gauguin, aq sa stolisi dhomën e gjumit në shtëpinë e tij të verdhë në Arles me këto piktura, ku të dy artistët kaluan pak kohë duke jetuar dhe krijuar së bashku, në 1888.

Në të vërtetë, Gauguin më vonë kërkoi të zotëronte disa nga veprat në Shtëpinë e Verdhë: njëra prej tyre ishte luledielli në një vazo të verdhë, një shpërthim ngjyrash me të verdhë të tejmbushur, intensive dhe të ndritshme.
Ishin këto veçori të veçanta dhe karakteri i lulediellit që joshnin t’i pikturonte Van Gogh: “ngjyra që i pëlqente, por edhe forma e saj. Luledielli është një bimë e fortë dhe e drejtë. Nuk është elegante dhe delikate. E quajti “luledielli e fshatit” dhe ka një egërsi dhe vrazhdësi në natyrën e vërtetë, e cila ishte një veçanti që e tërhiqte shumë”, thotë Bakker.

Fëmijëria në Holandë

Kur periudha e tij e zymtë dhe e trazuar pushtoi artistin e njohur për paqëndrueshmërinë e tij mendore, Van Gogh kaloi periudha të gjata në azil. Gjatë mbylljes së tij, kishte mall për jetën në natyrë dhe fëmijërinë e tij në Holandë. Siç thekson Bakker në katalogun e ekspozitës, Van Gogh i zbuloi vëllait të tij Theo se gjatë periudhës që nuk ndihej mirë parafytyronte shtëpinë e tyre dhe kopshtin e saj në Sundert. Kishte kapur imazhin e shtëpisë së tij në telajo nga kujtesa, një kompozim që përfaqësonte nënën dhe motrën e tij të humbur në një kopsht të dendur, i cili përfshinte dahlias dhe luledielli.

Simbolika e luleve për Van Gogh

Më vonë imagjinoi të kombinonte portretin e zonjës Roulain, të quajtur La Berceuse (‘Gruaja me djepin’ 1888-89), me veprat të tij me lulediell. Piktura shfaq gruan e një miku të tij ulur, ndërsa pas saj është një sixhade me lule të ndezura e të çelura. Van Gogh e kishte imagjinuar këtë pikturë të rrethuar nga dy vepra luledielli, në formën e një triptiku — Virgjëresha e rrethuar nga dy buqeta pulsuese.
Luledielli ishin për Van Gogh jeta autentike në natyrë.

Luledielli, i trajtuar dikur nga Van Gogh si një element dekorativ, tani kishte marrë një karakter simbolik, një simbol që përfaqësonte dritën, duke u bërë ideali i të jetuarit autentik në natyrë. Poeti dhe kritiku simbolist Gabriel-Albert Aurier argumentoi se lulediellët e Van Gogh-ut sollën një ide të fuqishme dhe duke shkruar në Mercure de France i referohej “pasionit fiksues për diskun diellor, të cilit i pëlqen të shkëlqejë në qiejt e tij flakërues dhe nga ana tjetër, dielli tjetër, ylli i bimëve, luledielli i mrekullueshëm, të cilin e kriijon pa pushim, si një monoman.”

Siç raportohet nga APE-MPE, Van Gogh u përgjigj se me të vërtetë luledielli pasqyron një ide, “mirënjohjen”. Pikturat e tij, siç i shkroi motrës së tij në vitin 1890, janë “pothuajse një klithmë ankthi, ndërsa simbolizojnë mirënjohjen ndaj lulediellit vendas”, një imazh që i dhuronte paqe dhe intimitet dhe që, siç mund ta imagjinoni fare mirë, zotëron një shkëlqim dhe formë të caktuar jetike, që kishte fuqinë për të gjallëruar dhe qetësuar shpirtin e tij në kohë të trazuara.

Në shqip: Shpendi Shakaj

ObserverKult