Studiuesi gjerman me origjinë kanadez, Robert Elsie, i cili rrëfeu kaq shumë për tiparet e kombit tonë, tani prehet në Theth, mes Alpeve të Shqipërisë.
Ishte amaneti i tij që të prehej në këtë fshat turistik, të cilit i kushtoi edhe një nga librat e tij të shumtë, duke dëshmuar lidhjen e tij të fortë që kishte me tokën shqiptare.
Pavlin Polia, në një bisedë më gazetaren Rudina Xhunga tregoi më shumë se pse Thethi ishte amaneti i fundit i albanologut, ku varrimi u bë sipas riteve të fshatit.
“Unë kam patur fatin ta takoj kur ka qenë gjallë. Besoj që është pasuri e rrallë të arrish të bisedosh për pesë minuta me atë personazh, i cili nuk ka lindur në Shqipëri por ka bërë një kërkim të jashtëzakonshëm për Shqipërinë, për albanologjinë.
Pastaj kur morëm lajmin që kishte vdekur më kontaktuan njerëzit e afërm të tij dhe thanë që kishte shprehur dëshirën që të varrosej në Theth. Gjëja e parë që unë kam bërë ishte të kontaktoja vllaznitë e Thethit. Kjo pasi nuk ka qenë vendas i Thethit.
Pastaj, duheshin edhe letrat nga bashkia dhe prefektura. Diçka e lezetshme asokohe, kur unë i kontaktova fillimisht nuk kishte dakordësi mes tyre. Madje asokohe prefektura na tha që kishin gjetur një vend në Vermosh dhe që mund të vendosej afër rrugës. Por ai e ka lënë amanet të prehej në Theth. Nuk është se thjesht ngeli pa një vend. Pas këtyre, arritëm të bënim dhe letrat.
Pastaj, Robert Elsie ka shkruajtur librin “A Passion for Theth/ Albania’s Rugged Shangri-La”, i cili për ne është pasuria më e madhe apo promovimi më i madh që ka bërë për ne. Pavarësisht të gjithë atyre që ka bërë për të gjithë Shqipërinë, e vlerësojmë edhe për shkrimet dhe kërkimet që ka bërë gjatë viteve 1995-2005 për Thethin”, tregoi ai./dritare.net
ObserverKult
Lexo edhe: