Publikohet dokumenti i panjohur: Ushtria jugosllave po përqëndrohet në kufijtë tanë…

Publikohet një dokument i panjohur arkivor, i nxjerrë nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), që mban datën 31 gusht 1968, ku Drejtori i Sigurimit të Shtetit pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, Feçor Shehu, me anë të një raport-informacioni njofton Behar Shtyllën që mbulonte marrdhëniet me jashtë pranë aparatit të Komitetin Qendror të PPSH-së.

Informacioni eshte lidhur me komentet e ndryshme që bëheshin në disa rrethe të vendit pas ngjarjes së ndodhur më 21gusht të atij viti kur Bashkimi Sovjetik dhe disa shtete të tjera anëtare të Traktatit të Varshavës, si Gjermania Lindore, Hungaria, Polonia dhe Bullgaria, ndërmorrën agresionin ushtarak duke pushtuar Çekosllovakinë.

Çfarë thuhet në atë raport-informacion të hartuar nga Sigurimi i Shtetit lidhur me komentet që bënte “elementi armik” pas ngjarjeve të Çekosllovakisë, si dhe ato që flisnin dhe diskutonin disa prej ambasadorëve e diplomatëve të përfaqësive të huaja të akredituara në Tiranë, si ambasadori francez, Iv Pino, sekretari i ambasadës turke, Nasho Bleda, funksionari i ambasadës arabe, Abdyl Nenin Sabri, i ambasadës arabe, Abdyl Nenin Sabri, i ambasadës rumune, Florin Dragoi, i ambasadës kubaneze, Gilberto Kamil, i ngarkuari me punë i Polonisë, Piotër Gllavacki, shoferi i ambasadës polake, Bjesllav Ebies, etj., të cilët ishin nën përgjim nga “Shtëpia me gjethe” në qëndër të Tiranës?!

Ngjarjet e ndodhura në muajt e parë të vitit 1968 në disa vënde të Europës Lindore, si demonstratat në Çekosllavaki, Poloni e Jugosllavi, por dhe në disa vënde perendimore, (kryesisht me studentët), si në Francë Itali, etj., të cilat kulmuan me agresionin ushtarak dhe pushtimin e Çekosllovakisë në 21 gusht të atij viti nga ana e Bashkimit Sovjetik dhe disa vëndeve të tjera aleate të saj, (Gjermania Lindor, Bullgaria, Hungaria e Polonia), patën një impakt të fortë dhe alarmuan së tepërmi edhe regjimin komunist të Enver Hoxhës, i cili i trembej një “efekti domino” ndaj vëndit tonë, pasi, Shqipëria e asaj kohe, konsiderohej si një nga “hallkat më të dobta”, të gjithë Lindjes Komuniste.

Veç të tjerash, kjo gjë bëhet e ditur edhe nga ky dokument arkivor që mban datën 31.VIII.1968 (Fondi i ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së) dhe i sigluar “Tepër sekret”, i cili është një raport-informacion i Drejtorit të Drejtorisë së Parë në Ministrinë e Punëve të Brendëshme, (Sigurimi i Shtetit), Feçor Shehu, dërguar Behar Shtyllës, ish-ministrit të Punëve të Jashtëme që prej pak muajsh mbulonte marrdhëniet me jashtë në aparatin e Komitetit Qëndror të PPSH-së.

Siç do të shohim edhe nga raport-informacioni në fjalë me temë “Mbi komentet armiqësore”, nisuar nga situata e tensionuar në planin ndërkombëtar, me një ndjeshmëri të një shkalle të lartë (tipike për vëndet e regjimet komunsite diktatoriale), Tirana zyrtare po tregohej mjaft e vëmëndëshme, pasi i druhej atyre ngjarjeve, se mund të ndodhin edhe në Shqipëri.

