Pse u largova nga Shqipëria!

Nga Majlinda Sommer

E dashur Rudina,

Sot në mëngjes po shihja në internet emisionin tuaj në You Tube Rudina Xhunga “Unë po iki nga Shqipëria se…”

Më pëlqeu po dhe dua të theksoj se: problemet në Shqipëri janë duke filluar nga A deri te Zh, dhe fatkeqësisht, media, bota akademike, shoqëria shqiptare i fillon dhe i bën llogaritë shumë ngushtë duke menduar “jam në rregull unë për vete, kam lekë unë për vete, kam një punë unë për vete, kam miq politikanë unë për vete të zgjidh një hall” shqetësimet e të tjerëve, të shoqërisë nuk më interesojnë dhe me një fjalë parimi i së drejtës në princip nuk ekziston, shteti i së drejtës zgjat pafund (këtu dua të përmend se një proces gjyqësor administrativ në Shqipëri zgjat 13 vjet duke menduar të gjitha shkallet e gjyqësorit), këtë informacion e kam nga interneti.

Si një juriste dhe si përkthyese, pjesë e sistemit të drejtësisë gjermane, dua të radhisë arsyet e mia që jam larguar nga Shqipëria:

1. Mungon meritokracia në përzgjedhjen e stafit akademik, në çdo institucion.

2. Mungon transparenca në një proces të çfarëdo lloji.

3. Politika i ka bërë ligjet, me qëllim që ligjet t’i shërbejnë së pari vetëm politikanëve.

4. Ndarja e pronave, nuk mbështetet aspak në parimet demokratike dhe legjislacionet e vendeve më të zhvilluara kapitaliste.

5. Shërbimet skandaloze që ofrohen në institucione( këtu dua të përmend faktin se me humbjen e jetës së babait tim, pashë se dhe procedurat e varrimit të një personi në Shqipëri ishin një biznes fitimprurës në kurriz të familjes së të ndjerit).

6. Siguria në rrugë, në punë, në qarkullimin me automjet skandaloze, çdo ditë  aksidente, edhe në Gjermani me një popullsi prej 90 milionë banorësh nuk ndodhin.

7. E ardhmja për fëmijët është totalisht e pashpresë, kur shikon që një person VIP në Shqipëri është një individ që merr pjesë në ‘Big Brother’ dhe jo një njeri që, ka një zanat (apo profesion) dhe prodhon diçka në të mirë të vetes, familjes dhe shoqërisë. Unë e shoh se produkti “Llafe” ka më shumë vlerë atje se produkti “punë”. Këto janë principe që mua më lënë një shije të hidhur.

Ka dhe shumë e shumë probleme të tjera, por për arsye kohe do t’i rezervoja në një kohë tjetër.

Unë çfarë kisha mundësi atje për të reaguar (kur isha studente e juridikut kam luftuar kundër gjyqtarëve 6-mujorë), për ta ngritur zërin e bëra (në institucionet ku kam punuar) dhe nuk gjeta zgjidhje, zgjidhja ime ishte largimi nga Shqipëria.

Shoqëria civile, media, bota akademike, njerëzit e thjeshtë, duhet të zgjohen të reagojnë dhe të shohin çdo problem me syrin kritik dhe jo të thonë “nuk më intereson”.

Këtu dua të përmend një thënie të Anne Frank:

“Shoqëria shpërblen të këqijtë aq shpesh sa të mirët. Vetëm ata që rrinë urtë nuk shpërblehen kurrë.” /dritare.net

ObserverKult


Lexo edhe:


MIHAI EMINESKU: PËRSE FRIKOHESH? A S’MË KE TI PRANË?