Pse keqkuptohen skulpturat erotike indiane?

Të anatemuara apo të vlerësuara, skulpturat erotike të Khajuraho-s përherë janë keqkuptuar. Megjithatë, karakteri i shenjtëruar, po aq sa dimensioni i tyre artistik, shpalos një kulturë veçanërisht të pasur.

Kur inxhinieri britanik T. S. Burt, në 1838, zbuloi tempujt e Khajuraho-s, të varrosur nën një bimësi të harlisura, e pati të pamundur të fshihte si habinë, ashtu edhe qortimin. Në ditarin e tij, ai shënon “disa skulptura jashtëzakonisht të pahijshme dhe tronditëse, që u tmerrova kur i gjeta në tempuj”. Shfaqja e paturpshme e dashurive të shfrenuara në muret e një ngrehine të shenjtë, kishte material të bollshëm për të trullosur një person të shekullit të nëntëmbëdhjetë, për më tepër anglez. Sot, nëse soditja e këtyre formave nga turistët e mbarë botës trupëzohet në vetëkënaqësi, atëherës keqkuptimi mbetet ende i pazgjidhur, sa i përket domethënies së vërtetë të këtyre akrobacive seksuale.

Skena erotike në një tempull

Gjithsesi, historia e kësaj vendndodhjeje spektakolare është e mirë vërtetuar. E vendosur në shtetin Madhya Pradesh, rajoni i Bundelkhand u dominua nga mesi i shekullit X nga një dinasti lokale, Chandela, pushteti i së cilës lëshoi rrugë vetëm fillim të shekullit XII, nën presionin e myslimanëve. Tempujt që ndërtuan këta sundimtarë në Khajuraho, Lalanjara dhe Mahoba, mbeten nga më të bukurit e Indisë mesjetare. Në Khajuraho janë ngritur jo më pak se 85 tempuj, nga të cilët vetëm 22 kanë mbijetuar. Qofshin hindu apo jain, pjesa dërrmuese ishin konceptuar sipas një skeme identike: mbi një themel të fuqishëm ngrihet ndërtesa kryesore, kolonat, e pasur në skalitje dhe e mbingarkuar me kupola, sikras. Dekori i skalitur është i organizuar në fasha të mbivendosura, të pikësuara me stade. Të tejmbushura, këto basoreliefe thuajse pushtojnë sipërfaqet, një mbingarkesë në zbukurim që dikush mund ta quajë fare mirë stil barok. Figurat gëzojnë në ca pozicione të zbukuruara me gdhendje, artificialiteti i të cilave prezanton çrregullim sensualiteti. Po ashtu, karakteristikë e stilit të Khajuraho-s, fytyra ovale e mbushur me sy të zgjatur, gjysmë të mbyllur dhe vetulla të ngritura. Trupi gjysmë i zhveshur, por i mbuluar me xhevahire, personazhet shfaqin forma të zhvilluara dhe erotike. Më e dukshme prani e gjinjve të bollshëm dhe ije të kolme. Si rrjedhojë, nuk është e vështirë të perceptojmë këtu jehonat e largëta, por disi më të mprehtë të stilit gupta (shekujt 4-6).

Sidoqoftë, siç dëshmon numri i skulpturave, ky është mirëfilli një krijimtari masive e kryer nga ushtri artizanësh. Kompozimet e përsëritura dhe figurat stereotipike nuk e ndryshojnë sensualitetin e veprës, të lartësuar nga guri ranor i verdhemë e i lëmuar me kujdes. […] Por ajo që tërheq vëmendjen janë mithuna, çifte të dashuruarish të kapur në pozicione të ndryshme dashurie.

Në Indi, Zoti bën dashuri

Ndërsa është e vështirë që prej kësaj vorbulle të nxirret një koherencë narrative, ekzistenca e një ligjërimi që artikulon dimensionet e shumësit të këtyre dekoreve nuk është më pak e pamohueshme dhe bën të mundur nxjerrjen në pah të skenave erotike në një vend adhurimi. “Në Perëndim Zoti është dashuri, në Indi, Zoti bën dashuri”, – e përmbledh me një frazë goditëse Michel Angot. Dhe nuk është rastësi, që librat e famshëm të “Kama Sutra”-s u shkruan në gjuhën e shenjtë, në sanskrishkt. Daton nga shekulli IV, ky manual dashurie ofron një përshkrim jashtëzakonisht të përpiktë të jetës së dashurisë bashkëshortore dhe jashtëmartesore, duke përfshirë në dimensionin e saj shoqëror, martesën. Vepra “ilustron këtë tendencë të thellë në Indi, për ta shndërruar aktin e dashurisë në një rit ku protagonistët nuk i jepen vetëm pasionit, por kryesisht njohurisë, – nënvizon Michel Angot, – me pak fjalë, për ta bërë dashurinë në vetvete një vepër arti. Që prej, rëndësia e të kundërtës e shenjtë/profane fshihet”.

Më shumë se një celebrim i jetës sensuale, imazhet erotike të Khajuraho-s mbase kërkojnë të provokojnë dëshirën hyjnore, me qëllim që të fekondojnë universin dhe të sigurojnë riprodhimin e tij. Në ikonografinë e Vishnu-s gjejmë të njëjtën ndërthurje të dimensioneve njerëzore dhe kozmike të krijimit. Në Lakshmana, kushtuar origjinës së saj femërore Lakshmi, çiftet jepen pas akteve të dashurisë me një entuziazëm që nuk gjenden përveçse në lutje./Konica.al