Dhe kjo gjë duket qartë edhe nga dokumentet e shumta arkivore që gjenden në Fondin e Komitetit Qëndror të PPSH-së, ku Ministria e Punëve të Brendëshme, me anë të ministrit, Kadri Hazbiu dhe zëvëndësve të tij, si Feçorr Shehu, Rexhep Kolli, etj., që ishin dhe drejtuesit kryesor të Sigurimit të Shtetit, i ka dërguar një sërë informacionesh dhe raportesh udhëheqjes së lartë, duke filluar nga Enver Hoxha, Hysni Kapo, Ramiz Alia, Xhaferr Spahiu etj., me anë të së cilave e ka informuar deri me detaje, mbi çka ndodhte në çdo skaj të vëndit, nga jugu në veri. Në fokus kryesor të atyre raport-informacioneve, ishin komentet që bëheshin nga ana e trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, si dhe nga intelektualë të ndryshëm, kryesisht “elementi armik”, rreth ngjarjeve që po ndodhnin në disa vënde të Europës Lindore, si Çekosllovaki, Polonia etj.

Dhe jo pa arsye, pasi siç duket dhe nga ky dokument, por edhe nga një sërë dokumentesh të tjera arkivore që ndodhen në dosjet përkatëse në arkivat e shtetit, situata në atë kohë po precipitonte në atë mënyrë, saqë regjimi komunist i Tiranës, pas ndërhyrjes së trupave ushtarake sovjetike në Çekosllavaki më 21 gusht të atij viti, e kaloi ushtrinë në gatishmëri nr. 1, njësoj si në gjëndje lufte. Dhe më shumë se sa ndonjë agresioni nga jashtë, regjimi komunist i druhej ndonjë lëvizje nga brenda.

Në këtë kontekst të rrjedhës llogjike të ngjarjeve, kjo periudhë kohe (gjithë viti 1968), duket se ka qenë një nga periudhat më alarmante dhe të frikshmet që ka kaluar ai regjim, (deri në vitin 1990-ën kur ndodhi ngjarja e ambasadave), gjë e cila duket dhe nga dokumenti në fjalë që Memorie.al e publikon të plotë siç ndodhet në dosjen përkatëse në Arkivin Qëndror të Shtetit.

Raporti “Tepër sekret” i Feçor Shehut për Behar Shtyllën

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPERISE TEPER SEKRET

MINISTRIA E PUNEVE TE BRENDSHME Ekzemplar Nr. 5

DREJTORIA E PARË

Nr. 1600 Prot.
Tiranë, më 31.8.1968

Lënda: Mbi komentet armiqësore

KOMITETIT QENDROR TE PPSH

(SHOKUT BEHAR SHTYLLA)

TIRANE

Kur populli ynë është ngritur kundër invazionit Sovjetik në Çekosllovaki dhe aprovon plotësisht deklaratën e Partisë dhe të qeverisë, elementët armiq duke marrë shkas nga këto ngjarje, kanë intensifikuar veprimtarinë armiqësore dhe kanë zhvilluar agjitacion e propagandë më të gjerë. Kështu, brenda tetë ditëve janë marrë shumë të dhëna nga këta elementë, si dhe mbi 30 të dhëna nga përfaqësuesit diplomatikë dhe tregtarë që janë në vendin tonë.

KOMENTE NGA ARMIQ TË BRENDSHËM
Edhe gjatë këtyre ditëve elementët armiq të brendshëm kanë vazhduar të komentojnë në mënyrë të gjithanshme kryesisht për ngjarjet në Çekosllovaki. Këta elementë deri tani kanë folur vetëm për periudhën e parë të invadimit:

Më të mprehta komentet armiqësore janë bërë nga elementë antiparti, të cilët shfaqin mendime nga më të ndryshmet, por qëllimi i tyre kryesor është që të godasin vijën politike të Partisë dhe udhëheqjen e saj. Disa kohë më parë shtypi ynë thoshte se Çekia po binte në prehrin e imperializmit, po të jetë kështu, atëherë Bashkimi Sovjetik ka bërë shumë mirë që e invadoi, sepse ai mbrojti socializmin. Atëherë cili është qëllimi i Partisë sonë me Çekosllovakinë, që po shkon drejt kapitalizmit apo me Çekosllovakinë që po shkon drejt socializmit? Më keq akoma është qëndrimi ynë kur u dënua ndërhyrja e forcave të Traktatit të Varshavës dhe u radhitën në një anë me imperializmin amerikan dhe Titon. Deri tani Partia dhe qeveria jonë sulmonte Bashkimin Sovjetik se është lidhur me imperializmin amerikan, por tani që ata sulmojnë Dubçekun pse u lidh me amerikanët, gjë që tregoi se B.S. nuk është i lidhur me amerikanët por me Traktatin e Varshavës, përse përsëri dënon B.S. si agresor? Kjo merret vesh, këta flasin se i’u leverdis.

Shtetet socialiste duhen të kenë demokraci dhe bashkëpunim, por në fakt këta po hanë kokat e njëri-tjetrit dhe kështu do të vazhdojnë deri sa të mbarojnë së ekzistuari. -Çekia po vazhdon të ecë me politikën e Kongresit të XX-të të P.K. të Bashkimit Sovjetik, mbasi çekët thonë se socializëm pa demokraci nuk ka kuptim? Ajo që bënë udhëheqësit çekë është për t’u adhuruar, sepse ata kanë filluar një luftë të madhe për të zhdukur çdo mbeturinë të stalinizmit dhe vetëm kështu mund ta ndjejnë veten të lirë, duke ju përgjigjur plotësisht kërkesave të kohës. -Nga këta tanët flitet shumë për lëvizjet marksiste-leniniste në Evropë, kjo nuk është aspak e vërtetë, ata janë disa grupe pa autoritet, vagabondë dhe renegatë që nuk luajnë asnjë rol në jetën e këtyre vendeve dhe ajo që thuhet se gjoja këta udhëheqin grevat, është gënjeshtër. Komunistëve të vërtetë dhe partitë e tyre në Evropë, as ju duket as nami as nishani.
Elementë armiq që vijnë nga radhët e emigracionit reaksionar jugosllav, kanë bërë një seri komentesh shumë armiqësore. -Rusët më në fund kanë vendosur t’u tregojnë edhe njëherë të gjithë tradhtarëve se kush janë ata. Bolshevikët kanë mbetur bolshevikë, ky është një sukses i madh për ne. Populli çekosllovak është më i civilizuar se ai sovjetik, prandaj e kanë më kollaj çekët të zbatojnë vijën e re të socializmit të ngjashëm me atë jugosllav, i cili shahet më shumë vetëm nga komunistët shqiptarë. Çekia për çlirimin e vet nuk ka hedhur asnjë pushkë, por ishin vendet socialiste që e çliruan atë, prandaj edhe hyrja e tyre është e ligjshme. Opinioni publik i dënon veprimet e B.S., por duhet ditur se B.S. sapo e ka filluar misionin e vet. -Ne emigrantët politikë duhet të shtrëngojmë radhët tona dhe të mos i diskutojmë këto ngjarje me shqiptarët, mbasi këta do të fillojnë menjëherë të gërmojnë te ne për të marrë informata për shokët tanë, mbasi duhet ditur njëherë e mirë se shqiptarët nuk e duan sllavizimin dhe neve-.

Elementë të ndryshëm armiq që përpunohen nga organet tona, kanë zgjeruar komentet e tyre armiqësore edhe në ngjarjet në Çekosllovaki, ata shikojnë njëkohësisht shpresat e tyre. -Ne këtë situatë e kemi pritur me kohë, tani këtyre u ka hyrë frika në palcë dhe s’kanë ku mbahen. Deklaratat i bëjnë vetëm për të trembur të tjerët, por në fakt dhe ata vetë e dinë se s’kanë ç’të bëjnë. Duke e parë keq punën në këtë situatë, do të përpiqen të marrin masa, por ne duhet të kemi kujdes, duhet të ruhemi dhe po erdhi puna që të okupohemi, jo vetëm që s’duhet të hedhim asnjë pushkë, por përkundrazi, t’u biem këtyre. -Çekia u sulmua, sepse ajo bashkë me Jugosllavinë dhe Rumaninë do të krijonin Antantën e vogël kundër Traktatit të Varshavës, kjo tregon se ata janë popuj me traditë dhe me kulturë, ata bëjnë një politikë të tyre të pavarur, që u përgjigjet interesave të tyre, e jo si ne që tërhiqemi nga hundët nga të tjerët.
Sulmi i B.S. kundër Çekisë është shpëtimtar për ne, kjo tregon se rrota e historisë filloi të lëvizë, kontradiktat po i mprehin vendet socialiste, pra ky është sinjali i ndryshimeve, ky nuk do të jetë i vetmi sulm i B.S. Mbas Çekisë, ata do të sulmojnë edhe vende të tjera, duke përfshirë dhe vendin tonë. -Në qoftë se do të sulmohet vendi ynë, populli nuk do të luftojë për të mbrojtur këtë regjim, mbasi është shumë i pakënaqur nga masat që janë marrë.

B.S. bëri gabim në vendin tonë që e mbështeti punën e tij te Teme Sejko, ai duhet të kishte bërë siç e bëri në Çekosllovaki, por megjithatë kjo punë akoma nuk dihet. -Rusëve iu lumtë, ata e dinë që opinion botëror do t’i dënonte, por sidoqoftë karshi amerikanëve u treguan të fortë, duke u treguar atyre se në Evropë ne bëjmë si të duam, atje ku nuk binden me fjalë, ne jemi në gjendje t’i bindim me forcë. -Këta tanët flasin për revolucionarizim, mirëpo harrojnë se rinia do liri dhe do të bëjë ashtu siç bënë çekët. Udhëheqja jonë nuk mban parasysh ndryshimin e kohëve, por i hyri kësaj rruge dhe nuk po kthehet vetëm për kokëfortësi, duke mos i’u përshtatur popujve të Evropës. Edhe kësaj do t’i vijë fundi.

Çekët janë të vendosur, në rrugën e janarit të këtij viti. Deri më sot historia nuk ka njohur raste që të ketë unitet midis popullit dhe udhëheqjes, pasi ç’duket, udhëheqësit e tanishëm çekë ia kanë gjetur damarin popullit dhe ai i përkrah ata. -Edhe në vendin tonë, gjendja nuk mund të qëndrojë kështu, ajo do të ndryshojë patjetër, megjithëse këtyre tanëve u duket vetja kushedi se çfarë, por shtetet e tjera nuk pyetën për Çekosllovakinë e jo të pyesin për ne. Tani ka ardhur koha që të durojmë dhe të kemi kujdes, sepse siç e fillojë B.S., do t’i vijë dita edhe vendit tonë, mbasi ai nuk do t’i harrojë fyerjet që ne i kemi bërë atij.

Disa klerikë katolikë kanë shfaqur mendimin se Shqipërinë do ta sulmojë Bashkimi Sovjetik, por edhe sikur të mos e sulmojë, qeveria shqiptare do të detyrohet të ndryshojë politikën e saj të brendshme nga frika.
5. Nga disa intelektualë rreth këtyre ngjarjeve janë bërë këto komente të ndryshme:

Një piktor i’u drejtua disa punëtorëve kështu: “Sa shpejt e quani agresion, sa shpejt, duroni se nuk dini asgjë se si është puna. Bashkimi Sovjetik mund të ketë pasur të drejtë, sepse çekët donin të largoheshin nga Traktati i Varshavës, por çfarë ndryshimi ka midis ndërhyrjes që bëri Bashkimi Sovjetik në 1956 dhe kësaj tashti? Pse atëherë e aprovuam ndërhyrjen në Hungari dhe tani nuk e aprovojnë, kur është i njëjti veprim? -B.S. nuk ka interesa ekonomike në këto shtete, por ky ishte një rast për të treguar superfuqinë e vet, të cilën vërtet e ka dhe e tregoi, kështu BS tregoj se mbështetet vetë në fuqitë e tij dhe satelitët duhet ta konsiderojnë atë gjithnjë si mbrojtës.
Dubçeku në ndryshimet që bëri në Çekosllovaki, mundi të përmirësonte gjendjen, prandaj rezistenca e tij e heshtur është e drejtë. Me këtë rast ai bëri analogji me luftën tonë, duke thënë se në rast se partizanët nuk do t’i sulmonin gjermanët, këta të fundit nuk do ta dëmtonin vendin tonë se ishin tranzit.

Gjithashtu ka pasur komente nga persona që nuk janë armiq, por të paqartë politikisht, të cilët në disa raste shfaqin mendime pro invazionit sovjetik dhe në disa të tjera tregohen të frikësuar se mos në këtë situatë përfshihet dhe vendi ynë. Kjo çështje ka shumë rëndësi. Bashkimi Sovjetik është një shtet që nuk lejon shtrembërime. Të themi të drejtën, edhe ne nuk e kemi aspak mirë, sepse gjithë ato parti komuniste që dinë, më shumë ndjekin një politikë tjetër, por këtu nuk është puna për parime, por për karrige. Me qëndrimin e patundur, çekët në asamble treguan se taktika dhe strategjia e Dubçekut do të fitojë.

Edhe ne e kemi pisk punën, sovjetikët ne na kanë halë në sy dhe me rastin kërkojnë të na bien. Ka mundësi që, mbasi të qetësojnë gjendjen në Çeki, t’i bien Rumanisë dhe të merren vesh me Jugosllavinë për të hyrë te ne. Sovjetikët mundohen të shfrytëzojnë këtë rast: sidomos kur shtypi ynë i sulmon ashpër ata. Këta rusët që janë sot, këta kanë qenë edhe më parë, por neve na kishin zënë perde sytë dhe e quanim ujkun qengj. Këta tanët si politikanë të rinj, i besuan dhe i adhuruan ata, por fitorja më e madhe e jona, ka qenë shkëputja nga thonjtë e Ivanit.

2. MBI KOMENTET NGA FUNKSIONARET E PERFAQESIVE TE HUAJA

Sekretari i ambasadës turke, Nasho Bleda, ka thënë: “Veprimet e sovjetikëve janë të shëmtuara. Rusët nuk i parashikuan pasojat e rënda që sollën veprimet kundër Çekisë, për uljen e prestigjit të tyre. Thëniet e tyre për mosndërhyrje në punët e brendshme dhe vetëvendosjen e popujve janë fjalë boshe. Më ka tërhequr vëmendjen gatishmëria juaj e shprehur në shtyp për t’i bërë ballë çdo agresioni. Nuk ma merr mendja që Jugosllavia t’i lejojë rusët që të kalojnë territorin e tyre për të sulmuar Shqipërinë. Sa për Greqinë, ajo nuk mund të bëjë një shaka të tillë, se Shqipëria sot ka emër jashtë, por edhe sikur të guxonin grekët të kapërcenin kufirin shqiptar, ushtria turke do të hidhej pa hezituar kundër Greqisë.”

Funksionari i ambasadës arabe, Abdyl Nenin Sabri, ka thënë: “Trupat sovjetike, e shumta do të qëndrojnë në Çeki rreth një vit, pastaj do të largohen, kurse te ne Izraeli nuk ikën pa luftë. Qeveria jonë është shumë e butë, mbasi kur tradhtuan disa gjeneralë, ata u dënuan me dy vjet burg”.

Funksionari i ambasadës italiane, Antonio Xhirorami, ka thënë: “Bashkimi Sovjetik sulmoi Çekinë, sepse midis tyre kishte kontradikta, dhe kur bisedimet nuk dhanë rezultat, sovjetikët përdorën armët. Populli çek nuk ka çfarë të bëjë. Duhet të jenë të shumtë në numër. Ngjarjet e Çekisë po tregojnë se rusët po sillen keq me popullin e tyre. Enver Hoxha pati shumë të drejtë që i shkëputi lidhje me ta”.

Funksionari i ambasadës rumune, Florin Dragoi, ka thënë: “Partia e Punës së Shqipërisë ka pasur plotësisht të drejtë në lidhje me qëndrimin ndaj BS, kurse në histori s’është parë që një vend socialist të sulmojë një tjetër. PPSH-ja është një parti e lirë dhe e pavarur nga të tjerët dhe thotë fjalën e saj pa frikë. Shokët çekë këtu në Tiranë më theksuan se PPSH-ja me të drejtë e ka cilësuar deklaratën e Bratislavës si gënjeshtër dhe demagogji.” Kur panë parakalimin e 1 Majit që të rinjtë dhe të rejat parakaluan me pushkë, menduam se, ç’duhen këto? Por tani e kuptuam se kjo ishte e drejtë dhe e domosdoshme. Ambasadori francez, Iv Pino, duke biseduar me Paskal Korran, thotë: “Duhet të kihet parasysh se si Çekia, edhe Polonia, dikur kanë qenë shtete kapitaliste, dhe ky fakt nuk duhet të harrohet, pavarësisht se çfarë rruge do të marrin ngjarjet. Rusvelti nuk do të kishte pranuar kurrë që këto dy shtete të radhiteshin me Lindjen dhe të shkëputeshin nga Perëndimi”.

I ngarkuari me punë i ambasadës kubaneze, Gilberto Kamil, në një telegram që dërgon në adresën “Minre Kuba Londër”, njofton mbi deklaratën e partisë dhe të qeverisë së RPSH-së dhe thekson se sulmi sovjetik kundër Çekisë është metodë fashiste. Dënon qëndrimin e drejtuesve çekë dhe më në fund shton se populli shqiptar do të luftojë kundër çdo agresioni. Në një bisedë ka thënë: “Se Fidel Kastro theksoi se BS nuk bëri mirë që sulmoi Çekinë, por veprimi ishte i domosdoshëm, pasi Çekia po shkonte drejt kapitalizmit, kurse unë mendoj se përcaktimi s’është i drejtë, sepse sovjetikët kanë okupuar Çekinë.

Fidel Kastro ka folur një orë për Titon dhe e ka cilësuar atë si agjent të imperializmit, tradhtar etj. Këto ditë isha në Çeki, ku qëndrova 24 orë në Pragë. Atje u fol se do të largoheshin trupat sovjetike nga qytetet dhe u larguan, por të nesërmen u kthyen prapë, se filluan demonstratat kundër marrëveshjes së Dubçekut. Çekët janë të zemëruar dhe nuk kanë asnjë simpati për sovjetikët. I ngarkuari me punë i Polonisë, Piotër Gllavacki, në një bisedim që pati në Durrës me ambasadorin turk, ka thënë:

“Ne mendonim dhe kishim bindjen se Kina dhe Shqipëria do të aprovonin në heshtje agresionin kundër Çekisë dhe kështu ne do të kishim mundësi që të afroheshim me Kinën dhe Shqipërinë. Gjithashtu ne mendonim se po vepronim si marksistëleninistë për të shpëtuar socializmin në Çeki, që ishte në rrezik nga Dubçeku me shokë, por ndodhi krejt e kundërta, u lëshuan të gjithë kundër rusëve”.

Shoferi i ambasadës polake, Bjesllav Ebies, ka thënë: “Sulmi i ngritur kundër Çekisë është një turp i madh dhe një veprim i poshtër. Edhe trupat polake morën pjesë, por ata ishin të detyruar nga trupat sovjetike. Në Shqipëri mund të flasësh kundër sovjetikëve, kurse te ne jo.” Shoferi i ambasadës çeke, Jozef Dermolo, ka thënë:

“Ju shqiptarët jeni shumë të mirë, kurse sovjetikët në mënyrë fashiste zaptuan vendin tonë. Çekia është e armatosur në mënyrë të përsosur, por ajo nuk zbrazi asnjë pushkë, sepse kështu ishte urdhëruar nga udhëheqja jonë.” Specialisti çek në Durrës që merret me transportin e mallrave, ka thënë: “Në Pragë është shpërndarë ilegalisht artikulli i “Zërit të Popullit”, “Ku po shkon Çekosllovakia?”, duke pasur një citat të Julian Fuçikut.

“Partia jonë, – thotë ai, – bëri gabim që këtë artikull nuk e botoi vetë në gazetë, sepse kështu nuk do të bënte atë efekt kur u shpërnda ilegalisht. Ky artikull nuk ka qenë i drejtë, sepse ne nga politika dritëshkurtër e Novotnit kemi mbetur shumë prapa”. Çeku Jon Llukash, teknik kromi, ka thënë: “Rezistenca jonë kundër trupave të pushtimit shkakton gjakderdhje dhe është e pamundur, mbasi sovjetikët përballë një divizioni tonë vënë katër”.

3. MBI KONSTATIMET NE KUFI ME JUGOSLLAVINE DHE GREQINE

Mbas ngjarjeve në Çekosllovaki, në kufijtë tanë, sidomos me Jugosllavinë, janë vënë re një sërë lëvizjesh, të cilat tregojnë se ata po marrin një sërë masash për mbrojtjen e tyre.

NË DREJTIM TË KUFIRIT JUGOSLLAV

Shoferët që marrin krom në Kam të Tropojës, kanë thënë se vendi i tyre po përgatitet për luftë, mbasi të dielën gjithë natën kanë lëvizur autokolona ushtarake nga Gjakova në drejtim të Deçanit.

Në krahinën e Nishit kanë thirrur rezervistë dhe i çojnë në kufi me Bullgarinë, po kështu kanë vepruar edhe në drejtim të Maqedonisë. Ushtarët që do të liroheshin më 20 gusht, u anuluan. Në drejtim të kufirit që përfshin Pogradecin është vënë re se jugosllavët kanë përforcuar shërbimin dhe kanë shtuar vrojtimin në drejtim të tokës sonë, duke i pajisur vrojtuesit edhe me aparate radiomarrëse e dhënëse. Në drejtim të kufirit që përfshin zonën e Shkodrës, janë vënë re lëvizje të shumta aeroplanësh.

NË DREJTIM TË KUFIRIT GREK

Në sektorin e kufirit që përfshin Korçën, janë vënë re ardhje të një sërë oficerësh në buzë të kufirit, të cilët kanë punuar me harta. Është shtuar vrojtimi në drejtim të vendit tonë. Në sektorin e kufirit që përfshin Kolonja, më dt. 24.8.1968, grekët ngritën në alarm fshatin Shisare dhe rreth 10 fshatra të tjera shkuan dhe u armatosën në pikën e hapjes.

Gjithashtu në këto fshatra janë vënë re lëvizje të shumta makinash. Në sektorin e kufirit që përfshin Gjirokastrën, më dt. 24.8.1968, në fshatin grek Aranisht, kanë ardhur 16 autobusë dhe katër vetura, të cilat ishin mbushur me ushtarë dhe civilë. Një pjesë nga autobusët shkuan edhe në Postën greke të Kakavijës. Kurse më dt. 25.8.1968, në fshatin grek Kristoval, ka shkuar një autobus, aty u mblodhën fshatarët dhe nga autobusi është folur me altoparlant një orë rresht./Memorie.al

DREJTORI I DREJTORISE SE PARE

FEÇOR SHEHU